Kryetarit tonë të qeverisë i mbeti mendja te pasaporta europiane për votuesit e tij në këto zgjedhje! “Votomëni mua se, vetëm unë dhe partia ime mund t’u çojë në Europë!” O do të vemi në Europë në vitin 1930, o s’ka! -kështu po ngjirret ai në çdo mikrofon ku po flet për t’u zgjedhur edhe vetë deputet! Por nga listat e mbyllura ama! Siç thotë një fabulist, ‘deputet kafazi’!? Se mos e la veten ai në listë si tërë të tjerët, pa ta shikonte do të zgjidhej më apo jo!?
Kur harron se nga je nisur, nuk di as se ku po shkon!?
Zgjedhjet janë për deputetë në Kuvend, e z.Edi Rama ulëret me ironi e butafori:”Votoni pesën se ajo u jep pasaportën europiane!” Numurin pesë e ka simbolizuar deri në personifikim me një lloj ylli me pesë cepa, që vetëm fantazia e një të sëmuri antikombëtar mund ta improvizojë. As i kuq, as i bardhë, as blu, por një lloj figurine pocaqillëku si ‘rrezik vdekje’ që të neverit Yllin e vërtetë të kuq, simbol gjaku e lufte për punë,vëllazëri, paqe e liri. Diku, zotërinj të partisë socialiste keni dizenjuar si sfond për këto zgjedhje, një pëllëmbë dore të zezë me pesë gishta!? Këto janë pamja e jashtme e punëve të padukshme, vjedhjeve, mashtrimeve dhe gënjeshtrave të ideatorëve dhe patronazhistëve tuaj që nuk tregohen, por pasqyrohen. Por le të shohim, qoftë edhe kalimthi, përse ju z.Kryetar, nuk kujtoheni të thoni të vërtetën historike, por e tjetërsoni, e anashkaloni dhe e harroni, domosdo, me dashje.
Ju nuk jeni i vogël në moshë, dhe pavarësisht nga mangësitë që mund të kini në brumosjen arsimore dhe edukative, e dini fare mirë se ne edhe gjeografikisht, edhe politikisht edhe nga të gjithë këndshikimet, kemi qenë, jemi e do të jemi në Europë. Edhe pa pasaportë. Ne kemi pasaportën tonë sa për dyqind lloje të tjera. Aq më tepër tani që hyjmë e dalim me çdo tre muaj se ju si qeveri na kini falur me faturë rrezikimin e jetës së bijve tanë, “të drejtën e munguar” për të emigruar e për t’u bërë shërbyes të drejtpërdrejtë të bosëve imperialistë europianë! Dhe ato euro që marrim ato do t’i hamë këtu, në truallin tonë duke paguar domatet e portokallet që vijnë nga Greqia, specat, qepët e mollët vijnë nga Maqedonia, mishin nga Brazili, miellin nga Sërbia deri edhe patate nga Franca. Paguajmë edhe energjinë elektrike edhe ujin e pijshëm,që i kemi me bollëk, por çmimet ju të qeverisë, ua keni vendosur aq të larta sa meritoni mallkimin kishtar mirditor të dikurshëm që ishte ‘blefsh ujin që pin’ por që tani është kthyer në :”harram e paçi ujin shqiptar që pini!” Paguajmë edhe taksat për lëvizje, arsimim, frymëmarrje dhe gjelbërim!? Kjo situatë poshtëruese e këtyre votuesve është, sepse ju si qeveri as që u shkon në mendje se ku kemi qenë dikur e ku jemi tani. Dhe ku po shkojmë më tutje?! Ju si kryetar dhe si qeveri, ca më shumë si parti, keni vetëm emrin dhe bonuset, se thuajse asnjë punë të mbrodhtë nuk keni bërë për të rregulluar, begatuar, arsimuar, zhvilluar dhe mbrojtur Shqipërinë. Ju vetëm e kini shkretuar, shkërmoqur, shpërbërë, boshatisur dhe shitur Shqipërinë tonë të shtrenjtë.
Ne kemi qenë në Europë dhe ajo na njeh mirë ne!
Fiksojeni mirë këtë, z.kryeministër! Për mrekulli kemi qenë madje ishim shumë herë më mirë në vitet 1944-1990 se sa tani, si pjesëtarë të paulur në një tavolinë me krerët e borgjezisë europiane. Ishin atokohëra kur Europa mendohej mirë para se të hidhte grupe armiqësore me parachute, apo me këmbë nga kufiri tokësor, kur organizonte sabotazhe në ekonomi e kulturë, në ushtri e naftë kundër nesh! Po pse i ke harruar ti, o kryetari ynë, tërë ato përpjekje tinzare, të fshehta, pas shpine apo edhe direkte, ‘madhore’që bënte Europa kundër lirisë, pavarësisë dhe qeverisë së Shqipërisë?
