INTERVISTA/ Viktima politike e Gërdecit, ministri Fatmir Mediu: “Çelësin e imunitetit e ka në dorë shefi i qeverisë”
-Zoti Mediu, meqë ju keni kaluar nga zjarri i imunitetit, mund të na thoni, çfarë është imuniteti për politikanin?
– Ju falënderoj që me dhatë rastin të them edhe unë fjalën time. Se ju të medias, më keni bërë bllokadë. Nuk e referoni gjëkundi fjalën time, thua se jam djalli vetë.
– Po nuk na lë Gërdeci, o vulëhumbur. Sa herë të të shikojnë surratin, njerëzve u ther plaga në zemër.
– Po unë ç’punë kam më me Gërdecin. Kam marrë edhe certifikatën e pafajësisë nga çdo gjykatë. Unë e dhashë imunitetin në dorën e vetë zotit Kryeministrit.
– Po në gjyq nuk të pamë të jepje xhevap.
– Xhevapin e dhashë te zoti Kryeministër. Ai më besoi që unë nuk kisha asnjë përgjegjësi.
– Po gjyqit si i shpëtove, zoti Mediu? Ne të tjerët, na vete mendja te ajo kleçkë e imunitetit.
– Imuniteti është si ai leshi i deles. Që kur nuk e ke mirë me shefin e qeverisë, e lë drizave e ferrave, kur del e kullot. Shiko, si e lë leshin e tij, ferrave, Tahiri e shokët e tij, se guxuan dhe matën brirët e tyre me shefin e qeverisë.
– Mo, po ti e Meta na vutë gjyslyqe, zoti Mediu. Mëkatet tuaja, u bënë tredimensionalë, sa, tani, imunitetin e bëtë gjyslyqe, që t’ju shohim sa burra të ndershëm kini qenë. Merhumët, ne, që nuk ju dinim vlerë.
– Kur e ke xhan me shefin e qeverisë, leshin e qeth në behar, që të freskohesh nga vapa dhe e rrit për dimër, që të mbrohesh nga të ftohtit. Sa për gjyslyqe, unë i mbaj për vete gjithmonë të zeza, që të shikojë te mileti të vërtetën.
– Ç’punë ka leshi i deles me imunitetin, zoti Mediu?
– Që ta kuptosh ty, miku im, se çdo të thotë që politikanin ta zhveshësh nga imuniteti, po të them fshatarçe: Kur politikanit i zhvesh imunitetin, është si ajo delja që sapo e qeth me gërshërë. Tërë gjak në lëkurë.
– Po ju, patët fat të madh. Berisha jua lau gjakun e qethjes, menjëherë dhe ju dha një tjetër karrige. Që bën hije më të madhe.
– Kjo dëshmon, që isha dhe jam i ndershëm. Dhe sot ndershmëria politike varet nga hija që bën karrigia që të beson shefi i qeverisë.
– Meqë më dolët te matja e ndershmërisë politike, zoti Mediu, po zoti Meta, që nuk ka fare karrige, kjo, do të thotë, që me radaken time, të besoj se nuk ka kaq ndershmëri, sa keni dhe jeni ju?
– Unë, si anëtari përhershëm i miqësisë Berisha, nuk mund të jap komente për pasagjerët, që hipin e zbresin në trenin qeveritar.
– Zoti Mediu, cili është vlerësimi juaj për heqjen e imunitetit?
– Për herë të parë e dëgjoj që politikanit t’i hiqet me ligj imuniteti. Këto janë përralla në ditë dimri, jo për vapën e gushtit. Ndaj edhe Kryeministri ynë, me lezet, ua ngeci të gjithëve. E shtyu përrallën, që të thuhet në netët e gjata të dimrit.
– Mor, po ne do të besonim, se nuk bën që të mos besosh Kryeministrin, po nuk na lënë rehat, ca këmborë që tund Braçja.
– O, po ai i paudhë ka dalë nga vatha fare. Ke dëgjuar që të flasë gjë Edi Rama? Dhe pse të flasë? Deri tani, a nuk është pa imunitet? E thirri kush nga prokuroria që ta pyesë?
– Po, Rama, zoti Medi, pa pushtet është. Për se mund ta thërrasë prokurori? Për çelësat e kashtës, që mban PS-ja? Apo, që ka bërë zbritje në llogarinë bankare?
– Po lëri këto, ty! Sa vite punoi Kryetar Bashkie? I marrë ishte Rama, që më mirë donte të ishte Kryetar Bashkie, se sa Kryeministër? Bashkia është minierë, babam! Atje të gjitha i ke në dorë vetë. Iku andej. Ke dëgjuar ti, që ta ngacmojë kush? Ne nuk e ngacmojmë Ramën, Rama nuk na ngacmon neve. Ore, miku im, ia njohim mirë njëri tjetrit, jo vetëm se ç’ngjyrë i ka brekët, që vesh çdo sabah, por edhe në kë pazar i blen, dhe me sa para i blen. Pse i marrë është Rama, që të lerë leshin e tij drizave e ferrave për imunitetin?