“Dështimi i statusit të kandidatit, është arsyeja e referendumit Berisha”

602
Sigal

INTERVISTA/ Përfaqësuesi ligjor i PS-së,  Genc Gjoncaj: “Referendumi i Kryeministrit është retorikë politike”

Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj në intervistën për “Telegraf”, jep disa shpjegime, të shumë pyetjeve që lindën  me nismën e Kryeministrit për referendumin e imunitetit. Sipas zotit Gjonçaj, gjithsesi, referendumi i Kryeministrit nuk është nismë politike, por një retorikë politike dhe, duke shkuar më tej këtij mendimi. Zoti Gjonçaj, pohon se arsyeja e referendumit është përpjekja e Berishës që të mundohet të justifikojë dështimin e marrjes të statusit të kandidatit. Sipas përfaqësuesit ligjor të PS-së, vendimi i BE-së për mosdhënien e statusit është marrë që në 2011-n, me manipulimin e zgjedhjeve. Ndryshimet ligjore për reformën e heqje/kufizimit të imunitetit bëhen vetëm  me ndryshimet e Kushtetutës me 3/5  e votave në parlament, ndaj referendumi është një abuzim juridik. Edhe sikur Berisha të pranojë ndryshimet që propozon PS-ja, për rritjen e pavarësisë të Gjyqësorit e Kryeprokurorit, nuk është e nevojshme të bëhet referendumi, por miratimi në parlament me 84 vota.

– Zoti Gjonçaj, nga ana juridike, ju si do ta vlerësonit nismën e Kryeministrit për të organizuar një referendum për heqjen e imunitetit?

– E thënë nga çdo individ, qytetar i thjeshtë apo politikan karriere, fjala referendum është një fjalë, që personalisht, përveç se e pëlqej, ndjej dhe një peshë të madhe, pasi e tillë është ajo. Referendum është shpjegimi i të drejtës më të rëndësishme kushtetuese, asaj që ka të bëjë me pjesëmarrjen e popullit direkt në qeverisje. Në këtë këndvështrim, vlerësoj çdo iniciativë të kujtdo, i cili artikulon në mënyrë të ndershme këtë fjalë. Rasti konkret, që ka të bëjë dhe me pyetjen tuaj, nuk është i tillë, pasi kësaj thirrjeje i mungon ndershmëria, qoftë morale, ashtu dhe argumentimi juridik.  Morale, pasi mbas 20 vitesh probleme me korrupsionin, politika prej kohësh duhet ta kishte realizuar heqjen e imunitetit të saj.  Juridike, pasi vetë Kushtetuta përcakton në nenin 177 të saj mënyrën se si ajo (Kushtetuta) ndryshon “veten saj” dhe se nuk ka asnjë të qasur me atë që është thënë në mbledhjen e fundit të Kuvendit, apo në media këto ditë.

– Ky referendum, a do të ketë pengesa kushtetuese dhe ligjore, që të justifikohet realizimi i tij?

– Kushtetuta parashikon mënyrën e ndryshimit të neneve të saj. Kështu, neni 177 përcakton se nismat  për rishikimin e Kushtetutës, apo siç quhen edhe “projekt amendamentet kushtetuese”, miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Pra, siç duket qartë dhe nga vetë dispozita kushtetuese, kërkohen 2/3 e votave në Kuvend, që maxhoranca nuk i arrin dot, e provuar të paktën siç rezulton nga mbledhja e fundit e Kuvendit të Republikës.  Prandaj, në këtë kuadër, çdo nismë e 1/5 të deputetëve (që është numri kërkuar për të pasur nismë për ndryshimin e Kushtetutës) do të ishte e pamundur për t’u përfunduar dhe do të dështonte. Dhe kjo gjë është ditur tashmë dhe gjithçka thuhet është abuzim për këtë mundësi juridike.

– E thënë, troç,  në qoftë se reforma e heqjes të imunitetit nuk mund të miratohet deri në tetor, a rrezikon Shqipëria marrjen e statusit?

