Gjeneral për shtetin, humanist për qytetarët

  •  Edi Rama zbardh vendimin e kryesisë së PS e cila ka miratuar në unanimitet të plotë kandidaturën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Prof.Dr.Bajram Begaj për President të Republikës.
  • Prof.Begaj: Vlersim i madh të jemë President, nëse votohem do ta kryej me dinjitet dhe patriotizëm detyrën.
  • Besnik Musatafaj: Përvoja e tij, një garanci për integritet.
  • Zëri i Amerikës: Shqipëri, një Gjeneral për President
  • Orë pas ore me zhvillimet për përzgjedhjen e kandidaturës, takimi Rama-Begaj, jetëshkrimi i ikonës së Spitalit Ushtarak dhe Gjeneralit të besuar të NATO-s, si dhe jehona e shtypit botëror

Vendimi i Kreysisë/ PS vendosi në unanimitet për propozimin e kandidaturës për Kreun e Shtetit emrin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

NOA

 Prof. Dr. Bajram Begaj propozohet President i Republikës 2022-2027

Gjeneral Major Bajram Begaj, shefi i shtabit të Forcave të Armatosura, është i propozuari nga Partia Socialiste për postin e Kryetarit të Shtetit. Bega menjëherë pas publikimit të propozimit të tij në media është pritur nga Kryeminirti Rama në zyrën e tij në Kryeministri në një takim të shkurtër i cili u bë publik për mediat. Nga zyra e Kryeministrit begaj ka dhënë edhe prononcimin e parë për mediat rreth propozimit të tij për President. Gjeneral Begaj tha se është një vlerësim i madh që të jetë president i vendit dhe nëse votëbesohet nga socialistët do të jetë në lartësinë e detyrës. Kreu i qeverisë e garantoi se ka bindjen se do të votohet nesër në Kuvend dhe se do të jetë në lartësinë e kësaj detyrë. Begaj shtoi se si gjeneral, nderi, detyra dhe atdheu janë motoja e punës se tij. Rama: Sot kemi pasur një diskutim në kryesi shumë të gjatë, me shumë kandidatura dhe në fund ramë dakord që ishe kandidatura e duhur për ta normalizuar dhe për të institucionin e presidencës. Ju falenderoj që ju nuk shfaqët refuzim, por pranim do të jetë nder për ne që tu japim votën dhe të zgjidheni zyrtarisht president i republikës.

Begaj: Faleminderit kryeministër është vlerësim shumë i madh të jem president. Do të jem në lartësinë e detyrës. Janë të dyja profesion shumë të mira shumë të përkushtuara. Nëse do të votohem do jem i lumtur ta kryej detyrën me dinjitet.

Rama: Ne kemi bindjen se ju do të jeni në lartësinë e kësaj detyre. Të gjithë ato që morën fjalën folën me respekt dhe bindje që ju do të bëni më të mirën në atë detyrë. Uroj që të jeni deri në fund besnik ndaj shtetit. Ju do ta merrni shpejt.

Begaj: Nderi, detyra dhe Atdheu janë motoja e punës dhe besoj që do të jem 24/7 n ë shërbim të kësaj motoje.

Kryeministri Rama publikoi propozimin e Partisë Socialiste menjëherë pasi doli nga mbledhja e Kryesisë.  “Kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes e kandidaturës që do të cojmë në Kuvend për të votuar presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Sot procesi është përmbyllur duke vënë në dispozicion të gjitha kandidaturat e propozuara nga grupi parlamentar me zarfa. Janë ndarë kandidaturat në 3 grupe, është përjashtuar menjëherë dhe nuk është futur në tavolinë blloku i propozuar nga brenda grupi parlamentar”deklaroi Rama për mediat.

Gjatë deklaratës për media në selinë rozë Rama tha se PS duhet t’u japë shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë politike në këtë parti, por që rrezaton atë normalitet, atë qytetari dhe atë mirësi për të cilën kanë nevojë sot qytetarë. Ka pasur 26 kandidatura për të arritur në konkluzionin që do të mbështesë Bajram Begën, shefi aktual i Forcave të Armatosura për të qenë president i Republikës së Shqipërisë”, tha Rama. I pyetur nga gazetarët nëse kishte dijeni general Bajram Begaj për propozimin, kreu i qeverisë tha se pritet ta marrë në telefon gjenaralin dhe do të zvillonte një takim. Kryeministri Rama deklaroi se emri i propozuar nga Partia Socialiste nuk ishet një emër i propozuar prej tij, por i dalë nga një diskutim mes të gjithë anëtarëve. Kryeministri Edi Rama, i cili në kabinetin e tij ka shumë gra dhe njihet për mbështetjen ndaj tyre është pyetur përse PS propozon një burrë për kreun e ri të shtetit. “Kemi pasur në pjesën e fundit të diskutimi 3 gra e 3 burra. Është bërë një diskutim i gjatë” tha Kryeministri.

