Presidenti Meta: Faturat e largimeve nga puna, duhet t’i paguajë drejtuesi

399
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dje në Vlerësimin Kombëtar Tematik të Qendrës për Çështjet e Informimit Publik ku u diskutuan “Marrëdhëniet e Punës dhe Shqyrtimi Gjyqësor”. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti i Republikës theksoi se: “Personalisht dëshiroj të ndalem më shumë në fjalën time në ‘Marrëdhëniet e Punës dhe Mbrojtja e tyre në Gjykatë’. Kuvendi, ka miratuar ligje që e bëjnë Shqipërinë ndër vendet me legjislacionin e plotë për garantimin e marrëdhënieve të punës. Megjithëse legjislacioni u përmirësua ndjeshëm dhe u krijuan standarde për garantimin dhe mbrojtjen e marrëdhënieve të punës, praktika e analizuar nga rezultatet që na sjell sot INFOÇIP-i, na çojnë në konkluzionin se: Sektori publik këto ligje nuk i ka zbatuar siç duhet. Nga shqyrtimi i të dhënave që sjell sot INFOÇIP-i në këtë forum, rezulton se, rastet e heqjes së padrejta nga puna, janë një realitet i hidhur, dhe që zë një peshë të konsiderueshme në ngarkesën e përgjithshme të sistemit gjyqësor. Një tjetër e dhënë që rezulton është fakti se vetëm për vitet 2017-2018, taksapaguesit shqiptarë do të duhet të paguajnë 15 milionë Euro më shumë, për të shlyer dëmin që kanë shkaktuar administratorët publikë përmes shkarkimeve të padrejta nga puna. Është e papranueshme që ngarkesa në sistemin gjyqësor, apo dëmet në buxhetin e shtetit, të vijnë po nga vetë institucionet publike nëpërmjet keq funksionimit të tyre. Ka ardhur koha që të shtrohet për diskutim dhe për t’u miratuar me ligj evidentimi i përgjegjësisë direkt të zyrtarit publik kur ai shkakton pushime të padrejta nga puna. Me përgjegjësi direkt të zyrtarit, nënkuptoj qoftë përgjegjësisë penale të tij, përgjegjësi, kjo e cila duhet të qartësohet edhe më shumë si një dispozitë e veçantë në Kodin Penal, por edhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë financiare për çdo dëm që i shkaktohet buxhetit të shtetit. Një sistem qeverisës që nuk promovon punën dhe burimet e ligjshme të jetesës, është një sistem i destinuar të dështojë!”, – u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti Meta në “Sofrën Tiranase 2019”: Gëzuar 405-vjetorin e themelimit të Tiranës!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dje dhe përshëndeti veprimtarinë artistike-kulturore tradicionale “Sofra Tiranase 2019”, që u organizua në Pallatin e Kongreseve, ku u shpalosën vlerat më të mira të kulturës dhe traditës shumëvjeçare të këngëve dhe valleve të Shqipërisë së mesme.

Presidenti Meta: Tirana në 405-vjetorin e saj

“Tirana shënon këtë vit edhe 405-vjetorin e saj të themelimit si qytet. Dëshiroj të uroj qytetarët e Tiranës dhe gjithë shqiptarët: Gëzuar ditëlindjen e Tiranës dhe 99-vjetorin e shpalljes së saj kryeqytet! Përgjatë një shekulli, Tirana rezulton qyteti me transformimin më të madh urban dhe njerëzor të Shqipërisë, në të cilin sukseset dhe sfidat e përparimit janë të lidhura shpesh me arritjet e mbarë vendit. Traditat tiranase si bujaria, mikpritja dhe solidariteti njerëzor ishin faktorë që i bashkuan shqiptarët e gjithë trojeve në një diversitet kulturor të larmishëm dhe harmonik. Tirana ka kontributin, atdhetarët dhe dëshmorët e vet në gjithë përpjekjen shqiptare për liri, demokraci dhe progres shoqëror. Kryeqyteti është modeli që i inspiron shqiptarët drejt demokracisë dhe qytetërimit perëndimore.

Presidenti Meta: Shoqata “Tirana” frymëzuese e shoqërisë

Duke nënvizuar rolin dhe kontributet Shoqatës “Tirana” dhe gjithë organizatave simotra të saj në Shqipëri, Presidenti Meta vuri në dukje se se “ato janë frymëzuesit e një shoqërie të shëndetshme si dhe mbrojtës e kultivues të vlerave tona qytetare, etno-kulturore, atdhetare e historike. Me këtë rast Presidenti Meta vlerësoi kryetarin e shoqatës “Tirana”, zotin Arben Tafaj me Titullin Nderi “Për merita të veçanta civile”, me motivacionin:“Për shërbimin e çmuar dhe aftësitë e larta drejtuese në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve vendore, vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare; si dhe në ruajtjen e përsosjen e traditës e trashëgimisë kulturore të qytetit të Tiranës”.