Gjosha pret anëtarin e Bundestagut gjerman: Reforma në drejtësi, kyçe për hapjen e negociatave

478
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti në një takim delegacionin gjerman të kryesuar nga Manuel Sarrazin, Anëtar i Bundestagut gjerman, njëkohësisht anëtar i Komisionit për Çështjet Evropiane. Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, reformat e ndërmarra nga qeveria dhe sfidat e mëtejshme në këtë proces madhor për vendin, ishin në fokus të këtij takimi. Ministrja Gjosha, e informoi z. Sarrazin mbi ecurinë e 5 prioriteteve, duke theksuar angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen sa më të shpejtë të tyre. Ministrja Gjosha, shprehu gjithashtu falënderime për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke theksuar se vendin e pret një fazë edhe më e rëndësishme që është hapja e negociatave. 

 Bashkëbiseduesit u ndalën tek reforma në drejtësi, duke e konsideruar kyçe për hapjen e negociatave. Ministrja Gjosha, u shpreh se me miratimin konsensual të kësaj reforme, Shqipëria është gati të marrë një rekomandim nga Komisioni Europian, për të vijuar implementimin e saj përmes hapjes së negociatave. “Ne jemi të vendosur që reformën në drejtësi ta finalizojmë për qytetarët shqiptarë, për tu rikthyer atyre besimin tek sistemi. Nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që kjo reformë është thelbësore për të avancuar me axhendën tonë europiane e cila mbetet prioritet madhor kombëtar”, tha Ministrja Gjosha. Duke u ndaluar tek azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani, z. Sarrazin, vlerësoi faktin që numri i azilkërkuesve është ulur ndjeshëm në pak muaj. Ministrja Gjosha, u shpreh se angazhimi i institucioneve shqiptare, me ndihmën e ambasadës gjermane, roli i së cilës ka qenë tepër i rëndësishëm në menaxhimin e kësaj situate.
Sigal