Gjosha: Domosdoshmëri miratimi i reformës me konsensus

465
Sigal

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Gjatë fjalës së saj, ministrja ritheksoi domosdoshmërinë e miratimit të reformës me konsensus.

“Reforma pa konsensus nuk dihet se çfarë do të sjellë ditën e nesërme. Reforma pa konsensus mund të sjellë destabilitetin politik.

Unë nuk mendoj në asnjë moment se ka këtu ndonjë përfaqësues të politikës shqiptare, shoqërisë civile, të çdo qytetari por edhe ndërkombëtarëve prezent në këtë tryezë por edhe të Komisionit Europian dhe SHBA-ve që dëshirojnë destabilitetin e këtij vendi”, u shpreh ministrja Gjosha.

Ministrja theksoi se reforma është kyç për vazhdimësinë e procesit të integrimit, dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë.

“Në këtë moment mesazhi kryesor duhet të jetë ai që doli edhe nga Komisioni i Jashtëm sot në mëngjes, nga Komisioneri Hahn dhe shumë eurodeputetë të tjerë, duhet patjetër të gjejnë një zgjidhje konsensuale.

Kjo do ti hapte rrugë zhvillimit të vendit, do ti hapte rrugë implementimit të mirë të reformës në drejtësi, dhe mbi të gjitha procesit të integrimit të vendit”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja shtoi se duhet të jemi edhe më aktiv me njëri-tjetrin për ta çuar deri në fund me sukses në datën 21 korrik reformën në drejtësi, ndërsa thirrjen e shoqërisë civile për mbledhjen e Këshillit e konsideroi të vonuar, pasi diskutimet mbi reformën kanë 1 vit e gjysmë që kanë nisur.

“Shoqëria civile duhet ta kishte kërkuar këtë debat me kohë, duhet ta kishte ngritur këtë çështje me kohë. Jemi thirrur këtu sot me një thirrje prej më pak se 24 orësh, tregon sesa e rëndësishme është zëri i shoqërisë civile për reformën në drejtësi por dhe për të gjitha reformat e tjera që vendi do të ndërmarrë më pas”, tha ministrja Gjosha.