Gjeneralmajor Bajram Begaj: Forumi i Sigurisë Fizike proçes dinamik për sigurinë e municioneve. Situata e sigurisë në rajon përballë sfidave

182
Sigal

Zhvillohet forumi i Sigurisë Fizike dhe Menaxhimit të Rezervës së Municioneve. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH: Siguria e municioneve, proçes dinamik

 Ekspertë të menaxhimit të municioneve të shteteve partnere janë mbledhur në Tiranë, në forumin e dytë të Sigurisë Fizike dhe Menaxhimit të Rezervës së Municioneve, të organizuar nën kujdesin e Departamentit të Shtetit të SHBA. Në sesionin e hapjes së forumit mori pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof.asoc Bajram Begaj dhe zv.Ambasadori i SHBA në vendin tonë, z. Demian Smith.
Në fjalën e tij përshëndetëse, gjeneralmajor Begaj vlerësoi këtë forum si një platformë e shkëlqyer për shkëmbimin e eksperiencave dhe mësimeve të nxjerra nga vendet partnere në proçesin e sigurisë fizike dhe menaxhimit të municioneve, proçes i cili duhet të konsiderohet si tepër i rëndësishëm. “Në këndvështrimin tim, proçesi i Sigurisë Fizike dhe Menaxhimit të Municioneve nuk është një proçes statik, por ai është dinamik, i cili i nënshtrohet parimeve të transparencës, vijueshmërisë, llogaridhënies dhe ekspertizës të vazhdueshme. Situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë po përballet me sfida të mëdha, ndaj ky proçes duhet të konsiderohet si një përpjekje e përbashkët që kërkon modernizim dhe trajnim të rregullt të ekspertëve”, – u shpreh ndër të tjera gjeneralmajor Begaj. Gjithashtu, gjeneralmajor Begaj falenderoi ambasadën e SHBA në Tiranë, Komandën e SHBA për Evropën (US EUCOM), si dhe Kompaninë Golden Ëest, për rolin aktiv në projektet e modernizimit të depove të municionit dhe trajnimin e personelit, duke marrë si shembull depon e municionit të Mirakës së rikonstruktuar me mbështetjen e palës amerikane. Forumi i Sigurisë Fizike dhe Menaxhimit të Rezervës së Municioneve, i cili zhvillohet për herë të parë në Tiranë, ka bashkuar personel ushtarak ekspert nga Shqipëria, Gjeorgjia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Qipro, të asistuar nga ekspertë të Hollandës dhe Komandës së SHBA për Evropën. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të shkëmbejnë eksperiencat e vendeve të tyre në fushën e menaxhimit të municioneve, si dhe do të vizitojnë disa nga projektet e modernizimit të FARSH të mbështetura nga pala amerikane.