Indiferenca: Serbia e nënës, Kosova e njerkës…?!

Situata e rëndë në veri të Kosovës që kulmoi me rrëmbimin e tre policëve nga serbët si dhe mungesa e krijimit të një fronti të bashkuar të faktorit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mali i Zi, ka ngjallur reagimin qytetar për protesta në Tiranë, sot në orën 19.00. Pas politikës shqiptare dhe takimeve të Vuçiç me ambasadorët rus dhe kinez dje në Beograd, reagon DASH: Serbia të lirojë menjëherë dhe pa kushte 3 policët kosovarë

 

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka nuk u kujdes shumë për atë se çfarë po ndodhte me partnerin e ngushtë të “Ballkanit të Hapur” Serbisë. Aleati i “Open Ballkan” Vuçiç, gjatë ditës u ul me ambasadorët rus e kinez brenda ambasadës së federatës ruse në Serbi, aty në mes të Beogradit. Por Xhaçka, si ministre e jashtme, nuk dukej aq e shqetësuar për këtë gjë sesa të shfaqte më tepër shqetësim për të këshilluar Kosovën që duhej të “sillej” urtë me ndërkombëtarët për stabilitetin rajonal. Shqetësimi dukej më së shumti në retorikë, pasi në praktikë diplomacia shqiptare u mjaftua me nxitimin e bërjes së një draft-plani që synonte të dilte me plan zgjidhjeje për asosacionin e komunave serbe në Veri të Kosovës. Pak vite më parë, me nismën “Open Balkan” Rama dhe diplomacia shqiptare u duk sikur u bë faktor rajonal. Me hijen e “liderit Ballkanik” Rama priti të dëgjohej jehona e emrit të tij kur ky plan të pranohej nga palët. Por në fakt ky plan nuk u pranua nga dy palët. Pasi pa presionet e kundërshtitë e Kurtit dhe Vuçiç, Rama rezistoi ende tek qëndrimi i tij i parë duke përmendur edhe sanksionet e rrezikshme të së ardhmes që e presin Kosovën, por shpejt kur pa se situata eskaloi me rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës, ndërroi mendje duke pritur atë se çfarë do të thoshte KFOR për hetimet. Diplomacia e jashtme mbeti fare jashtë një çështjeje, që ende zjen përbrenda të gjithëve. Heshtja dhe indiferenca e disa deputetëve dhe zyrtarëve të qeverisë lidhur me situatën e tensionuar në Kosovë, duke sikur Kuvendi i Shqipërisë po e sheh Kosovën si të njerkës dhe Serbinë si të nënës. Nëse faktori i diplomacisë shqiptare në rajon do të kishte një kuptim, do të ishte treguar një shenjë e asaj gjellës ballkanike që vetë gatuajmë e vetë e flakim ndonëse nuk mbahet mend një takim i ministres së jashtme me diplomacinë e Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut. Roli i rëndësishëm që Shqipëria do të kishte në rajon duhet të ishte më aktiv; pikërisht nga këto takime e diskutime rajonale e jo nga deklaratat e vona hipokrite që s’japin shpresë për zgjidhje. Të enjten, nga salla e parlamentit, Xhaçka tha se kishte komunikuar me komandantin e KFOR dhe ishte në pritje të hetimeve lidhur me rastin e rrëmbimit të 3 policëve kosovarë nga autoritetet serbe. Të njëjtën gjë do të thoshte edhe Rama pak orë më vonë,  ndonëse reagime këto të ardhura shumë më vonë nga sa pritej të ndodhte nga Tirana zyrtare. Për Kryeminstrin e Shqipërisë në një deklaratë të mëparshme Kosova u krijua nga ndërkombëtarët. Një kryeministër shqiptar që e thotë këtë frazë nuk e meriton të mbajë atë post. Sipas analistëve Rama nuk e meriton të jetë aty për shumë arsye, por mohimi i Kosovës si pjesë e Shqipërisë përbën tradhëti kombëtare.

NOA

Përmes disa pikave të renditura Rama foli për KFOR ,që sipas tij nuk do të dalë në konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. Me shumë vonesë në reagime, duke parë presionet ndaj tij, Rama dukej sikur evitoi rolin e tij si ndërmjetës i dikurshëm e medemek i mërzitur pse Albini “nuk” deshi ta takonte pa qeveritë e tyre dhe kërcënoi Kosovën në kulmin e tensioneve për sanksione.  Pak metra tej Kryeministrisë, në Parlament deputetë të opozitës kërkuan që Shqipëria të mbajë një qëndrim të hapur e të qartë ndaj asaj se çfarë po ndodhte në Kosovë. Ndërsa gjuha e diplomacisë shqiptare duket e mekur, shqiptarët në Shqipëri duket se po e sfidojnë diplomacinë që nuk flet dot qartë, hapur e drejtpërdrejtë si ata. Në Tiranë një poster, që paralajmëron një protestë para godinës së Kryeministrisë ka qarkulluar në rrjetet sociale në lidhje me qëndrimin e Shqipërisë për situatën në Kosovë ku paralajmërohet më qartë se kurrë “Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”.