Gradat në Polici, Gjykata e Lartë merr vendimin final: Ja si përfitohen

340
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gjykata e Lartë vendosi sot mbi çështjen e marrjes së gradave policore. Vendimi ka ardhur lidhur me padinë e Policisë së Shtetit ndaj Leonard Ndrekës për gradën kryekomisar.

Ndreka fitoi procesin në Gjykatën e Administrative Gjirokastër. Por, vendimi u dërgua në Gjykatën e Lartë nga Policia e Shtetit, ku pas shqyrtimet anëtarët e gjykatës së Lartë Sokol Binaj, Ilir Panda, Klodian Kurushi, Ervin Pupe me kryesues Sokol Sadushin vendosën të rrëzojnë kërkesën e paditësit. Vendimi i shqyrtuar nga Gjykata e lartë është unifikues. Në vendimin e Gjykatës së Lartë bëhet e ditur se gradat policore nuk mund të merren pa iu nënshtruar më parë një vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit. Ky vendim vlen për gradat nga ‘Nenkomisar’ deri te grada ‘Drejtues i Parë. Gjykata e Lartë sqaron se vjetërsia në gradën e mëparshme dhe ushtrimi efektiv i funksionit nuk janë kushte për një punonjës që të kërkojë rritje grade në gjykatë, pa ju nënshtruar më parë procesit të vlerësimit konkurrues.

Njoftimi:

Gjykata e Lartë vlerëson me rëndësi koherencën në praktikën gjyqësor,si dhe interpretimin e drejtë dhe uniform të ligjit nga ana e të gjitha gjykatave të faktit të Republikës së Shqipërisë. Në vazhdën e publikimit të vendimmarrjes së kolegjeve të Gjykatës së Lartë, në ndihmë zbatuesve të së drejtës dhe opinionit publik, Kolegji Administrativ i kësaj gjykate njofton se në datën 15.07.2021, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative me nr.31003-01562-00-2018 Regjistri Themeltar, e cila shënon vendimin e parë njësues të këtij Kolegji në fushën e të drejtës administrative. Në përfundim të këtij gjykimi, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konkludoi në sentencën unifikuese: Procesi i fitimit të gradave policore nga niveli “Nënkomisar” deri në nivelin “Drejtues i Parë”, duhet t’i nënshtrohet domosdoshmërisht procedurës së vlerësimit konkurrues, sipas parashikimeve të neneve 50-60 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Plotësimi i kritereve formale për fitimin e gradës, si vjetërsia në gradën pararendëse dhe/ose ushtrimi efektiv i funksionit në përputhje me gradën e pretenduar, nuk mund të sjellin fitimin gjyqësisht të gradës policore, pa iu nënshtruar më parë punonjësit e Policisë së Shtetit një procesi vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit.