Një triumf tjetër amerikan në hapësirë

709
Sigal

Ndërsa e gjithë bota ishte e përqendruar këtë javë në Lojërat Olimpike në Londër, Enti Amerikan i Hapësirës së Lartë, NASA njoftoi të dielën, se pas tetë vjet përgatitjesh dhe pas tetë muaj udhëtimi, mjeti eksplorues amerikan, i quajtur Curiosity (Kurozitet), është ulur me sukses në sipërfaqen e planetit Mars duke i dhënë kështu fund një udhëtimi prej 36 javësh,  për të filluar tani eksplorime dhe hetime në planetin e kuq e të cilat do të zgjasin dy vjet ose më shumë.

Duke njoftuar uljen e sondës me energji bërthamore “Curiosity” në Mars, Administratori i agjencisë NASA, z. Çarls Bolden tha se, ky ”mjet është më i sofistikuari që është ndërtuar ndonjë herë dhe se misioni i tij është që të përpiqet t’i përgjigjet pyetjes që është aq e vjetër sa edhe historia e njerëzimit,  d.m.th nëse në Mars ka ekzistuar ndonjëherë jeta si e njohim ne, ose nëse ai planet mund të bëjë të mundshme jetën atje”.  Ai shtoi se ky është një triumf dhe arritje e mrekullueshme, falë punës së një grupi inxhinierësh dhe shkencëtarësh nga e gjithë bota, të udhëhequr nga burrat dhe gratë e agjencisë NASA. ”  Në njoftimin e NASA-s për media, thuhet se, Administratori i NASA-s i dha kredinë për këtë sukses Presidentit Obama, duke thënë se: ”Presidenti Obama ka përcaktuar një vizion të qartë për të dërguar njerëzit e parë në planetin Mars aty nga gjysma e 2030-ave dhe se ulja këtë javë e sondës bërthamore, Curiosity në planetin e kuq, është hapi i parë i rëndësishëm drejtë arritjes së këtij objektivi.”

Kjo ndërmarrje konsiderohet si një arritje e pashoqe në programin hapësinor pasi ekspertët e NASA-s thanë se kjo ishte ulja më e vështirë që është ndërmarrë ndonjëherë, duke i cilësuar shtatë minutat e uljes, si “shtatë minuta terrori”.   Ulja e mjetit hapësinor amerikan “Curiosity”, e  madhësisë së një veture dhe i pajisur me 17 kamera, nevojiti përdorimin e një parashute, ndezjen e motorëve dhe një vinç për të bërë që mjetit  hapësinor t’i ngadalësohej shpejtësia prej 22-mijë kilometrash në orë.   Misioni i sondës “Curiosity”, sipas zëdhënësve të NASA-s është që të eksplorojë gjurmët e mikrobeve në atë planet nga ku, gjatë dy vjetëve të ardhshëm, do të marrë dhe do të dërgojë fotografi dhe imazhe nga planeti Mars.   Në të vërtetë, menjëherë pas uljes, sonda “Curiosity” dërgoi fotografitë e para në Tokë, sikur të donte të justifikonte shpenzimet e mëdha prej dy miliardë e gjysmë dollarësh, një shpenzim ky që e bën këtë ndërmarrje hapësinore, misionin më të shtrenjtë të eksplorimeve të NASA-s në planetin Mars, i cili gjendet 154 milionë milje larg nga Toka.

Ulja në Mars e këtij mjeti ishte një hap i madh për të ardhmen e agjencisë NASA, pasi ajo është goditur rëndë nga shkurtimet në buxhetin e saj dhe madje, programi i saj kryesor gjatë 30-vjetëve të kaluar ”Shuttle” i anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë është anuluar nga administrata e Presidentit Obama.   Por megjithëkëtë, me këtë rast, Presidenti Obama lëshoi një deklaratë  duke e cilësuar uljen e sondës “Curiosity” në planetin Mars të dielën si një ”arritje e pashembullt e teknologjisë, e cila do të shërbejë si një pikë referimi e krenarisë kombëtare në të ardhmen.”

