‘Inkuizicioni ndaj Metës i paprecedentë’/ Cakrani: SPAK nuk ka ende prova, zgjat hetimet me 6 muaj për ish-presidentin

22
Sigal

Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, deklaroi sot se SPAK ka vendosur të zgjasë me gjashtë muaj afatin e hetimeve ndaj klientit të tij, ndonëse afati njëvjeçar përfundon nesër, më 10 qershor. Në një deklaratë për mediat, Cakrani tha se njoftimi për zgjatjen e hetimeve u dha sot nga organi i akuzës, duke theksuar se vendimi vjen në mungesë të provave konkrete.

“Sot është data 9. SPAK dhe prokurorët vendosën të zgjasin afatin e hetimit edhe 6 muaj, sipas procedurës, ndonëse nuk kanë ende prova të mjaftueshme. Po presin prova të reja, për të cilat as ne nuk kemi dijeni çfarë janë,” deklaroi ai.

Cakrani nënvizoi se çështja ndaj Metës është regjistruar në dhjetor të vitit 2019, vetëm një javë pasi Altin Dumani mori detyrën si prokuror i SPAK, dhe se deri më sot kanë kaluar thuajse 6 vite pa u ngritur një akuzë konkrete.

“Presidenti i republikës ndodhet sot në paraburgim për një çështje të paqartë. Është absurde që për një akuzë që ai as nuk e njeh, të mbahet në burg,” theksoi avokati.

Ai shtoi se qëndrimi në paraburgim i Metës ka natyrë politike. “Ju e dini shumë mirë pse mbahet. Sepse çështja është politike, dhe për këtë arsye mbahet në paraburgim,” tha ai.

Më tej, Cakrani e cilësoi ndalimin e Metës si rrëmbim dhe akuzoi SPAK-un se është kthyer në një “prokurori politike”.

“Ne nuk jemi kundër hetimit. Presidenti është pro hetimit dhe do t’i nënshtrohet çdo procesi. Por pse mbahet në paraburgim? Kjo është ajo që duhet të kuptojnë qytetarët. Inkuizicioni që po bëhet ndaj ish-presidentit të republikës është i paprecedentë në Europë,” përfundoi ai.

Cakrani:

Ne sot u thirrëm në SPAK për të na komunikuar organi i akuzës zgjatjen e afatit të hetimeve për presidentin, zotin Ilir Meta.
Sot është data 9, nëse përfundon afati 1-vjeçar i regjistrimit si person nën hetim i presidentit, dhe duke parë se afati përfundon nesër, SPAK, prokurorët e SPAK, vendosën t’i zgjasin afatin e hetimit edhe 6 muaj, sipas procedurës.

Problemi qëndron se nuk kanë prova të mjaftueshme akoma, dhe po presin disa prova, disa prova të reja, të cilat as ne nuk e dimë se çfarë provash janë.

Ndërkohë dua të theksoj diçka, që ta kuptoni: kjo vepër penale për të cilën akuzohet presidenti Meta është regjistruar në dhjetor të vitit 2019. Është regjistruar një javë pasi zoti Altin Dumani nisi nga puna si prokuror i SPAK, dhe prej dhjetorit 2019 deri sot, kanë kaluar afërsisht 6 vite.
Dhe 6 vite SPAK nuk ka mbledhur akoma provat për ta inkriminuar ose për ta marrë në përgjegjësi penale presidentin e republikës, dhe presidenti i republikës sot që po flasim, po rri në paraburgim. Një absurditet i jashtëzakonshëm për akuza që ai nuk i di.

Pyetja është pse mbahet presidenti i republikës në paraburgim.

Presidentit të republikës i është komunikuar akuza, ne prisnim sot të mbaronin hetimet sepse afati njëvjeçar përfundon nesër më datën 10, nga regjistrimi si person nën hetim në qershor të 2024.

Ne nuk jemi kundër hetimit, ne jemi pro hetimit, presidenti është pro hetimit dhe padiskutim do t’i nënshtrohet çfarëdolloj procesi, por pse mbahet në paraburgim?

Ju e dini shumë mirë pse mbahet, sepse çështja është politike, dhe çështjet politike mbahen në paraburgim. Dhe mënyra se si u arrestua zoti Meta, ju e dini shumë mirë.
Presidenti Ilir Meta është rrëmbyer, dhe rrëmbimi i tij tregon edhe njëherë që SPAK është kthyer në një prokurori politike.

Ne nuk na heq askush të drejtën e kundërshtimit, ne po flasim çfarë po ndodh sot me hetimet, dhe ajo që duhet t’i themi sot shqiptarëve është që inkuizicioni që po bëhet ndaj presidentit të republikës, është i paprecedentë sot në Europë.