Hysi: “Ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, kryeprokurores e gjyqtarëve”

444
Sigal

 Referendumi: PS-ja, është dakord, por Berisha duhet të pranojë 4  kushte

 Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi në një deklaratë për mediat deklaroi se PS-ja ka mjaft çështje të tjera të rëndësishme, që presin të diskutohen në kuadër të procesit të integrimi në BE, si reformat në drejtësi, çështja e pronës, të drejtat e njeriut, reforma në administratën publike dhe atë parlamentare. “Pas 10 vjet debatesh dhe kërkesës së Partisë Socialiste për ndryshimet në Kushtetutë dhe heqjen e imunitetit, dy javë para mbylljes së sesionit të Kuvendit dhe dy muaj para publikimit të raport progresit, maxhoranca depozitoi nismën për ndryshimin e Kushtetutës, duke kërkuar heqjen e imunitetit”, tha Hysi. Deputetja Hysi deklaroi më tej se, Kushtetuta lejon mbajtjen e më shumë se një referendumi brenda një dite, prandaj ajo propozon që shqiptarët të pyeten edhe për zgjedhjen e Presidentit, kryeprokurorit e gjykatësve.  “Duke qenë se, Kushtetuta kërkon që, kur ka më shumë se një referendum, të votohet në një ditë, e ftojmë kryeministrin Berisha të shkojmë së bashku me atë kundër importit të plehrave, kufizimin e imunitetit, ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Ky një rast i shkëlqyer për të debatuar para qytetarëve, edhe për ndryshimet e tjera, që Berisha nuk do t’i debatojë. Le të thërrasim popullin dhe të votojë për një president të zgjedhur nga populli, apo për president të emëruar nga partia në pushtet, për një prokuror të përgjithshëm, të zgjedhur me shumicë të cilësuar, apo për një prokuror të partisë në pushtet, për gjykatës të zgjedhur me 3/5 nga Kuvendi, apo të imponuar nga partia në pushtet. Le ta pyesim popullin në referendum”, tha ajo. Deputetja Hysi kujtoi se seanca e 6 gushtit nuk prodhoi asgjë, por theksoi se: “Partia Socialiste ka rënë dakord për heqjen e imunitetit, duke shtuar se Kryeministri hedh idenë për referendum, sikur palët të mos kenë rënë dakord, por harron se për referendum duhet të vendosë Kuvendi me 2/3 e votave”. “Berisha nuk e njeh Kushtetutën dhe e lexon së prapthi. Ndryshimi i Kushtetutës për imunitetin nuk mjafton, duhet reforma në drejtësi, barazi e deputetëve, ministrave, etj, ndaj politika nuk duhet të heshtë, por të veprojë, duke i hapur rrugë reformës në drejtësi. Ndërsa Partia Socialiste kërkon reformë të plotë në drejtësi, PD-ja e kundërshton. I bëjmë thirrje Kryeministrit Berisha të mundësojë debatin publik dhe të fillojmë reformën në drejtësi, për të rrëzuar murin që na ndan nga Europa”, u shpreh Hysi. Deputetja socialiste ritheksoi se: “Partia Socialiste është dakord për referendum, por në ‘të, të shkohet edhe për importin e plehrave, ndryshimet kushtetuese, reformën në drejtësi dhe kufirin detar”. Hysi deklaroi se, në rast se në referendum përfshihen nisma të tilla, Partia Socialiste do u bëj thirrje qytetarëve të votojnë pro. “Le të thërrasim popullin të votojë, është për President nga populli, apo për kryeprokuror të qeverisë dhe jo të shumicës në Kuvend, le ta pyesim popullin”,- tha Hysi.