ILDKP nis hetimin për pasurinë e Elisa Spiropalit

523
Sigal

Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, përfshihet zyrtarisht në hetimin për pasurinë dhe konfliktin e interesave nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). Një ditë pas publikimit të disa dokumenteve, në bazë të të cilëve dyshohet se familjarë të Spiropalit dhe bashkëshortit të saj, Salarjon Totaj, kanë fituar tenderë në kushtet e konfliktit të interesave, vjen edhe reagimi i parë institucional. Në përgjigje të një kërkese zyrtare të “Boldnews.al”, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive konfirmon se ka nisur hetim administrativ, pasi u njoh me dokumentet e publikuar. “Bazuar në të dhënat dhe njoftimet në media, duke përfshirë këtu edhe publikimin e kryer nga “Boldnews.al” për rastin e përmendur në e-mailin tuaj, Inspektori i Përgjithshëm, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar menjëherë fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private të subjektit Elisa Spiropali”, deklaron Inspektorati. Duke vijuar më tej, ILDKPKI informon se “Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e dyshuar e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshortin e saj, fëmijën, si dhe personat e lidhur”. Inspektori i Përgjithshëm – thuhet në përgjigjen institucionale – ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme. Në përfundim të këtij hetimi, Inspektorati i Lartë do t’ju njoftojë përkatësisht mbi rezultatet e tij.