Atëkohë ky vend kishte zot: pushtetin popullor që ndryshe quhej dhe do të quhet diktaturë e proletariatit, që ishte ndërtuar me normat më të larta njerëzore të barazisë nga Partia e Punës e Shqipërisë me një burrë trim shqiptar në krye. Ishte Enver Hoxha ai që i tregoi pikërisht kësaj Europe ( e cila sot trembet e dridhet nga një llaf tarifor i Trumpit, apo nga një vringëllimë rakete ruse) se shqiptarët janë në trojet e tyre, duan lirinë dhe pavarësinë dhe duan demokracinë proletare si e vetmja demokraci e vërtetë. Shqiptarët nuk i bien më qafë kujt dhe nuk lejojnë që të ua cënojnë kufirin dhe kombin, gjuhën dhe pasuritë që u ka falur natyra, gjaku dhe djersa e tyre. Ai, Enver Hoxha, në krye të Partisë Punës së Shqipërisë pasi ideoi, drejtoi e fitoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, i dha lirisë 28 mijë dëshmorë, e gjeti Shqipërinë tetëqind mijë njerëz e analfabete. Me këneta e sëmundje, me shkatërrime e varfëri ekstreme. Dhe për 30 vjet e transformoi në vend paqeje e sigurie, me katër milion banorë, me arsim e shëndetësi falas, me elektrifikim të plotë, me industri të rëndë e të lehtë, me bujqësi intensive të përparuar, me blegtori të mbarështuar, me kulturë popullore tejet të lartësuar, me mbrojtje të sofistikuar, me siguri të pabesueshme. Pas njëzet vitesh ai pushtet siguroi në vend bukën e popullit. Shqipëria u bë shtet njësoj si shtetet më të qenësishme të globit. Kaq a nuk mundesh,që ta njohësh e ta pohosh? Por, ja që nuk e bën dot se je i shitur. Ti nuk je i aftë të bësh të tilla analiza, jo se nuk merr vesh, por sepse je shitës i shitur tek imperializmi europian dhe amerikan. Ju thoni se’ Europa është një kopësht derën e të cilit ajo nuk e hap me trokitjet tona, por kur do ajo!’ Të lumtë! Kjo është e vërtetë! Atëherë përse çirresh e gënjen me premtimin se do ta hapësh ti atë derë? Sa mjeran jeni të gjithë ju, o të shitur, edhe në politikë edhe në logjikë! Zaten, se jeni të tillë, ju pozitë-opozitë ndaj edhe Europa e regjur tallet me ju dhe me ne që na drejtoni ju!
Si e gjete e si e katandise Shqipërinë?
Kur erdhe në kolltukun e kryetarit të qeverisë, në vitin 2013, deklarove se e gjete vendin me një gropë të madhe borxhesh dhe fatkeqësish, se ashtu e kish lënë qeveria Berisha. U zotove se do ta nxjerrësh nga ajo gjendje me anë “të rilindjes”. Dhe ja ku jemi tani pas 13 vitesh të sundimit tuaj sulltanor me të dhënat më drastike që ka pasur ndonjë herë Shqipëria në 113 vitet e saj si shtet: pa bujqësi, pa blegtori, pa ushtri, pa industri, me kulturë të cunguar, me popullsi të firuar deri në përgjysmim, me arsim të sakatuar, me gjuhë të goditur ashpër dhe të anglikanizuar, me rini të emigruar.Vijojmë: e ke mbushur territorin shqiptar me banorë e punëtorë nga 29 kombësi të botës me kampe strehimi; me kampe rehabilitimi; me leje banimi dhe punësimi; me oferta të lira strehimi dhe qëndrimi të përkohshëm e të përhershëm të kujtdo që ka dëshirë (!?) të vijë në Shqipëri! Eshtë e vërtetë që kjo qeveri, e drejtuar nga ju z.Rama, ka ndërtuar shumë rrugë me asphalt (edhe pse tejet të hollë se është vjedhur fondi), se ka bërë shumë betonizime nëpër qytete, se ka bërë edhe ristrukturime objektesh, zyrash, shkollash ( shkolla ka shumë po nxënës ka pak e më pak!), se ka luftuar informalitetin, se ka sjellë në Shqipëri lloj-soj samitesh e takimesh prezantuese dy e shumëpalëshe ballkanike e europiane. Por nuk ka investuar asnjë grosh për prodhimin e të mirave materiale të drejtpërdrejta në sektorin e bujqësisë ku ka triumfuar gjithnjë vjedhja e fondeve, dhe ka lënë thuajse tërë fshatrat pa ujë, pa kanalizime bujqësore, pa fëmijë e pa rini.
