Ish-kryeministri Berisha bën denoncimin: Ja makineria kriminale vetëm buxhetore e blerjes së votës

214
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha vazhdoi denoncimet për blerjen e votave, duke u bazuar te një analizë e analistit Artan Hoxha.

“Kjo ishte makineria kriminale vetëm buxhetore e blerjes së votës!

Vetëm në muajin prill të këtij viti u shpenzuan 125 milionë euro apo 78% më shumë se sa në prillin e vitit 2020.

Në vitin 2021 në muajt Janar – Prill pati një rritje mesatare të fondit të pagave prej 9,5%. Kjo rritje ishte 420% më e madhe se sa rritja mesatare prej 2,25% në muajt Mars-Qershor të vitit 2013!

Këtu më poshtë keni nje analize të thelluar të megakrimit elektoral buxhetor të blerjes së votës nga analisti dhe eksperti i mirënjohur Artan Hoxha.

Kjo analize nuk merret me vërshimin e lumenjve të parave të karteleve të drogës, kërcënimet e vrasësve serialë të bandave të qeverise mbi zgjedhësit në zgjedhjet e 25 prillit.

Analiza nuk merret me ndikimin e hordhisë së patronazhistëve kriminelë, që të armatosur me të dhënat personale e falangat kriminale të policisë sekrete në ditët e zeza të diktaturës, ushtruan terror dhe u sollën si terroristë politikë, pengmarrës ndaj zgjedhësve shqiptar,” shkruan Berisha.