Hollanda kusht Shqipërisë: Hetoni krimet zgjedhore

208
Sigal

Qeveria hollandeze informon parlamentin e saj në lidhje me kushte e integrimit të Shqipërisë duke theksuar se zgjedhjet e 25 prillit jo vetëm që nuk plotësuan kriteret por përkundrazi situata është tejet shqetësuese në lidhje me shitblerjen masive të votës dhe skandalin e patronazhistëve nga e cila nuk kanë shpëtuar as diplomatët në ambasadat e vendeve të BE. Ambasadorja Altes: Situata kriminale në Shqipëri është alarmante

Shqipërisë i është refuzuar 3 herë rresht hapja e negociatave, për shkak se nuk ka plotësuar kushtet e integrimit. Madje, çdo vit, Bashkimi Evropian i ka shtuar kushtet ndaj Shqipërisë. Në 2018-ën kishte vetëm 5 kushte, ndërsa në 2020-ën, BE-ja i shtoi në 15, kushtet ndaj Shqipërisë. Hollanda ka qenë ndër shtetet, që çdo herë ka vendosur veto, sepse ka gjykuar që Shqipëria nuk ka luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, nuk ka zgjedhje të lira, etj.

Qeveria hollandeze informon parlamentin e saj: Ja krimet zgjedhore në Shqipëri

Qeveria hollandeze i ka dërguar një letër parlamentit të këtij vendi, me një analizë sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë. Temat e ngritura si shqetësim i madh në lidhje me çështjen e Shqipërisë, kanë të bëjnë me përdorimin skandaloz dhe të paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve shqiptarë nga Partia Socialiste në pushtet. Këtu përfshihen edhe të dhënat e shqiptarëve, që punojnë në stafin e ambasadave të BE-së, të cilëve u është vendosur nga një patronazhist për t’u mbikëqyrur vijën politike. Një tjetër pikë e rëndësishme e cituar në letrën, që qeveria i ka dërguar parlamentit hollandez është dhe ajo që lidhet me krimin elektoral që ka ndodhur më 25 prill. Qeveria hollandeze, duket se ka cilësuar si problematik procesin zgjedhor, duke cituar raportin paraprak të ODIHR për parregullsitë dhe blerjen e votës. Sipas letrës, vërehet se ODIHR ka shprehur “shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore ose funksioneve nga qeveria dhe personave të tjerë publik”. Letra përmban qartësisht togfjalëshin “blerje votash”, i cili raportohet të jetë shkruar në raportin paraprak të ODIHR dhe i kërkon gjithashtu KQZ-së dhe instancave të tjera që të trajtojnë këto çështje jetike për demokracinë. Sikundër argumenton se, opozita ka çuar në SPAK, 33 raste të tilla abuzimesh dhe blerje votash, për të cilat duhet të ketë një përgjigje dhe hetim nga ana e SPAK. “Qeveria hollandeze e konsideron të rëndësishme që rastet e manipulimit zgjedhor, të hetohen me kujdes nga SPAK. Përveç kësaj, ekzistenca dhe rrjedhja e një baze të dhënash me informacione personale të ndjeshme, që shkaktuan shumë bujë pak para zgjedhjeve, duhet të hetohen gjithashtu. Raporti përfundimtar i ODIHR nuk është publikuar ende. 33 padi janë bërë tashmë pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Reformat për sundimin e ligjit janë ende larg kompletimit dhe për këtë arsye do të jenë thelbësore për procesin e gjatë pas hapjes së negociatave të pranimit, me Shqipërinë,” – thuhet në dokumentin e qeverisë hollandeze që i dërgon parlamentit hollandez.

Ambasadorja Guusje Korthals Altes: Po studiojmë raportin e Komisionit Evropian

Ambasadorja e Hollandës, Guusje Korthals Altes, e pranishme në Shkodër në një ekspozitë kundër trafikimit të qenieve njerëzore, deklaroi se Hollanda është duke studiuar raportin që ka dërguar Komisioni Evropian për progresin e Shqipërisë, sa i përket anëtarësimit në BE dhe më pas mund të ketë një përgjigje. Ambasadorja Altes: “Në këtë moment, Hollanda është duke studiuar raportin që ka dërguar Komisioni Evropian për progresin e Shqipërisë”, u shpreh Guusje Korthals Altes. Diplomatja hollandeze foli edhe për problemin e trafikimit të qenieve njerëzore, duke thënë se, institucionet ligjzbatuese në Shqipëri, duhet të bashkëpunojnë më shumë në mënyrë që të marrë fund fenomeni i pandëshkueshmërisë për trafikantët. “Trafikimi është një problem që ndodh në të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe Hollandën, dhe hapi i parë për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore, është që të flasim për të. Zakonisht është një çështje shumë e ndjeshme dhe e vështirë për të folur për të dhe në këtë mënyrë kemi filluar të bashkëpunojmë me qendrën ‘Tirana Art’, për të filluar dhe për të përdorur artin si një mënyrë për të nisur diskutimin rreth çështjeve të trafikimit.  Edhe pse kemi përdorur artin, sërish është e vështirë për të dalë dhe për të folur në mënyrë të hapur dhe pa ndroje për këtë çështje. Unë shpresoj që ne do të vazhdojmë që të gjejmë mënyra për të folur dhe për të mbajtur të hapur diskutimin për çështjet e trafikimit dhe për të mbajtur të kapur sinjale, sepse është shumë e rëndësishme që për gratë dhe vajzat e trafikuara ato të dëgjohen, ato të pranohen dhe mbi të gjitha të mos fajësohen për atë çfarë ju ka ndodhur. Të gjithë hallkat e organeve ligjzbatuese në Shqipëri të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që pandëshkueshmëria të mos jetë një realitet, po të gjithë ata që janë pjesë e trafikimit të marrin dënimin që meritojnë, sepse është detyra e të gjithëve ne bashkë me institucionet, që t’i japim një dorë për ta ndaluar fenomenin e trafikimit. Ne kemi hapur diskutimin dhe do e vijojmë deri sa ta ndalojmë. Për rastet mes organeve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Hollandës ka një bashkëpunim dhe ka patur çështje që janë adresuar si këtu, në Hollandë apo vende të tjera.”

somario

1

Qeveria hollandeze e konsideron të rëndësishme që rastet e manipulimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK

2

Reformat për sundimin e ligjit janë ende larg kompletimit dhe për këtë arsye do të jenë thelbësore për procesin e gjatë pas hapjes së negociatave të pranimit, me Shqipërinë