Hapja e dosjeve,Komisioni i Ligjeve nis shqyrtimin e dy nismave ligjore

472
Sigal

TIRANE – Komisioni parlamentar i Ligjeve nis sot shqyrtimin e dy drafteve të projektligjit “Për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”, i pari i propozuar nga qeveria dhe tjetri nga shoqëria civile, me mbështetjen e dy deputetëve të opozitës, Mesila Doda (PD) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU).

Drafti i qeverisë, i depozituar në parlament më 5 janar 2015, parashikon që procesi të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit.

Shqipëria në këtë proces parashikon të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.

Ndersa nisma e shoqërisë civile, e dorëzuar në Kuvend më 1 dhjetor 2014, përcakton gjithashtu rregullat e lustracionit në politikëbërje duke kontrolluar pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24 tetor 1944-31 mars 1991, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe drejtues apo punonjës operativ i ligjshëm ose i fshehtë, apo bashkëpunëtor sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, deri më 2 korrik 1991 kur u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar.

Marrë nga ATSH