– Unë nuk besoj që mosmarrja e statusit ka lidhje me heqjen e imunitetit. Qofsha i gabuar, por mendoj që edhe këtë vjeshtë Shqipëria do të vazhdojë të jetë vagoni i fundit në trenin e integrimit evropian dhe mendoj që vendimi për këtë është marrë që prej një viti, kur rezultati i votimit përcaktohej nga KQZ-ja dhe qeveria, rezultat  jo sipas dëshirës dhe vullnetit të popullit, por sipas dëshirës dhe vullnetit të maxhorancës qeverisëse. Zgjedhjet e fundit treguan që Shqipëria dhe shqiptarët janë shumë larg standardeve të një vendi aspirant për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, prandaj dhe për këtë situatë është përgjegjëse direkte qeveria dhe maxhoranca, që qeveris vendin. Besoj, se ju dhe lexuesi juaj e keni të freskët akoma maskaradën e zgjedhjeve në kryeqytet dhe të gjitha problemet që pasuan më tej. Prandaj, them se vendimi, për mosdhënien e statusit të kandidatit, është marrë më parë nga vendet e BE-së, se pasi askush nga këto vende me demokraci të konsoliduar, ku vota lexohet dhe numërohet siç edhe hidhet në kuti, ku prona private gëzohet e lirë dhe pa problem, ku qytetarët dalin dhe protestojnë në të gjitha format kundër qeverive, nuk mund të lejojë që realiteti i zymtë shqiptar t’i bashkëngjitet dhe kjo fatkeqësisht ndodh në këtë 100-vjetor të pavarësisë tonë.

– Derisa Kryeministri nuk dëshiron që të pranojë (të paktën deri tani) ndryshimet në Kushtetutë, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, të Lartë e Kryeprokurorit, përmbajtja që mund të ketë referendumi i maxhorancës, a mund të  justifikohet si nismë politike?

– Është më pak se nismë politike, të paktën deri tani, është retorike politike, gjë që për sytë e opinionit publik është mëse e qartë se çfarë ka për qëllim. Më lejoni t’ju kujtoj, se në çdo rast të dështimeve spektakolare të qeverisë, është tentuar shkëputja e vëmendjes nga fakti apo hedhja e fajit mbi opozitën. Kështu, është ky rast. Dështimi për statusin e kandidatit në BE, korrupsioni galopant, situatë alarmante ekonomike dhe veçanërisht ajo e kriminalitetit, që po përgjak përditë rrugët dhe familjet e këtij vendi, janë arsye reale, të cilat duhet të mos marrin vëmendjen e opinionit publik. Kjo është dhe arsyeja reale e hedhjes së tezës së referendumit për imunitetet.

– A mund të kemi reformë të heqjes të imunitetit, pa ndryshime në kushtetutë që synojnë forcimin e pavarësisë të organeve të drejtësisë, gjyqësorit e Akuzës?

– Jo. Imuniteti nuk është një e drejtë e lidhur me personin, por një detyrim i lidhur me funksionin dhe për këtë shkak heqja e tij bëhet vetëm nëpërmjet ndryshimit në Kushtetutë.

– E parë në kohën deri në tetor, afat që përcakton edhe shqyrtimin e realizimeve të 12 prioriteteve, ky referendum që do Kryeministri, a është i mundur të organizohet?

Jo është i pamundur të zhvillohet pasi nuk ekziston as dëshira e as mundësia për t’u zhvilluar.

– A ndikon zhvillimi i këtij referendumi, që kërkon tani Kryeministri, në vendimin që pritet të merret për referendumin për ndalimin e plehrave?

– KQZ e ka marrë një vendim për referendumin lidhur me importin e plehrave dhe për këtë jam shprehur dhe për lexuesit e gazetës tuaj. Por, nëse pyetja do të ishte, nëse kjo çështje (referendum i imunitetit) do të zhvendosej në KQZ, më duhet të tregoj, që sinqerisht ndonjëherë më vjen keq, që institucionet e pavarura vendosen para gjërave të paravendosura, duke e bërë sjelljen e tyre qesharake dhe nëse do të ecet në rrugën e referendumit do të shikoni se çfarë pozicioni qesharak do të marrë KQZ- ja. Do ta shohim.

– Qëndrimi i mundshëm i PS-së, për referendumin

– Nëse bihet dakord nëpërmjet një procesi bashkëpunim pozitë – opozitë nuk është e nevojshme të shkohet në referendum dhe çështja zgjidhet brenda Kuvendit, por unë nuk besoj se PD-ja do të pranojë propozimet konstruktive të opozitës, veçanërisht pas procesit të zgjedhjes së Presidentit. Më lejoni t’ju kujtoj se kontribuuese direkte e kësaj krize shërbeu zgjedhja e njëanshme e Presidentit të Republikës, i cili tregoi edhe me veprimet e fundit në KLD, që do të jetë vetëm një president i Partisë Demokratike se dhe jo i shqiptarëve.

 – Ju faleminderit!