Hapet tuneli i Murrizi/ Kryeministri Rama dhe ministrja Balluku inspektojnë punimet: Në vitin 2024 pritet të nisë qarkullimi!

38
Sigal

Të martën kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në tunelin e Murrizit. Në një ditë të veçantë ku u bashkuan dy anët e këtij kantieri sfidues nën shoqërinë e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, kryeministri Rama u njoh me sfidat e ndeshura në këtë kantier. Kryeministri tha se është çasti i shumëpritur i një përpjekjeje të zgjatur nga gjeologjia tejet e pafavorshme, e cila ka sjellë shtyrjen e përfundimit të plotë të rrugës së Arbërit. “Dalja e dritës, nga bashkimi i të dy anëve të kantierit më sfidues të punëve të mëdha publike, është çasti i shumëpritur i një përpjekjeje të zgjatur nga gjeologjia tejet e pafavorshme, e cila ka sjellë shtyrjen e përfundimit të plotë të rrugës së Arbërit. Ky tunel ka nisur në 2018 dhe do të përfundojë në 2024. Ndërsa tuneli i Llogorasë, i cili përfundon në qershor 2024 ka nisur shumë më vonë se sa ky, por duke pasur një gjeologji shumë më të favorshme në Llogora, e njëjta kompani ecën me rreth 20m në ditë, ndërkohë që në Murriz përparon me afro 2 metër në ditë. Gjithësesi, më e keqja ka kaluar dhe tanimë drita e sotme është një arsye e fortë për të besuar që 2024 do ta vulosë edhe fundin e kësaj vepre kaq sfiduese”,- u shpreh Rama. Kryeministri vlerësoi përshpejtimin e punimeve për bashkimin e dy anëve të tunelit. “Ishte shenjë e mirë që u hap para se të mbarojë viti se këtë nuk e prisnim, ishte përshpejtim. mbarojmë me kulmin e cilësisë”,- tha ai. Zëvendëskryeministja Balluku informoi se tuneli i Murrizit përbëhet nga dy tuba që lidhen me njëri-tjetrin me 11 nyje lidhëse. “Gjatësia e tunelit kryesor është 3789 metra, ndërsa e tunelit ndihmës 3791 metra. Tuneli kryesor ka një lartësi prej 6.8 metrash”, -informoi Balluku. Sipas saj, “kjo ishte një vepër infrastrukturore jashtëzakonisht sfiduese”. “Jemi përballur me shumë sfida. Gjeologjia ishte totalisht e paqëndrueshme. Volumet e gërmimit kanë qenë të mëdha. Është punuar me 4 fronte njëkohësisht dhe na janë dashur më shumë se 1400 ditë për tunelin ndihmës dhe 1600 ditë për tunelin e madh”,- tha ajo.