Në 1994 një gjerman vizitoi Shqipërinë edhe ishte impresionuar nga numri I madh i bar kafeve ” Atje në Shqipëri – ju tregoi miqve- gjysma e popullit bënin kafe, gjysma tjetër pinin kafe !”
30 vjet më vonë , dëgjova që Ministria e Inovacionit edhe Sipërmarrjes drejtuar jo fare çuditërisht në fillim të mandatit të tretë nga Edona Bilali, ( e cila para se të bëhej ministre njihej në publik për shpjegimin interesant të strategjive femërore të flirtimit), jepte grante, pra para publike për startUp- et e prodhimit të supës (ndryshe të quajtura restorante).
Besoj fort që çdo individ i interesuar për ekonominë jo domosdoshmërisht njohës i saj e kupton që bën sens të ndihmohen financiarisht me para publike startUp-et të cilat tentojnë sektorë të pashkelur më parë nga kompani të tjera edhe ku rrjedhimisht risqet operacionale janë të larta.
Thënë ndryshe qeveria duke i financuar këto kompani tenton të ulë disi riskun financiar duke i ndihmuar sipërmarrësit të përballojnë riskun operacional. Përfitimi publik është eksplorimi i sektorëve të rrinj që rrisin produktivitetin në ekonomi.
Nuk e gjej dot se cilat janë eksternalitetet apo shtegu i pashkelur i një ideje apo startUp-i në sektorin e përgatitjes së supës , në një vend ku që prej 94 është prodhuar kafe e supë ! Sikurse nuk gjej dot asnjë përgjigje sesi rritet produktiviteti në ekonomi duke investuar qeveria tek sektori më pak produktiv, sektori i restoranteve.
Por për të mos e torturuar veten me pyetje vendosa të shoh sërisht videon ku Edona shpjegonte sesi vajzat flirtojnë duke kërkuar çakmakun edhe rilexova vargjet satirike:
Një ditë të bukur behari
Në plazh ç’u gjeta i vrarë.
Gocat, që i marrtë lumi,
qeshnin më zgjuan nga gjumi.
Hapa sytë e i vështroja ;
doja më to të flirtoja!
Një prej tyre vjen me hap,
më pyet ” Djali ke çakmak?! ”
Si t’i thoja” kjo është gjëmë,
kam dy javë që e kam lenë”.
Unë i gjori jam papunë,
nuk kam lek as për sapun “!
M’u lidh gjuha, mbeta guak ,
edhe një dru e kisha hak!
Se pat thënë dikur Bilali
pa cakmak, s’bën me dal djali !
U ftillova e nuk kisha më asnjë pyetje !



















