Kryeministri Edi Rama: Ja prioritetet e Shqipërsë në Këshillin e Sigurimit të OKB: Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut, harmonia fetare dhe klima

175
Sigal

 

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje, prioritetet që pritet të ketë Shqipëria në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Shqipëria do të ketë si prioritet: forcimin e rolit të gruas; mbrojtjen e të drejtave të njeriut; promovimin e harmonisë fetare; mbështetjen e politikave gjithëpërfshirëse për zhvillim dhe partneritet të qëndrueshëm; mbështetjen e politikave që mbrojnë nga ndryshimet klimaterike; Këshilli i Sigurimit në OKB është një organ që mund të nisë dhe miratojë rezoluta të detyrueshme për shtetet anëtare të Organizatës me synim, ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë. Mbledhja e parë e këtij Këshilli është bërë pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1946. Në Këshill janë 5 shtete anëtare të përhershme (SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca) dhe 10 të zgjedhura jo-të përhershme me mandat dyvjeçar. Për të siguruar freskim periodik të anëtarësisë, pa cenuar vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e Këshillit, çdo vit zgjidhen pesë anëtarë të rinj jo-të-përhershëm, që zëvendësojnë pesë të mëparshëm, që përfundojnë dy vitet e shërbimit. Prej këtyre, një vend me mandat njëvjeçar, i takon medoemos Evropës Lindore. Më 11 qershor Asambleja e Përgjithshme në OKB, pritet të vendosë për shtetin nga ky grup. Shqipëria është kandidate e vetme dhe për rrjedhojë pritet të jetë ajo anëtare jo-e-përhershme për periudhën 2022-2023. Qeveria hapi në fund të muajit maj një thirrje për të gjithë diplomatët e karrierës dhe profesionistët e suksesshëm që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e grupit përfaqësues. Pas kryesimit të presidencës së Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) gjatë vitit 2020, ky është një nga momentet më domethënëse të diplomacisë shqiptare si anëtare e OKB-së prej 65 vitesh. Në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare në OKB, pati zhvillime domethënëse edhe vitin e shkuar kur, Besiana Kadare u zgjodh zëvendës-presidente e Asamblesë së përgjithshme, si përfaqësuese e grupit rajonal të Evropës Lindore, ku bëjnë pjesë vendet e Ballkanit, Rusia, Ukraina, Bjellorusia, Armenia, Azerbajxhani, etj.