Hetohet pasuria e gjyqtares Andrea

531
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetim ndaj pasurisë së gjyqtares së Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea dhe bashkëshortit të saj Odhise Andrea, i kërkuar nga drejtësia për shkak të masës së arrestit. Gjyqtarja Andrea u kthye ditën e djeshme nga Italia por pa bashkëshortin e saj. Ajo kishte ikur vetëm pak orë pasi gjykata të vendoste masën e arrestit me burg për të.
Zbardhet pasuria e gjyqtares Andrea
Gjyqtarja Majlinda Andrea, 47 vjeç, sapo ka mbushur tetë vjet nga mandati i saj i ushtrimit të funksionit të gjyqtarit në Gjykatën e Lartë. Emërimi i saj në trupën gjyqësore të kësaj gjykate u dekretua më 8 korrik 2008 nga Presidenti i atëhershëm i Republikës, Bamir Topi. Ajo përfundoi studimet për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në vitin 1991 dhe nga viti 1992 deri në 2008 ka ushtruar funksionin e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Ajo është nënë e dy fëmijëve dhe bashkëshorte e Odhise Andreas.
Bashkëshorti i gjyqtares Andrea aktualisht mban detyrën e këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë. Referuar deklaratave të pasurisë së gjyqtares Andrea pranë Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë të periudhës 2012-2015, të publikuara nga “Open Data Albania”, Odhise Andrea ka nisur detyrën në Kuvend në vitin 2014. Më herët, ai ka qenë drejtor teknik në një kompani private sigurie, si edhe administrator në shoqërinë “GranitImport-AL”. Pas vitit 2013, ai figuron si ortak pasiv në këtë shoqëri, administrator i së cilës rezulton të jetë bërë djali i tij.
PASURIA
Referuar deklaratës së pasurisë se gjyqtarja Majlinda Andrea nuk përfshihet te njerëzit e pasur të Gjyqësorit në Shqipëri. Kategoritë e formularit “të ardhura nga bonuset”, “të ardhurat si anëtare bordesh”, “të ardhura nga bizneset”, “të ardhura nga qiradhënia”, apo “të ardhura nga çelja e trashëgimisë” janë krejtësisht bosh.
Për vitin 2015, gjyqtarja Andrea ka deklaruar të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet shumën 1 576 316 lekë. Me tej, ajo ka deklaruar të ardhura nga interesat bankare dhe të kredidhënies në shumën 162 euro si shtesë nga interesat vjetore, dhe shumën 68 euro si shtesë të një depozite nga interesat bankare.
Në kategorinë e familjarëve gjyqtarja ka deklaruar pagën e bashkëshortit Odhise Andrea pranë Kuvendit të Shqipërisë si këshilltar, në vlerën 1 129 734 lekë. Pagë tjetër familjari e deklaruar është ajo e djalit të saj, K. Andrea, pranë shoqërisë “GranitImport-AL” shpk, në vlerën 798 000 lekë.
Sigal