Gradohet Prokurori i Elbasanit, që gënjeu për të dhënat ditën e vrasjes së Pjerin Xhuvanit

233
Sigal

Prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu u konfirmua të enjten në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Trupa që hetoi prokurorin ishte e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtar Roland Ilia.

Gjatë një seance dëgjimore të shkurtër të martën KPK bëri me dije se Shehut i ishte kaluar barrë prove për një bilanc negativ prej 129 mijë lekësh në një transaksion mes anëtarëve të familjes dhe një tjetër prej 1.4 milion lekësh lidhur me blerjen e një shtëpie në vitin 2013. Por gjatë seancës u tha se nga analiza financiare e plotë Shehu kishte rezultuar pa probleme. Vetë Shehu tha se problemet në bilanc vinin nga mos llogaritje prej KPK e një shume kursimesh dhe të ardhurave të nënës së tij.

Komisioni po ashtu rrëzoi një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar mbi figurën e Shehut, pasi të dhënat e referuara prej këtij institucioni “nuk përputheshin” me ato që KPK kishte gjetur në dosjen penale.

Alfred Shehu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Gramshit. Prej vitit 2007, Shehu e ushtron funksionin në Prokurorinë e Elbasanit. Shehu po heton aktualisht një nga konfliktet më të diskutueshme të situatës parazgjedhore në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Por, për Alfred Shehun u la jashtë vëmëndjes një moment i freskët dhe shumë i rëndësishëm në karrierën e tij, që ka të bëjë me qëndrimin publik për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Prokurori Alfred Shehu ka ende nën hetim këtë “patate të nxehtë” të drejtësisë dhe u bë pjesë e një manipulimi për hir të interesave të Partisë Socialiste.

Në një konferencë për mediat një ditë pas vrasjes, Alfred Shehu gënjeu publikisht se në makinën e Mehmet Grecës, person që u bë shkak për nisjen e konfliktit, nuk ishin gjetur materiale zgjedhore. Deklarata u bë në 22 Prill, pra 3 ditë para votimit, një detaj që fajësonte grupet vullnetare të Partisë Demokratike.

Po ashtu, prokurori Alfred Shehu refuzoi të sqarojë publikisht para gazetarëve se kush qëlloi i pari në vendin e ngjarjes dhe cili ishte roli i Kelmend Xhaferrit, i shpallur në kërkim për ngjarjen. Shehu nuk e pati problem që pas zgjedhjeve, në sallën e gjyqit të deklaronte pikërisht të kundërtën e asaj që kishte thënë në konferecën për mediat.

Ai pranoi në sallën e gjyqit, se në makinën e Mehmet Grecës u gjetën euro, karta identiteti dhe lista votuesish të hartuara për patronazhistët e Partisë Socialiste. E megjithatë ky rast nuk u mor fare parasysh nga ana e KPK-së, që konfirmoi prokurorin Shehu, dhe i jep tashmë atij pothuajse një imunitet të përhershëm.