Hetimet: Shqipëria e Italia bazë rekrutimi për ushtarët e ISIS

442
Sigal

Shqipëria është identifikuar si bazë për rekrutimin dhe trajnimin e ushtarëve të shtetit islamik ISIS. Ky është zbulimi i hetimeve më të fundit që ka ndjekur shteti ynë fqinj Italia në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Prokurori i Përgjithshëm i Breshias Luigi Maria Dell’ Osso tha se nga hetimet ka rezultuar se qendra rekrutimi dhe trajnimi të militantëve të ISIS ka edhe në Itali.

Në Shqipëri janë identifikuar qendra trajnimi dhe propagande dhe qindra militantë, disa prej të cilëve sipas hetimeve, janë në kontakt të vazhdueshëm me persona që lëvizin në Itali dhe veçanërisht në Breshia.

Në këto zona të veriut të Italisë, organizata synon të rekrutojë kryesisht italianë. Këto fakte dalin nga hetimet e autoriteteve gjyqësore italiane në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe bëhen edhe më të forta pas zbulimit të një dokumenti që dyshohet se është i ISIS në gjuhën italiane.

Gjatë një takimi të mbajtur në Romë disa javë më parë në lidhje me situatën në fjalë, prokurori i Përgjithshëm i Breshias Luigi maria Dell’Osso tha:

“Ne kemi verifikuar, duke bërë hetime të reja dhe duke i lidhur ato me të dhënat që kishim mbledhur në të kaluarën, dhe rezulton që ka lidhje me vendet e Evropës Lindore pranë nesh siç është Shqipëria”.