Hartimet politike/ Mazhoranca dhe opozita “bashkë” për grupin e dialogut, 6 anëtarët do synojnë konsensusin dhe reformën zgjedhore

20
Sigal

Pas dakordësisë së paqtë mes mazhorancës dhe opozitës palët duket se nuk po preferojnë të humbin kohë. Ato po synojnë ngritjen e asaj që paralajmëruan si nënkomision i reformave që tani do të quhet si grupi i dialogut. Sipas mediave një document, që mban datën 15 mars, përmban detajet se si do të funksionojë ky grup që ka si qëllim gjetjen e konsensusit për çështjet që kërkojnë 84 vota. Ligjet që duan 84 vota do kalojnë paraprakisht nga grupi i dialogut, i cili do të jetë vendimtari për dhënien e konsensusit. Grupi do të ketë gjashtë anëtarë gjithsej ku tre do t’i përkasin mazhorancës dhe tre opozitës. Vendimarrjet e këtij grupi do të jenë të gjitha me konsensus dhe mbledhjet mund të thirrren qoftë me kërkesën e secilit prej anëtarëve që janë pjesë e këtij grupi. Grupi i dialogut do të paraqesi propozime të tjera që mund të jenë në funksion të mbështetjes së anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Sikundër po ashtu ky grup do të ketë mundësinë që gjithashtu të mund të kërkojë zyrtarisht ekspertizën nga partnerët strategjik të Shqipërisë për akte të caktuara. Një ndër detyrat e tjera të rëndësihme të grupit të dialogut do të jenë nismat për të finalizuar me sukses reformën zgjedhore. E shumëfolura reformë prej më shumë se 2 vitesh të vetmen gjë që solli ishte vetëm dështimi pasi edhe komisioni bipartizan i ngritur për këtë qëllim dështoi për të prodhuar një produkt. Përmbajtja prej gjashtë anëtarësh është ende e paqartë kur flitet se cilët do të jenë ata që do të përfaqësojnë mazhorancën socialiste. Ende nuk ka asnjë emër të mësuar mbi “treshen” që PS mendon të sjell tek ky grup. E kundërta duket nga ana e opozitës, por edhe kjo me vakanca bosh ashtu si socialistët. Demokratët do të përfaqësohen nga Oerd Bylykbashi. Partia e Lirisë do të përfaqësohet nga Erisa Xhixho. Ndërsa alternativa e tretë për opozitën i është lënë si vend i lirë për demokratët e vulës, por nuk dihet nëse këta do të bien dakord. Ajo që dihet deri tani është së Partia Socialiste ende nuk i ka zgjedhur emrat.