‘Helm brenda familjes politike’/ Xhafaj i hidhur ndaj Ramës e Rilindjes: Nuk është imune ndaj disa ‘veseve’

632
Sigal

Ish-ministri i Brendshëm, socialisti Fatmir Xhafaj ka thyer heshtjen lidhur me vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen nga posti i rëndësishëm që mbante në qeverinë Rama.

Xhafaj për herë të parë ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që pas sulmeve ndaj tij dhe largimit nga posti i ministrit të Brendshëm, të fshihen dhe persona brenda maxhorancës.

Në një intervistë për Dita, Fatmir Xhafaj ka thënë se e ka menduar se ndaj tij ka patur komplot nga eksponentë brenda shumicës qeverisëse.

“Nuk dua ta besoj që gjërat kanë arritur deri këtu, por për hir të së vërtetës edhe e mendoj. Kam dëgjuar shumë në këtë aspekt nga shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ndoshta ka edhe të vërteta në këtë histori, por preferoj që helmin brenda familjes sime politike ta tres dhe jo ta shes”, ka thënë Xahfaj.

Ai ka shtuar më tej se në Partinë Socialiste ku ai bën pjesë, ka persona që  nuk ndajnë vlera të përbashkëta, dhe se mirënjohjen e kanë thjeshtë slogane fjalimesh.

“Si në çdo bashkësi politike, edhe kjo ku unë bëj pjesë nuk është imune nga disa “vese” apo nga individë që nuk ndajnë qëllime e vlera të përbashkëta me këtë forcë politike dhe që solidaritetin apo mirënjohjen i kanë thjesht slogane fjalimesh. Nuk më vjen mirë për këtë, sigurisht, por ky është realiteti ku jetojmë dhe këtij realiteti unë jam përpjekur t’i qëndroj ashtu si meritohet. Me integritet dhe ndershmëri. Kush është aty brenda, e njeh shumë mirë këtë pozicion timin. Jam i lumtur që kam pasur mbështetjen e miqve të mi të shumtë brenda dhe jashtë PS-së, pa mbështetjen e të cilëve nuk do ta kisha të lehtë ta kaloja këtë situatë të vështirë personale dhe familjare. Situata të tilla të bëjnë të testosh veten, forcën dhe karakterin që ke, familjarët por edhe miqtë e tu. Test ky që siç e shoh dhe siç thonë, u kalua me sukses”, thekson Xhafaj.

Xhafaj ka folur edhe për rolin e Kryeministrit Edi Rama dhe mbështetjen që ka patur nga ai gjatë periudhës që është akuzuar për çështjen “Babalja”.

Ish-ministri ka deklaruar se Rama ka qenë avokat i së vërtetës në çështjen e akuzave për vëllain e tij.

“Po flasim për çështjen konkrete dhe deri në momentin që unë u largova nga detyra. Në këtë kontekst në vlerësimin tim Kryeministri Edi Rama në këtë çështje ka mbajtur një qëndrim realist si nga pikëpamja institucionale, ashtu edhe ajo njerëzore e personale. Ne i kemi vlerësuar disa qëndrime realiste të bëra publike prej tij në lidhje me çështjen e dënimit të tim vëllai, përdorimit të tij politik dhe sulmeve të pabaza nga opozita.

Është plotësisht në të drejtën dhe detyrimin ligjor e institucional të një kryeministri që në mënyrë të pavarur, me kanalet e tij, të marrë informacionet e nevojshme në raste të tilla. Në dijeninë time ai ka kërkuar informacion edhe më parë në vitet 2015 – 2016 kur opozita ka formuluar akuza ndaj meje lidhur me vëllain tim dhe atij si kryeministër i është dashur të shprehet publikisht për këtë gjë. Kam gjithë mirëkuptimin mbi atë që ai bëri si kryeministër edhe në këtë rast në lidhje me marrjen e informacionit të nevojshëm mbi vërtetësinë e materialit të audio-regjistrimit.

E vërteta që rezultoi nga këto verifikime të bëra nga struktura ndërkombëtare, por edhe nga ai vetë në institucionet ligjzbatuese të vendit nuk mundet të konsiderohet kurrsesi si mbështetje (e pajustifikuar) kundrejt meje. Në këtë çështje Edi Rama ka qenë avokat i së vërtetës. Nëse e vërteta do të ishte ndryshe, nuk do kishte nevojë për asnjë lloj akti prej tij si kryeministër në raport me mua, pasi do të isha unë vetë ai që do të merrte vendimet e duhura e të përgjegjshme”, thekson Xhafaj.

Kuvendi miratoi dy ditë më parë me 89 vota pro paketën ‘Anti-KÇK’, plot 34 ditë pas miratimit në Këshillin e Ministrave. Por gjatë seancës plenare ra në sy mungesën në votim të disa deputetëve të rëndësishëm socialistë.

Munguan emra të tillë si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Bashkim Fino, Senida Mesi, Musa Ulqini, etj.

Më interesante janë mungesat e Braçes dhe të Xhafajt. Braçe mungoi edhe në Kongresin e Socialistëve dhe gazeta Panorama raportoi se shkak mund të jetë bërë pakënaqësia me kryeministrin Edi Rama.

Nga ana tjetër, në sallë nuk ishte as Fatmir Xhafaj, që ka hedhur kritika ndaj nismave ligjore të qeverisë, sidomos kur ato ndërthuren me reformën e re në drejtësi. Xhafaj kishte paralajmëruar edhe një fjalim, por nuk e mbajti.

Së fundmi në media ka pasur spekulime se Operacioni Forca e Ligjit mund të dërgojë letrën e deklarimit edhe për vëllanë e Xhafajt, Geronin. Thuhet se kjo ka shkaktuar fërkime të forta në PS