Mbi të gjitha, ju z.Rama e kthyet timonin e tërë jetës shqiptare vetëm në turizëm me 14 llojet e tij nga ai malor aventuresk, ai arkeologjik deri tek turizmi i seksit. Juve as nuk u intereson fare se si jeton shqiptari, si është ecuria ruajtjes së gjuhës, traditave, zakoneve dhe kulturës autktone. Ju nuk doni që të luftohen tradhtarët. Pikërisht kjo është një kërkesë për çdo njeri që e do popullin e vet, nga karrocieri deri tek kryetari. Ju nuk u intereson asfare fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit tonë; as doni të dini për varrezat e dëshmorëve tani pas 80 vjetësh; as doni të dini për mbrojtjen e historisë së lavdishme të këtij populli ndër shekuj. Ju asfiksuat Muzeun Historik Kombëtar dhe thoni se do ngrini një muze për veshmbathjen !?
Duam kryetar qeverie atdhetar e shitës të vetshitur
Me rehabilitimet që u ke bërë figurave e personave tradhtarë të kombit e të atdheut, me shkatërrimin ‘krijues’ që iu ke bërë veprave të ekonomisë e kulturës të ndërtuara gjatë periudhës së socializmit, me shitjen që iu ke bërë aseteve kombëtare si nafta, kromi, uji, territore të tëra për poligone armësh e baza ushtarake të huaja, me baltosjen dhe ‘asgjësimin’ e plotë të gjithçkaje që lidhet me Enver Hoxhën, me lënien nën hije e braktisjen e monumentit të Heroit të Popullit, krijuesit të shtetit shqiptar Ismail Qemali,- keni treguar hapur se jeni antishqiptar, antikombëtar. Jeni një i ashtuquajtur drejtues shteti, realisht i vetshitur dhe që mundoheni të shisni para zgjedhësve premtime e gënjeshtra, që ndërkohë u shisni të huajve pushtues tërë çka ata kërkojnë nga territori dhe pasuria jonë kombëtare. Atëherë përse të të votojmë ty për deputet?
Edhe uji-thotë populli ynë-, po të rrijë në një vend, qelbet! Edhe ju,z.Rama qëndruat shumë gjatë në pushtet; ju hyri vetja në qejf dhe ju duket se nuk ka tjetër njeri më të mirë se ju në këtë vend për atë post! Keni arritur deri atje sa deklaroni me pandershmëri fyese se “unë nuk jam më i miri, por më të mirë se unë nuk ka!” Është shumë e drejtë ajo që thotë kryetari i Partisë së Lirisë se gjendja e tanishme në politikën shqiptare e ka bërë të domosdoshme rotacionin politik. Është fjala që të largohet nga skena një parti e një drejtues shteti që ka bërë kaq shumë zullume dhe e ka kthyer qeverinë një grup njerëzish që vetëm premtojnë, mashtrojnë, përvetësojnë ato që nuk u përkasin, që dëmtojnë rëndë imazhin kombëtar dhe që nuk bëjnë asgjë konkrete për shtetasit votues, për pensionistët, për fëmijët, për të vobektit. Tek e fundit ju dy kryetarët opozitë-pozitë, jeni shitës të vetes, të vendit e të gjithçkaje shqiptare. Ju shisni profka e broçkulla që nuk ua ble kush. Shisni edhe ato që s’kini nga që u ka plasur cipa dhe ndaj votuesit e ndershëm kërkojnë largimin tuaj nga skena politike deri edhe dërgimin në dyert e drejtësisë, po qe se do ketë ndonjëherë të tillë. Nuk e kam fjalën që në krye të vijë personi vandal S.Berisha, sepse koha e tij tashmë është në perëndim. Realiteti ka sjellë në skenë emra të rinj e forca të reja, nga të gjitha partitë politike që janë më të fuqishme dhe më premtuese për të përmirësuar sado pak gjendjen dhe për të mos lejuar asimilimin e shqiptarisë, kombit dhe ardhmërisë së popullit tonë.