Hyqmet Zane: Kosovarofobia dhe Çamofobia, si atavizma serbo – greke me mirëkuptimin europian

166

Këshillat që i duhen politikës dhe zyrtarëve të ministrisë së Jashtme

Sigal

 

Ngjarjet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në rajonin e Ballkanit në shekullin e njëzet dhe në këto 32 vite, sidomos në këtë vitin e fundit 2022 – 2023 kanë krijuar një situatë të rëndë veçanërisht për shqitparët, që po përballen me tendenca flagrante të antishqiptarizmit nga serbët dhe grekët. E trishtë dhe e dhimbshme që kjo ndjesi fobie në tërësi është për shqiptarët, por eskluzivisht është ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe atyrë të Çamërisë.

Si dy nga krahinat më në zë të kombit shqiptar që u lanë jashtë kufijve të Shqipërisë etnike nga Konferenca e Ambasadorëve 110 vite më parë, janë këto realitete, që bëjnë dukshëm filozofinë e kësaj fobie ndaj kosovarëve dhe çamëve. Ajo Konferencë e Londrës u bë investimi më i madh antishqiptar dhe favorizues për Serbinë (më pas Jugosllavinë) dhe Greqinë pa asnjë ndjesë dhe pa asnjë shpagim, por vetëm si lënie në derën e shqiptarëve të së keqes që vazhdon për një shekull e më shumë.

Këtij realiteti i shtohet edhe sjellja mafioze e qeverisjes Rama që ka shkaktuar një ndjesi me njolla të errta në “biografinë” e shqiptarëve në botë. Këtë e shohim dhe e dëgjojmë dhe pakuptimërisht shkojmë dhe votojmë një njeri që jo vetëm nuk ka din, fe dhe iman, por është shndërruar në një mashtrues ordiner dhe në një person që po i sjell shqetësime Europës po dhe po, por edhe Amerikës dhe më tej, se shqiptarëve u është bërë një kular në qafë.

Nga ana tjetër, qëndrimet e kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj Kosovës me lidhjet ‘vëllazërore’ të tij me Aleksandër Vuçiç, ka shtuar edhe më shumë dozat e keqpërdorimit të emrit shqitpar me nota fobie, a thua se paskemi qenë të padëshirueshëm edhe për Zotin që na ka krijuar? Nëse përballjet e Kosovës me Serbinë flasin për një manifestim se ku buron kosovarofobia e tyre, që e ka ndihmuar këtë ndjesi e ashtuquajtura “Ballkani i Hapur”. Por nëse për këto fenomene në Kosovë janë trajtuar nga shumë analistë dhe vetë qeveria e Kosovës me kryeministër, president dhe ministër të Jashtëm, për çamofobinë e grekëve, që është spikatur dukshëm, ka një lloj qetësie dhe ajo manifestohet kur vjen ndonjë zyrtar i lartë nga Athina.

Ky fokusim ka të bëjë edhe me faktin se fobizmi grek ndaj çamëve ka bërë që ata që drejtojnë shoqatën Çamëria dhe ata që flkasin padrejtësisht në emër të çamëve të heshtin, a thua se kanë të drejtë grekët!

Flasim e shkruajmë për çështjen çame dhe asnjëherë nuk jemi dëgjuar dhe takuar nga një ministër i Jashtëm i Shqipërisë në këto 32 vjet tranzicion demokratik. Nuk e kam fjalën për parimin “më pe, të pashë dhe suksese në jetë”. E kam fjalën që asnjë ministër i Jashtëm nuk ka bërë një herë të vetme një takim me Shoqatën Çamëria. E bëri këtë një herë ambasadori amerikan Arvizu, por jo tek selia e Shoqatës Çamëria se nuk ekziston një e tillë, por gabimisht në një seli që e ka zënë “sëmundja” e mbylljes së gojës.

Sa e sa herë kanë ardhur në Shqipëri ministra të Jashtëm grekë dhe kanë shkuar në Greqi homologët nga Shqipëria,asnjëherë nuk kanë denjuar të bëjnë një takim me përfaqësues të zgjedhur të shqiptarëve trashëgimtarë nga Çamëria apo edhe me historianë të spikatur që trajtojnë problemin çam. Dashakeqësi me nuanca të theksuara çamofobie, që nuk i merret vesh burimi, që flasin për diplomaci në boshllëk që siç vijnë edhe ikin dhe që ikin siç vijnë pa asnjë mesazh, a thua se shkojnë privatisht dhe kthehen në Shqipëri për llogari të tyre, në një kohë që e kanë detyrim shtetëror t’i thonë gjërat troç dhe t’i bëjnë transparente, sepse paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

A thua se do pësonte ndonjë të keqe, kur e keqja ka qenë shoqëruese e tyre nga mosdija e problemit dhe stepja para palës greke deri edhe në ultimatume, që ‘po hapët çështjen çame, bisedimet tona hidhen në erë”- që një ministër grek i ka thënë homologut të tij shqiptar sapo ka vënë këmbën në aeroport. Hapur kjo është një çamo-fobi e zyrtarëve shqiptar, që sillen sipas porosive të dikurshme të diktatorit stalinist Enver Hoxha, që kur çamët po futeshin në kufirin e Shqipërisë, kishte dhënë urdhër që të mbahen nën vëzhgim se janë nacionalist ???!!!

Është një gamë e tërë problemesh që meritojnë vëmendje dhe që kanë nevojë për konsulencë dhe trajtesa të specializuara në lidhje me problemin çam, që do ta “armatoste” çdo ministër të Jashtëm për të pasur dinjitet në takimet bilaterale shqiptaro-greke. Përkundër kësaj siç kanë shkuar, kanë ardhur dhe ku ishe? – Asgjëkundi ! Çfarë bëre? – Asgjë.