Astronauti Buss Aldrin, së bashku me astronautin Neil Armstrong ishin njerëzit e parë që u ulën në Hënë verën e vitin 1969, dhe të cilët e njoftuan botën me radio se: ”Shqipja ishte ulur”, (The Eagle has landed).   Ai ka thënë për rrjetin televiziv CNN se prej asaj kohe kanë kaluar dyzet vjet dhe se ka ardhur koha për një mision hapësinor për të kolonizuar Marsin.  Ai ka shtuar se, Shtetet e Bashkuara kanë shënuar suksese të mëdha në hapësirë gjatë dekadave të kaluara, por ajo që Amerika nuk ka bërë është të frymëzojë, jo vetëm botën, por edhe vetveten, me një vizion të guximshëm për të ardhmen tonë në hapësirë.   ”Unë besoj ”,- shtoi ai” se,- ”destinacioni duhet të jetë planeti Mars, vendosja e një kolonie njerëzish në një botë tjetër….së pari në njërën prej hënave të tij dhe më vonë në sipërfaqen e Marsit.”   Astronauti amerikan Buzz Aldrin i ka thënë CNN-it se eksplorimi i Marsit, ndër të tjera, mund të na mësojë mbi të kaluarën dhe të ardhmen e botës sonë.  “E ardhmja e Amerikës në hapësirë sapo ka filluar. Ka ardhur koha që të vazhdojmë udhëtimin”, ka thënë ai për CNN.

Megjithëse, në këtë periudhë të vështirë problemesh ekonomike dhe financiare me të cilat po përballet Amerika dhe Bota, shumë veta në Administratën e Presidentit  Obama, në Kongres dhe gjetiu bëjnë pyetje nëse këto fonde, për programin e eksplorimit të planetit Mars, mund të përdoreshin për diçka tjetër, si për shembull për nevojat e njerëzve këtu në tokë.  Shqetësimeve të tilla besoj se iu përgjigj më së miri një editorial i ditëve të fundit në gazetën kombëtare amerikane USA Today, në të cilin thuhet: “Një prej përfitimeve kryesore të projekteve të tilla si ky është promovimi i besimit të Amerikës në vet-veten.   Gjatë gjithë historisë, shtetet që eksplorojnë dhe që angazhohen në shkencë, kanë udhëhequr botën.   Duke filluar nga shekulli i 15-të, për shembull, vendet evropiane dërguan eksplorues anë e mbanë botës duke frymëzuar dhe duke nxitur mendimtarët e mëdhenj të asaj kohe si Koperniku, Galileo dhe Njuton për të shpikur fizikën dhe astronominë moderne.   Nuk është e rastit, pra, që Evropa dominoi botën deri në fillim të shekullit të 20-të”, thuhet në ediorialin e gazetës kombëtare amerikane.

Editoriali i gazetës USA Today përfundon duke thënë se, ”ata që dëshirojnë të presin buxhetin e programeve hapësinore nuk kanë mësuar nga historia dhe nuk i shohin mundësitë e mëdha që sjellë e ardhmja — mundësi këto që pasqyrohen në çdo imazh e fotografi që po dërgon në Tokë mjeti hapësinor “Curiosity” nga planeti Mars.”

Në këtë periudhë pasigurie të historisë, të konflikteve të brendshme politike, krizash ekonomike dhe luftërash që kanë pllakosur botën, arritjet historike të shteteve siç është ulja e sondës “Curiosity” në sipërfaqen e planetit Mars dhe sukseset individuale të atletëve nga të gjitha anët e botës në Lojërat Olimpike në Londër – na ripërtëritin besimin në aftësitë dhe vullnetin e pashtershëm të individit dhe të shteteve për të ndërmarrë veprime për të mirën e njerëzimit dhe të cilat, në të njëjtën kohë ritheksojnë, edhe  frymën e garës paqësore dhe miqësore, qoftë në hapësirë, qoftë në garat olimpike.