Hyqmet Zane: “Kampioni i antikorrupsionit” dhe realiteti shqiptar

325
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Jeta na ka mësuar për të njohur të vërtetën nga e gënjeshtra në shumë aspekte të jetës publike dhe atë qeverisëse në vendin tonë. Mirë apo keq kemi ditur t’i shohim në sy realitetet që ndodhin para syve tanë, edhe pse jo shpesh kemi kundërshtuar të pavërtetat. Po ashtu siç na ka rastisur për të biseduar  me gjyqtarë me të cilët bisedojmë për reealitetet e ndryshme të reformës në drejtësi dhe për çka po ndodh në këtë Shqipërinë tonë. Dhe gjithnjë biseda vete tek fenomeni “Dvorani” që u vlerësua si “kampion i antikorrupsionit” siç e shpalli edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe që një shqiptar mori një vlerësim me emër nga shteti që shqiptarët dhe unë personalisht e kemi për zemër.

Por, kur merret vesh se njeriu që u vlerësua si “kampion i antikorrupsionit” ishte emri i Ardian Dvoranit, këtu të gjithë në Shqipëri u habitën dhe kërkuan të sjellin në kujtesë se cila është ajo gjë që na paska bërë ky njeri që e çoi DASH tek ky vlerësim, pikërisht  tek ky njeri. Jo se e njohim këtë gjyqtar se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë, por se gjatë kësaj kohe pas 1991 nuk kemi dëgjuar ndonjë gjyqtar të bëhet tip i spikatur në sjelljet e gjykimeve të drejta në luftën kundër korrupsionit. Më mirë akoma këtë fakt e dinë vetë kolegët e Dvoranit, që e kanë cilësuar këtë vlerësim si “rrufe në qiell të pastër”, sepse nuk ishte as njeriu i duhur, as për ndonjë gjykim të duhur, aq më tepër që në këto vitet e fundit ka manifestuar sjellje që morën emërtim të pastër abuzim në punët e reformës në drejtësi.

Të gjithë e dinë se ky njeri pati një “përplasje” me Presidentin e Republikës Ilir Meta për shkak të sjelljes së tij me emërimet dhe shkeljen e qëllimshme të afateve. Domethënë një lloj korrupsioni që e kapi vetë Presidenti dhe që e cilësoi korrupsion, duke e larguar këtë njeri nga ai pozicion i emërimeve. Pikërisht këtu më duket se qëndron edhe meseleja e një lobingu të fuqishëm nga ana e të interesuarve që Dvorani të mos hiqej apo të cilësohej si i tillë që u vlerësua “kampion i antikorrupsioni” për të lënë mesazhin e një kundërvënie ndaj Presidentit të Republikës. Nuk kam se si të bëj avokatin e një Presidenti, që veproi mirë apo keq në rastin ndaj Dvoranit, por kam të drejtën morale të kuptoj e të shqetësohem se si një lobing pro qeveritar deri në SHBA na paska ndërhyrë që të krijojë një situatë të papranueshme aq ëa tepër në një situatë pragzgjedhore.

Në Shqipëri po ndodhin çudira pas çudirash dhe po na bëhen karshillëqe të tilla që dora vetë kryeministri i promovon si risi, edhe pse janë idiotësi. Nuk ka dyshim se reforma në drejtësi po cilësohet si fitore e Edi Ramës për kapjen e drejtësisë deri në vonimin e krijimit të gjykatës kushtetuese për rreth 3 vjet me rradhë. Para këtij realiteti a ka dijeni dhe a i dëgjon këmbanat Ambasada Amerikane në Tiranë dhe si është e mundur që nga kjo ambasadë nga njeri ambasador tek tjetri janë thënë që nga drejtësia do kapen peshqit e mëdhenj dhe nuk janë kapur ende peshqit e vegjël? Janë thënë që do ndikohet në dekriminalizimin e Parlamentit dhe kryeministri po e sajon mirë e bukur me njerëzit e afërt të figurave që kanë emërtimin e krimit si damkë?

Të parët që u shqetësuan nga sjellja e DASH ishin të përndjekurit politikë që e cilësuan këtë si një rikthim tek gjyqtarët e sistemit të diktaturës apo si prodhim i diktaturës, se: Ardian Dvorani gjithë kohën ka pasur qëndrime të majta dhe në mbështetje të lidershipit të majtë me marifetet e tij ligjore, por asnjëherë nuk është parë në luftën kundër korrupsionit apo krimit.

