Avokati i Partisë Demokratike: KAS, institucion që refuzon të drejtën për transparencë

196
Sigal

Avokati i Partisë Demokratike në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, Marash Logu, i ftuar me anë të një lidhjeje live me Skype, në një emision televiziv, mbrëmjen e sotme foli për procesin e hapjes së kutive në Qarkun e Beratit, por edhe për ankimimet e PD-së për rinumërimin e fletëve të votimit të disa qarqe të tjera në vend.

“Gjatë ditës së sotme ka pasur një vendim për Vlorën, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmërinë në Qarkun e Vlorës dhe përsëritjen e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi vlerësuar se faktet që kishim, që ia kishim vënë në dispozicion Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, ishin të mjaftueshme për të vërtetuar parregullsitë dhe rrjedhimisht përsëritjen e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, hetimi i KAS-it ishte i cunguar. KAS ka refuzuar plot 57 herë kërkesat që PD i ka bërë për të marrë provat. Pra, është një institucion që 57 herë refuzon një subjekti zgjedhor, një partie politike, të drejtën për transparencë. Kjo në fakt ka të bëjë me të drejtën e qytetarëve për të ditur se çfarë ka ndodhur më 25 prill”, thotë avokati i PD-së.