Dr. Dorian Koçi: Iluminizmi përmes përkthimit

324
“Ti që për asnjë gjë i zoti s’je,

Mbamë në kurriz se mirë e ke”

Sigal

Fransisco Goya 1746-1828 konsiderohet si mjeshtri i fundit i madh pikturës klasike dhe një nga pararendësit e artit modern. Ai është shumë i njohur për pikturat që realizoi për të familjen mbretërore në Spanjë , piktura që tregojnë shkëlqimin e oborrit spanjoll por në pararendjen e tij drejt artit modern ai zbuloi pikturat bardhë e zi në formën e karikaturave që sipas fjalëve të tij pasqyronin “dobësitë dhe idiotësitë që mund të gjendeshin në çdo shoqëri civile dhe që paragjykimet e përbashkëta dhe praktikat mashtruese që prodhojnë injoranca ose interesat vetjake i kanë bërë ato mëse të zakonshme”. “Los Caprichos” u publikuan ne vitin 1799 ne një kohe represioni shoqëror dhe krize ekonomike ne Spanje. Seria e karikaturave bardhe e zi “Kapriçot” ishte një dëshmi e liberalizmit politik te Fransisco Goya-s dhe revoltës se brendshme kundrejt injorancës dhe shtypjes ndaj intelektualeve qe bënte ne atë kohe monarkia spanjolle dhe Inkuizicioni.

Në shqip ato u përmendën për herë të parë në vitet 70’ sëbashku me romanin e mrekullueshëm të Lion Feuchtwanger “Rruga e mundimshme drejt njohjes”, një roman historik për Goya-n, përkthyer nga i paharruari Robert Shvarc. Botimit të parë të këtij romani censura i hoqi rreth 100 faqe që pasqyronin jetën erotike të Goya-s, faqe që mesa duket u quajtën të pavlefshme për formimin dhe edukimin e Njeriut të Ri që po përpiqej në çdo formë dhe mënyrë ti ngjante Lej Fenit kinez. Ishte koha kur në Shqipëri qarkullonin korrentet e Revolucionit Kulturor kinez, korrente që do të zbeheshin në fund të viteve 80’ kur romani do të ribotohej sërish por tashmë i plotë. Ky botim do të shoqërohej dhe me ilustrime ku karikatura e famshme me diçiturën “Tu que no puedes “ do të përkthehej nga Shvarci “Ti që për asnjë gjë i zoti s’je/Mbamë në kurriz se mirë e ke”.

Përkthimi i letërsisë klasike kur mundte jepte shkëndija të kuptimit të realitet gri shqiptar pasi lexuesi përveçse analogjisë së thirrjeve të Inkuizicionit në mesnatë me thirrjet dhe survejimet e Sigurimit të Shtetit mund të kishte një panoramë më të gjerë nga kjo karikaturë për realitetin shqiptar ku shumica e kuadrove zgjidheshin nga “kllasa punëtore”.
Vegimet e Goya-s mund të ishin vegime të kujtdo intelektuali shqiptar që arrinte dhe e kuptonte realitetin ndaj një meritë e madhe shkon për të gjithë atë brez përkthyesish që nëpërmjet përkthimeve të tilla hidhnin dritë mbi errësirën e fanatizmit dogmatik shqiptar. Ndaj për brezin tim Goya mbetet një piktor i madh por dhe një njeri i madh që nën një përkthim mjeshtëror nga Robert Shvarc të romanit të një shkrimtari antikomformist si Lion Feuchtwanger, kontribuonte në kultivimin e shijeve tona estetike.