“Gjykata refuzon të marrë provat e abuzimit me Check up-in”/ Vokshi: Si zyrë noterie e Edi Ramës

382
Sigal

Ish-deputetja Alba Vokshi shprehet se nën presionin e vettingut politik, kryeministri Rama ka vendosur nën kontroll gjykatat, të cilat janë kthyer në noterë të interesit personal të tij.

Vokshi zbulon se si në seancën e sotme, u refuzua marrja e provave që tregojnë sesi Edi Rama ka abuzuar me kontratën e Check up-it.

“Në vend që të mbrojë interesin publik dhe të vërë Ramën para përgjegjësisë për vjedhjen skandaloze me koncesionet, gjykata refuzon të marrë prova sesi Edi Rama ka abuzuar me kontratën korruptive të Check up-it. Për denoncimin e aferës 120 milionë euro, jam në gjyq me Edi Ramën, por ai po ndalon gjykatën që të administrojë prova. Janë prova fare të thjeshta për t’u administruar, janë dokumenta shtetërorë që qeveria refuzon t’i bëjë publike, pasi zbulojnë gjithë skemën korruptive që vjedh shqiptarët me koncesionin e Check Up-it. Në seancën e sotme, gjyqtari rrëzoi çdo kërkesë të ligjshme për marrjen e këtyre provave, duke cënuar rëndë parimin e barazisë së armëve në procesin gjyqësor. Check up-i është kontrata më e madhe e vjedhjes në shëndetësi, por gjykata ndalon të merren prova për të treguar se kryeministri është në shërbim të financueses së fushatës së Partisë Socialiste, Vilma Nushi”, shprehet Vokshi.

Ajo shton se kërkesat e saj, të refuzuara nga gjykata, me urdhër të Edi Ramës, janë krejt elementare:

  1. Edi Rama të kryejë testin e drogës – e ka refuzuar katër herë;
  2. Institucionet të na vendosin në dispozicion Kontratën e Check Up, si dhe dokumentacionin e plotë të procedurës së tenderimit;
  3. Te na vendoset ne dispozicion lista e personave që kanë bërë Check Up për të vërtetuar që ka edhe persona të vdekur, si dhe emra fiktive në listat e manipuluara.

“Aq frikë ka nga e vërteta Edi Rama, sa kërkon që edhe mbrojtjen time ta bëjë ai. Sot, Edi Rama mund të arrijë të kontrollojë gjykatësit ë frikësuar, por nuk do t’ia dalë asnjëherë të më ndalojë mua dhe PD të denoncojmë aktet e tij korruptive, që fusin duart në xhepin e qytetarëve dhe na degradojnë më tej sistemin shëndetësor”, përfundon ish-deputetja.