Institucionet e Vettingut e kanë  humbur funksionin e vet ligjor

23
Sigal

Precedenti “Balla” fut në “rrugë qorre” Drejtësinë e Re. Shkarkimi i kreut të KLP-së nga vettingu është konsideruar I jashtëligjshëm nga Alfred Balla, i cili deklaroi se nuk largohem, pasi jamë i zgjedhur nga Parlamenti. KPA-së iu deshë 1 vit e gjysëm për të vlersuar nësë e gëzonte statusin e magjistratit apo jo?! Reforma në drejtësi kthehet në estradë, ata që shkarkon KPK, i kthenë në detyrë struktura e posaçme politike e KPA-së. Gati prangat për kryebashkiaken e Roskovecit

Shkarkimi i kreut të KLP –së nga Vettingu, Alfred Balla nuk heq dorë nga karrigia e kryetarit: Jam i zgjedhur nga Parlamenti

Precedenti “Balla” fut në “rrugë qorre” Drejtësinë e Re

“Jam ende në detyrë si kryetar dhe anëtar i KLP-së, nëse do të dojë, mund të më shkarkojë vetëm parlamenti”

Ditë e martë Vettingu largoi nga sistemi i drejtësisë, kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Alfred Balla e për pasojë “nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm”. Vendimi u mor nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), struktura më e lartë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi deri në vitin 2017, kur kishin hyrë në fuqi ligjet e reja të Reformës në Drejtësi, ai kishte punuar si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë. Por zoti Balla i tha Zërit të Amerikës, se vendimi, të cilin ai e cilëson “të turpshëm”, nuk ka të bëjë me detyrën e tij aktuale në KLP, pasi ai është zgjedhur anëtar i saj nga parlamenti, si përfaqësues i shoqërisë civile dhe jo si magjistrat. Për pasojë “jam ende në detyrë si kryetar dhe anëtar i KLP-së”, deklaroi ai duke shtuar se “nëse do të dojë, mund të më shkarkojë vetëm parlamenti”. Zoti Balla është zgjedhur në vitin 2018 si anëtar i KLP-së, dhe në mars të 2022, u zgjodh në krye të “qeverisë së prokurorëve” me një mandat dy vjeçar. Ndërkohë, mandati tij si anëtar ka përfunduar që prej dhjetorit të vitit të kaluar, por procedurat për përzgjedhjen e 3 kandidatëve jo magjistratë u zgjatën përtej afateve. Ndonëse për shkak të detyrës si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ai konsiderohej subjekt i procesit të rivlerësimit kalimtar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) organizoi shortin për caktimin e trupit gjykues për rastin e tij në fund të dhjetorit të vitit 2021. Trupës iu desh më pas 1 vit e gjysëm për të vlerësuar nëse ai e gëzonte statusin e magjistratit e për pasojë të përcaktonte nëse do të duhej që ai t’i nënshtrohej ose jo, të ashtuquajturit proces të Vettingut. Përfundimisht në qershor të 2023-it, KPK-ja mbylli procesin e rivlerësimit ndaj zotit Balla, pa një vendim përfundimtar, duke konstatuar se ai e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte liruar nga detyra me vendim të kryetarit të Gjykatës së Lartë në korrik 2017. Vetë zoti Balla e kishte kundërshtuar me forcë, procesin e rivlerësimit, madje në fillim të vitit 2023 ai ishte ankuar dhe në Bruksel, ndaj vëzhguesit ndërkombëtar Theo Jacobs, duke e akuzuar atë se po ushtronte trysni ndaj anëtarëve të KPK-së, që ky institucion të kryente Vettingun ndaj tij. Vendimi i KPK-së, u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa, sipas të cilit, përkundër pretendimeve se me lirimin nga detyra në Gjykatën e Lartë, është humbur dhe statusi i magjistratit, vetë zoti Balla kishte ndërmarrë beteja ligjore që atij t’i njihej ky status, si përmes një padie në Gjykatën Administrative ashtu dhe me një kërkesë drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Sipas akteve të bëra publike nga Komisioneri Publik, zoti Balla është tërhequr më pas, si nga padia në shkallët e gjyqësorit dhe nga kërkesa bërë në KLGJ “kur nga ana e trupës gjykuese të KPK-së vijoi dërgimi i pyetësorëve të procesit të rivlerësimit”. Sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, zoti Balla “e ka humbur statusin për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve, në kushtet kur, ndërsa nuk e kontestoi urdhërin (lirimin nga detyra në Gjykatën e Lartë shën. red.) në rrugë ligjore, ka shfaqur vullnetin për t’u zgjedhur në një organ tjetër kushtetues. Kjo sjellje u vlerësua si shkaku përcaktues për përfundimin e marrëdhënies së tij të punës si ndihmës ligjor dhe u bë vlerësua se përmbush kushtet për t’u kualifikuar si dorëheqje nga detyra”. Sipas Nenit G të Aneksit të Kushtetutes, dorëheqja nga një subjekt i rivlerësimit çon në ndërprerjen e procesit dhe pasohet nga pamundësia për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. Në reagimin e tij në mbrëmje, zoti Balla shprehet se “edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar Vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua”. Kreu i KLP, Alfred Balla është i mendimit se vendimi “nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat”. Avokati, Kujtim Cakrani tha për gazetën Telegraf se, Alfred Balla do ta përfundoj mandatin dhe pas kësaj nuk mund të zgjidhet as gjyqtarë dhe as prokuror. Në rregulloren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë parashikuar edhe rastet kur Këshilli Vendor vendos të ndërpresë mandatin e kryetarit dhe nënkryetarit. Në rastet kur vërtetohet se nuk ka zbatuar detyrat funksionale, kryen shkelje të etikës së magjistratit, ndaj tij vendoset masë disiplinore, ka humbur besimin e këshillit ose kur jep dorëheqjen nga funksioni. Ky vendim i Vettingut me precedentin “Balla” fut në rrugë qorre Drejtësinë e Re, pasi kjo do shkaktojë reagim të shkarkuari në rolin e drejtuesve nga Vettingu.

 Si tentoi Alfred Balla t’i shpëtojë Vetting-ut

Në shkallën e parë të Vetting-ut, Balla pretendoi që të mos i nënshtrohej procesit të rivlerësimit me argumentin se ai nuk kishte status magjistrati, pasi ishte larguar si ndihmës-ligjor, funksion që ka ushtruar në Gjykatën e Lartë. Pra, Alfred Balla duke përdorur procedurat, tentoi t’i shpëtonte procesit të Vetting, që siç tregoi gjykimi në shkallën e parë, KPK, i dha rezultat. Duket se procedura e ndjekur nga kreu i KLP-së, Alfred Balla, kishte të bënte me një interpretim nëse ai mund t’i nënshtrohej Vetting-ut ose jo, pasi në momentin që ligji hyri në fuqi, ai humbi statusin e magjistratit. Kjo duket se ishte hapësira që është shfrytëzuar nga Balla, edhe pse bazuar në statusin që kishte si ndihmës ligjor, ai ishte subjekt i Vetting, përpara se ligji të miratohej. Dhe në lojën për ti shpëtuar vetting,  Alfred Balla përdori edhe një padi në Gjykatën Administrative, për të interpretuar nëse ai ishte ose jo subjekt, referuar mënyrës se si kishte humbur statusin e magjistratit. Në argumentet proceduriale, Balla pretendonte se statusin e gëzonte deri në momentin e emërimit në KLP, ndërkohë që urdhri i lirimit e kishte dhënë efektin pasi institucionet e konsideronin si ish-ndihmës ligjor. Tjetër argument që u paraqit ishte fakti se Balla nuk kishte kryer Shkollën e Magjistraturës e për rrjedhojë, Komisionit do t’i mungonte ky komponent në rivlerësimin e profesionalizimit. Balla pretendoi se në kushtet që nuk ka asnjë akt ku të jetë paraqitur dorëheqja nga ana e tij, nuk mund të aplikohet neni G i Aneksit të Kushtetutës. KPK nuk arriti të merrte një vendim për Alfred Ballën, i cili bashkë me anëtarët jo-magjistratë të tjerë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, nisën një proces që të mbeteshin pjesë e sistemit të drejtësisë si magjistratë pas përfundimit të mandatit të tyre si anëtarë të KLP dhe KLGJ. Në këtë kuadër, janë disa propozime që janë hedhur për shqyrtim ose debat, përmes të cilave synohej që anëtarët jo magjistratë të dy institucioneve të integroheshin në sistemin e drejtësisë, si gjyqtarë, madje duke synuar Gjykatat e Apelit. Pra, ajo që dukej se po synohej, jo vetëm nga Alfred Balla si drejtues i KLP-së, por edhe anëtarët e tjerë jo magjistratë, ishte një integrim në sistem, duke shfrytëzuar edhe statusin që kanë si anëtarë të KLP apo KLGJ, duke shmangur procesin e Vetting, në përfundim të mandateve të tyre si anëtarë të institucioneve, që konsiderohen si qeverisja e sistemit të drejtësisë (KLGJ+KLP).

Reforma kthehet në estradë: KPK e shkarkon, KPA e kthen në detyrë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka marrë vendim në seancën e sotme për rikthimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Bib Ndreca. Lëvizje të tilla brenda sistemit të drejtësisë “së re” vazhdojnë ta bëjnë atë qesharake, pasi i njëjti Bib Ndrecë ishte shkarkuar gjatë procesit të Vettingut prej një organi tjetër, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ky Komision, më 18 janar 2021 e hodhi nga shkallët e drejtësisë,  por më pas Ndreca e apeloi këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit prej ku doli sot fitimtar dhe u ngjit lart përsëri. Shkarkimi i tij nga KPK u kyre më 18 janar të vitit 2021, por më pas Ndreca e apeloi këtë vendim në KPA. Ndreca ishte gjyqtari i dosjes së famshme 339, ku ka firmosur arrestimin e grupit të Avdylajve në Shijak. Pas firmosjes së arrestimeve, Ndreca ishte marrë në mbrojtje të posaçme nga policia.