Irena Beqiraj:Qoka sociale e arsimit të lartë

73
Sigal

Rreth viteve 2000 kur punoja në Fakultetin Ekonomik, kishte studentë të cilët nuk merrin dot provimet, por merrnin çdo muaj bursë nga shteti, sepse vinin nga familje të varfra. Asnjëherë nuk e gjeta një arsye bindëse përse paratë publike duhet të investoheshin tek një student, që ngrihej nga gjumi në 12 të drekës, nuk shkonte në shkollë, sorrollatej rrugëve e kafeneve, merrte një 5 me të shtyrë vetëm herën e tretë?

Me hapjen e universiteteve private e kuptova arsyen.

Një diplomë universitare i “lumturonte” shqiptarët. Krijonte iluzionin e intelektualit, të të shkolluarit, rriste sipas tyre mundësitë e suksesit edhe të punësimit. Mendësi kjo që u bë e dukshme kur familjet shqiptare ishin të gatshme të paguanin universitetet private, edhe pse i riu/e reja nuk e kishte mendjen tek shkolla. Hyrja në universitet përdoret rëndom si albi për të bërë “asgjë“, sepse medemek je student. Kjo sëmundje për disa nuk mbaron këtu. Disa tentojnë të çojnë fëmijët e tyre edhe në universitete jashtë edhe pse fëmija nuk ka interesin e nevojshëm edhe të mjaftueshëm për shkollë. Pritshmëria se universiteti është hapi tjetër logjik është rritur në mënyrë eksponenciale në dekadat e fundit. Shqiptarët duan diploma! Edhe pse qeveria të mos i lejojë t’i marrin ato, edhe pse janë kartona pa vlerë?

Cila qeveri populiste do t’ju hiqte votuesve mundësinë për të gënjyer veten, aq më tepër kur nuk ofrohet asnjë alternativë tjetër të qëndrueshme për zhvillimin profesional? Pastaj sa më i paaftë njeriu aq më shumë rritet mundësia për ta përdorur, për t’u konformuar me realitetin, pa tentuar ta ndryshojë atë.

Në fakt, kur ulet mesatarja e hyrjes 6.5, duket sikur qeveria rrit mundësinë që çdo individ apo familje të investojë për vete dhe pjestarin e vet, duke anashkaluar faktin që universiteti është vendi i shenjtë i dijes, i cili u takon atyre të rinjve që kanë kuptuar nevojën dhe kanë dëshirë për dije. Nëse të paaftët për t’ju përkushtuar dijes dhe shkencës pranohen në universitet, dëmi është i parikuperueshëm.

Bari i keq e zë shumë shpejt vendin e bimës së mirë. Të aftët, si në rininë e hershme, do të vazhdojnë gjithë jetën e tyre, të mbështeten tek  puna edhe të përdorin aftësinë edhe mundësinë që në çdo rast janë të limituara. Ndërsa i padituri me diplomë, do vazhdojë të vendosë në punë dëshirat që janë të palimituara, të cilat i realizon pa drojë duke përdorur çdo mjet që justifikon qëllimin. Të paaftët për të mësuar, që futen në universitet, përse të mos bëhen me master, po doktorë pse jo? Më pas profesorë, gjykatës, drejtorë, duke ngritur kështu në piedestalet e suksesit “triumfin e paaftësisë” edhe modelet plot me bosh!

Cilësia në arsim fillon duke hequr dorë nga masiviteti. Fjala student duhet të konsiderohet titull që nuk mund t’i takojë kujtdo. Kemi nevojë të forcojmë sitën e hyrjes në universitet. Përtej cilësisë kjo do të na ndihmojë të ndërgjegjësohemi dhe të vlerësojmë me realitet fëmijët tanë, kapacitetet e tyre, talentet e tyre, duke pranuar ne të parët, që nuk është universiteti e vetmja mënyrë për të qenë i sukseshëm në jetë. Rrugët e sipërmarrjes, përshembull, nuk kalojnë gjithmonë nëpërmjet rrugëve të dijes.

Arsimi i lartë qartazi është përdorur edhe po përdoret si “qokë sociale”. Si rrjedhojë e kësaj qasje, arsimi lartë qelb erë mediokritet, edhe ky qelb po shpërndahet me shpejtësi në gjithë korpusin tonë arsimor, duke u kthyer në sëmundjen më të rëndë të kombit.