Nga Shirgjani i Elbasanit, Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri i shoqëruar dhe nga kryebashkiaku Gledian Llatja kërkuan mbështetjen për PS në 14 maj.
Në fjalën e tij me banorët e kësaj zone, numri dy i socialistëve u shpreh se Gledian Llatja dhe PS janë garancia për vijimin e punëve dhe projekteve të mira për zhvillimin e Elbasanit. “Ka një garanci pse ato që thotë Gledi, do t’i bëjë realitet sepse ai nuk është vetëm. Nuk konkurron i vetëm këtu. Nuk ka dalë thjesht si Gledian, si një djalë i mirë që ju e njihni dhe e respektoni. Ai është përfaqësues i Partisë Socialiste dhe ka nga mbrapa qeverinë e Edi Ramës. Vetëm kështu mund të bëhen realitetet projektet. Për të premtuar të premtojnë të gjithë se s’është ndonjë vështirësi të premtosh. Problemi është çfarë garancie jep ti. E vetmja garanci është binomi bashki – qeveri që ne duhet ta ruajmë dhe në këto zgjedhje. Gledi i ka bërë falë edhe projekteve të tij dhe punës së tij, por njëkohësisht mbështetjes së qeverisë shqiptare”, tha Gjiknuri.
Drejtuesi politik u shpreh se vota më 14 maj është dhe një mundësi për të inkurajuar politikat sociale të ndërmarra nga qeveria si rritja e pagave dhe e pensioneve. “Ne kemi shansin t’i japim inkurajim dhe politikave të qeverisë sidomos disa masave të fundit që kanë të bëjnë me rritjen e pagave në sektorin publik po që nuk do të ndalem vetëm aty. Politika e rritjes së pagave është një mundësi që të rinjtë dhe të rejat tanë, profesionistët tanë të qëndrojnë këtu në Shqipëri, të ndërtojnë të ardhmen këtu në shërbim të qytetarëve. Synimi është që pagën mesatare ta çojmë 900 euro vitin tjetër. Rritja e pagës mesatare do të sjellë rritjen e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe fondit të pensioneve. Kjo do të çojë në pikën tjetër, rritjen e pensioneve. Prandaj them që në 14 maj kush do të vlerësojë me votë për rritjen e pensioneve është mundësia të votojë PS-në, Gledin dhe Partinë Socialiste”, shtoi më tej Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS komentoi dhe alternativën përballë, teksa deklaroi se 14 maji është një mundësi për t’i nxjerrë në pension. “Duan të marrim bashkitë dhe do përmbysim qeverinë. Do të thotë ‘bunkerizohet’ bashkia. Këto projektet harrojini njëherë se s’merret njeri me projekte më dhe do t’i nisë për përmbysjen e qeverisë ata militantët e tyre. Ky është plani i tij. Ai do të zbatojë këtu vetëm porositë e Saliut dhe Ilir Metës. I dëgjoni SHBA-të, zyrtarët më të lartë, i thonë shqiptarëve mos votoni për të shkuarën, mos votoni për Berishën. Atëherë kur nuk bëka ai pronari na bëka ky derivati zëvendësi. Në 14 maj le ta nxjerrim në pension politik Luçin, të shkojë aty në Universitet edhe të shkruajë romanin e tij “Iluzionet e një kandidati” meqë është dhe letrar. Saliun dhe zëdhënësin e tij le ti nxjerrim në pension politik”, nënvizoi Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve u shpreh se Luçiano Boçi përfaqëson dy figura të vjetra si Berisha dhe Meta që kanë treguar që e duan bashkinë për ta bunkerizuar.
Ndërkaq, Kryebashkiaku Gledian Llatja bëri një panoramë të investimeve të shumta të bëra në këto vite dhe kërkoi që ky bashkëpunim të vijojë dhe për 4 vitet e ardhshme Ai siguroi se në mandatin e ardhshëm, do të realizohen 4 herë më shumë punë për zhvillimin e qëndrueshëm të Elbasanit.