Nëse Shqipëria ka dalë si “kampion i korrupsionit” nga vetë institucionet e rëndësishme amerikane si është  e mundur që nuk ka dalë asnjë prokuror dhe asnjë gjyqtar që të gjykojë apo dënojë këtë qeverisje kampion korrupsioni, aq më tepër Dvoran,i që nuk është ndjerë asnjëherë dhe për këtë të gjithë habiten se si ndodhi një gjë e tillë. Me këtë rast është për të thënë edhe mendimin se padrejtësia ka hyrë aq keq në vendin e shqiptarëve sa nga mosdurimi i kësaj situate po ikin rinia, po lakohen emrat e korrupsionistëve të mëdhenj të drogës dhe krimit deri tek pushtetarët dhe një herë të vetme nuk ka dalë ndonjë prokuror apo gjyqtar që të bëjë namin , sepse i pari që del në mbrojtje të tyre është kryeministri dhe kush guxon të dalë kundër mendimit të kryeministrit?

“Shqipëria e ardhmja jonë” është sllogani i rilindjes, që kërkon një mandat të tretë që ta bëjë Shqipërinë si një vend që ka të ardhmen e disa rilindasve të korruptuar dhe të kriminalizuar. Ky vend ka 8 vjet që nuk po i shikon hajrin të ashtuquajturës “rilindje” dhe me timon vetëm të arkitektit të sharjeve dhe fyerjeve, të barcaletave dhe ligësisë dhe jo më t’i lesh në dorë edhe një të “ardhme” tjetër për groposjen e këtij vendi. Nëse ka një vend që ne shqiptarët dhe Shqipërinë ka 100 vjet që e ka ruajtur nga coptimi dhe nga luftrat për ndarje territoresh të mëtejshme, kjo është Amerika dhe burrat Presidentë të atij vendi që na deshën dhe na duan. Por sot pas 100 vjetësh nuk po kuptojmë se çfarë po ndodh. Cila dorë dhe cila mendje lobon sjellje e praktika që lenë për të dëshiruar dhe që më së shumti lënë shijen e një padrejtësie se sa gjykim të drejtë ka pasur në këto kohët e fundit. Kemi vite që habitemi me ca veprime të ambasadorëve amerikanë sa edhe vetë Frank Shkreli i “Zërit të Amerikës” për Euro-Azinë e tha me shkrim dhe me gojë se të cilësosh e të shpallësh Dvoranin “kampion të antikorrupsionit” është një padrejtësi që meriton të përbuzet dhe të protestohet. Këtë e kanë shprehur me dhjetra e qidnra njerëz që në protalet mediatike nuk kanë lënë fjkalë pa thënë e gërmë pa shkruar.

Nëse ka ndonjë gjë për t’i thënë Presidentit të Republikës se je kështu dhe je ashtu, siç do Edi Rama, pse ai po mban qëndrime kundër një kryeministri dhe kundër një njeriu që po e zhyt vendin në një llum të madh, ka shumë e shumë forma për ta bërë. Por për hir të inatit të Edi Ramës, që shkel çdo të drejtë edhe institucionale për të zhbërë Presidentin apo për të fyer Presidentin, kjo është e papranueshme edhe për vetë Ambasadën Amerikane. Para një viti u shqetësua pse doli një flamur amerikan në atë protestë gjigande, që thirri presidenti dhe nuk ka thënë një fjalë se si po shkojnë punët e drejtësisë të kapur dhe Dvorani që heshtin para krimit dhe korrupsionit, kjo sinqerisht të shqetëson dhe të vë në një pikëpyetje se a po vepron drejt Ambasada dhe më tej akoma kush ia ka rekomanduar DASH një sjellje të tillë?

Me mënyrën se si është vepruar me një korrupsion galopant sa ka rënë në sy të institucioneve vlerësuese me emër në Europë dhe në Amerikë, nuk mund të ketë Dvoran apo SPAK e të tjera të ashtuquajtura institucione drejtësie që të shkulë këtë të keqe që nga korrupsion është kthyer në kriminalizim.

Ndoshta duhet të jetë në vëmendje edhe të vetë Ambasadës Amerikane si dhe gjithë shqiptarëve që e duan Amerikën se çfarë ka thënë Franklin D. Roosevelt kur është shprehur se: “Në demokraci liria rrezikohet nëse populli toleron rritjen e pushtetit personal deri në pikën kur ai bëhet më i fortë se vetë shteti demokratik. Në thelb ky është fashizëm kapja e qeverisjes nga një individ, nga një grup, a çfarëdo kontrolli nga pushteti privat”. Është e qartë se njerëz të tillë janë kampionë të suksesit në Amerikë dhe meritojnë vërtet, por nuk ka se si nga ky vend të vijë një vlerësim “kampion i antikorrupsionit” për një njeri që jeton e punon në qendër të korrupsionit dhe që nuk mund të dalë dot as në breg.