Kështu ndodh në të gjitha momentet e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, a thua se bëhen takime private dhe jo në emër të shtetit! Herezia apo çamofobia, që manifestohet në rrethet diplomatike shqiptare në këto 32 vjet është dëmi më i madh që i është bërë çështjes çame, duke kontribuar në favor të palës greke, që gjithnjë flet me të njëjtat teza dhe ka të njëjtat dosje që i përdor si letra bixhozi, si ‘as’ nën mëngë dhe pala shqiptare e diplomacisë ose nuk ka ditur të flasë, ose ka qenë shumë e painformuar, ose ka pasur nuanca “shitjeje” para grekëve, që gjithnjë dinë të bëjnë “dhurata” me nga një Kalë Troje në brendësi.

Çamëria ka pasur veteranët e saj pjesëmarrës në Luftën Antifashiste, ka pasur burrat e saj që iu internuan në kampet e shfarosjes në Itali e Gjermani, ka pasur dëshmorët dhe heronjtë, si edhe ata që janë sot “Nderi i Kombit” dhe ansjëherë Komiteti i Veteranëve të Luftës Antifashiste nuk ka bërë asnjë deklaratë apo t’u japë përgjigje manipulimeve greke në lidhje me popullatën çame, pale më të takohen ndonjëherë me Shoqatën Çamëria si shprehje mirëkuptimi për të vërtetat historike.

I vetmi që ka vlerësuar këtë kontribut në Luftën II Botërore ka qenë Presidenti Bujar Nishani në detyrë. Më 8 maj 2016 bëri një takim me familjet e atyre që kanë qenë luftëtarë të lirisë kundër nazifashizmit dhe atyre që u internuan. Ishte një çertifikim i Presidentit me vulë shtetërore për çështjen çame dhe kaq. Neglizhencat e bëra me ose pa qëllim, kanë lënë gjurmë jo të mira për të mos thënë i kanë ardhur sipas midesë palës greke.

Nuk mund të paragjykoj asnjë takim, por dua të them se paragjykimi mbetet sa herë nuk ka mirëkuptime për dosjen çame që ka brenda edhe një Rezolutë të pluhurosur dhe pse të vërtetë dhe me kërkesa  reale. As edhe nuk mund të flas për njohuritë personale të një ministri të jashtëm, por kur gjërat i lexon të shkruara si e zeza mbi të bardhë, çdo gjë tjetër merr kuptim dhe është një ecuri në formë spiraleje për të menduar për zgjidhjen e këtij problemi që e ka emrin “çështje mbarëkombëtare”.

Për fatin e keq, e gjithë kjo sinoptikë ngjarjesh në marrëdhëniet shqiptaro-greke, ka qenë në sinkron edhe me vetë marrëdhëniet brënda vetë çamëve, ku ka munguar pjesa konsultative, e të marrurit mendim apo e diskutimeve në mënyrë që përfaqësimi i vetë çamëve të çertifikohet brënda vetes së tij. E thënë më troç, llogaritë me Zotin dhe me ndërgjegjen tonë për kauzën çame nuk kanë qenë të sinqerta ose nuk janë kryer në përputhje me kërkesat që tashmë janë të njohura. Vetëm mediatikisht dimë se çfarë foli Micotaqis me Aleksandër Meksin, vetëm mediatikisht dimë që ka një traktat miqësie shqiptaro-grek, po ashtu siç dimë se ka një Rezolutë çame. Por asnjëherë nuk u hartua një program strategjik i qartë me taktika të sanksionuara, jo thjesht për trajtimin, por për të qenë një dosje shoqëruese për ministra të jashtëm shqiptarë dhe kryeministrat e këtij vendi. Patetizmi apo fjalët patriotike të thëna aty këtu apo si përgjigje pyetjesh gazetareske, janë tollumbace për shërbime politese.

Nëse do të kthejmë kokën pas që në fillimet e shekullit XX, që nga Rasip Dino apo Filip Noga, Mehmet Konica apo Mit’hat Frashëri, ne marrim mesazhe të një përfaqësimi dinjitoz, diplomatik edhe pse në kushte aspak të favorshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike të kohës, që i dhanë Konferencës së Londrës një mesazh të madh se shqiptarët ekzistojnë duan apo nuk duan Fuqitë e mëdha në bashkëpunim me serbët dhe grekët.

Kurse sot hartimi i një teksti programatik dhe i detajuar me ekspertë, që e njohin problemin çam, do të ishte një favor dhe një këshilltar i mirë për çdo ministër të jashtëm kur nis rrugën për në Greqi, nëse vërtet do të përfaqësojë edhe atë pjesë të popullatës shqiptare, që vazhdon të vuajë një tragjedi. Mungesa e interpelancave parlamentare në lidhje me çështjen çame, nuk janë thjesht një rastësi, por një vetçensurë që i bëhet politikës dhe diplomacisë. Ndoshta leksionet apo këshillat kanë nevojë të dëgjohen nga ata që kanë veshë dhe duan të dëgjojnë, se, përkundër kësaj ato mbeten si dëshira për informalitet diplomatik, që janë shumë të dëmshme në kushtet e një vendi që meriton të ketë një orientim të saktë dhe të zgjuar në çështjet kombëtare.

Kur flet e thotë kryeministri ky “lider botëror” qesharak në një intervistë në Angli se “duhet ta mbajmë afër dhe ta marrim me të mirë Serbinë”, m’u kujtuan sjelljet servile dhe idioteske të sjelljeve të Enver Hoxhës ndaj emisarëve serbë të atashuar në PKSH. Edhe heshtja e kryeministrit për problemet, që lidhen me problemin çam i thotë Athinës Zyrtare që kërko ç’të duash se ne do heshtim!