Besnik Mustafaj: Përvoja e tij një garanci për integritet

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka komentuar kandidaturën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begajt, si kandidat për president të republikës së Shqipërisë, i cili do të votohet këtë të shtunë në orën 18:00. Mustafaj tha se kjo është një zgjedhje shumë e mirë. Sipas tij eksperienca ushtarake e zotit Begaj do ta bëjë atë një president të mirë, edhe pse ai do të provohet në këtë detyrë të re. Pjesë nga biseda:

Zoti Mustafaj, tashmë kemi një kandidat për president, ai është zoti Bajram Begaj, cili është komenti juaj?

Nuk e njoh personalisht, por mua më vjen mirë, sepse detyra që ka ai, përvoja që ka ai, është një lloj garancie për integritet për Presidentin e Republikës.

Është i vetmi ushtarak në nivele kaq të larta dhe është mjek?

Ai ka bërë karrierë në ushtri, ka afër 30 vjet që është në ushtri dhe nuk është i pari mjek që arrin në grada kaq të larta. Përvoja në ushtri, e ka bërë karrierën në ushtri në këtë periudhën kur ushtria ka qenë e hapur, e depolitizuar, është për tu besuar se do të jetë një president i mirë.

Është një zgjedhje e mençur kjo e Ramës?

Mustafaj: Mbetet për tu provuar tani Gjeneral Begaj është i përshtatshëm për President, është një mision krejt ndryshe nga ajo që ka bërë deri më sot. Kemi patur dy president që vinin nga ushtria Moisiun dhe Nishanin, të dy janë përvoja pozitive.

Gjatë gjithë këtyre ditëve edhe pse pati një hermetizim në PS për emrat, sërish dolën disa emra, u duk sikur Rama luajti me efektin surprizë?

Sigurisht që ka luajtur, është një zgjedhje e Ramës, ai ka surprizuar edhe kryesinë e tij.

Si shihet në sytë e opinionit?

Publiku do të presë ta shohë në detyrë, unë jam i bindur, duke i bërë një paralajmërim, unë do të thosha që detyrën po e merr në një moment të vështirë për Shqipërinë. Nuk mund të jetë ndryshe përveçse përballë me Edi Ramën, duke iu përmbajtur Kushtetutën. Rama ka deklaruar publikisht që nuk e ka lexuar Kushtetutën, dhe presidenti do të gjendet përballë këtij kryeministri që nuk e ka lexuar Kushtetutën

Lajmi për kandidaturën e Bajram Begajt si President i Republikës i propozuar nga Partia Socialiste ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.

Mes tyre, në nëj artikull të ‘Reuters’ shkruhet: Shqipëria do zgjedhë shefin e mbrojtjes për president të republikës. Më tej agjensia ndërkombëtare e lajmeve i ka kushtuar një shkrim të veçantë kandidaturës së Bajram Begajt që pritet të votohet në orën 18:00 të seancën e së shtunës. Artikulli i plotë i “Reuters” Shqipëria do të zgjedhë shefin e mbrojtjes si president Kryeministri shqiptar Edi Rama tha të premten se partia e tij ka zgjedhur shefin e mbrojtjes së vendit për të qenë presidenti i ri, pasi nuk arriti të zgjidhte një kandidat me konsensus me opozitën. Gjeneral-major Bajram Begaj u bë shef i mbrojtjes së Forcave të Armatosura Shqiptare në vitin 2020, pasi mbajti poste të ndryshme brenda ushtrisë, kryesisht në fushën e mjekësisë. Rama tha se partia e tij diskutoi 26 emra, por më në fund vendosi se “Begaj është personi i duhur për të qenë president i Shqipërisë për pesë vitet e ardhshme.” Zgjedhja e presidentit të ri tashmë kishte dështuar gjatë tre raundeve në të cilat nevojiteshin tre të pestat e votave. Në dy raundet e fundit nevojitet një shumicë e thjeshtë dhe partia e Ramës tashmë ka 74 vota. Parlamenti pritet të mblidhet të shtunën në mbrëmje për të votuar kreun e ri të vendit.

 

 

 

Jetëshkrimi

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura. Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë. Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake. Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake. Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze.  Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Zëri i Amerikës: Shqipëri, një gjeneral për president!

Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare është kandidatura e përzgjedhura nga socialistët për postin e presidentit të ri të vendit. Emrin e tij e bëri publik, kryetari i PS dhe kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si “shëmbëlltyra e atij normaliteti, qytetarie dhe sensi të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyrë ka nevojë urgjente”. Rama bëri të ditur se kandidatura e tij ishte përzgjedhur në mesin e shumë emrave, ku më parë ishin përjashtuar ata që i përkisnin grupit parlamentar socialist, e më pas dhe ata që kishin, në një farë mënyrë, lidhje me Partinë Socialiste.“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një nga profilet më të larta të një shteti, dhe eksperienca na tregon se në radhën e presidentëve që kemi patur, ai që vinte nga forcat e armatosura është dhe presidenti që jo sot mbahet mend për mirë, por që do mbahet mend shumë gjatë”, tha kryeministri Rama duke përmendur ish presidentin Alfred Moisiu. Sipas kryeministrit “nëse i besojmë përfaqësuesve të Forcave të Armatosura, dhe një detyrë civile të jetës qytetare, ata përgjithësisht nuk zhgënjejnë”, u shpreh zoti Rama. Kandidatura e zotit Begaj, pritet të marrë nesër firmat e deputetëve të grupit parlamentar të cilët janë thirrur të mblidhen në orën 10.00, dy orë para skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave. Tre raundet e para u dogjën pa asnjë kandidat, pasi shumica dhe opozita dështuan në arritjen e një marrëveshjeje për të shkuar drejt një emri konsensual. Në raundin e katërt, socialistët e kanë shumicën e thjeshtë të votave, 70+1 deputet, që nevojiten për zgjedhjen e kreut të shtetit. Seanca e votimit do të mbahet të shtunën pasdite.

 

Gjen. Bajram Begaj gjatë intervistës për VOA deklaroi: Gjatë vitit të kaluar ne ishim mikpritës të stërvitjes Defender-21, e cila ishte një histori suksesi në lidhje me bashkëpunimin ushtarak. Me këtë stërvitje jo vetëm që patëm prezent ushtrinë amerikane në tokën tonë, por u testua edhe roli gjeostrategjik dhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë, po ashtu u testuan edhe kapicitetet kombëtare, qoftë ushtarake, qoftë civile në drejtim të përdorimit të kësaj infrastrukture në drejtim ushtarak.

  

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, mori pjesë në Takimin e 187-të të Komitetit Ushtarak të NATO-s, në Bruksel, Belgjikë.

Takimi i Komitetit Ushtarak u hap nga kryetari i Komitetit Ushtarak, admiral Rob Bauer i cili theksoi se NATO-s është aleanca më e suksesshme në histori: së pari për aftësinë për të qenë të bashkuar, dhe së dyti aftësia e saj për të ndryshuar. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm, z. Jens Stoltenberg, në fjalën e tij evidentoi ndryshimin e mjedisit të sigurisë, si pasojë e luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, duke e përshkruar atë si mjaft të rrezikshme dhe të paprecedentë për sigurinë Euroatlantike. “Presidenti Putin po dështon në  arritjen e objektivave strategjik. Ukraina po reziston, NATO mbetet e fortë dhe uniteti transatlantik është solid.” – u shpreh sekretari Stoltenberg.

Takimi vijoi më tej me sesionet kushtuar luftës në Ukrainë; partnerët Finlandë dhe Suedi; vlerësimi operacional i komandantit Suprem të Aleatëve për Evropën, gjeneral Tod Wolters dhe vlerësimi i Komandantit Suprem të Aleatëve për Transformimin, gjeneral Philippe Lavigne mbi konceptin e ardhshëm të Zhvillimit të Luftës si dhe Udhëzimin Politik 23, si dhe situata në rajonin indo-paqësor dhe roli i Australisë, Japonisë, Zelanda e Re, Republika e Koresë. Ndërkohë, në seancën e fundit u zhvillua takim privat midis shefave të Mbrojtjes për të shkëmbyer mendime të hapura për çështje strategjike.  Gjeneralmajor Begaj në ndërhyrjen e tij theksoi qëndrimin e Shqipërisë kundër agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjen që Shqipëria ka dhënë dhe vijon të japë. Gjeneralmajor Begaj i bëri me dije Komitetit Ushtarak se: “Shqipëria në koordinim të ngushtë me aleatët ka angazhuar instrumentet e saj politik, diplomatik dhe ushtarak për të mbështetur Ukrainën. Ne kemi dhënë ndihmë në materiale luftarake dhe humanitare për Ukrainën dhe aktualisht po planifikojmë të dërgojmë një sasi tjetër donacionesh. Komiteti Ushtarak është përgjegjës për këshillimin e autoriteteve politike të NATO-s mbi masat që konsiderohen të nevojshme për parandalimin dhe mbrojtjen e përbashkët të territorit të NATO-s, si dhe për zbatimin e vendimeve në lidhje me operacionet dhe misionet e NATO-s.”

 

 

Ja lista e 11 kryetarëve shtetërorë të Repblikës së Shqipërisë, 1928-2022

Nga 25 Janari 1928, kur u zgjodh Presidenti i parë i Shqipërisë dhe deri më sot kur do votohet presidenti i ri Prof.Dr.Bajram Begaj, vendi ynë ka pasur 11 Kryetar Shtetërorë. Presidentët në Shqipëri zgjidhen nga një kuvend shumëpartiak. Nga 28 nëntori 1912 deri më sot, Haxhi Lleshi është personi që ka mbajtur më gjatë postin e Kryetarit të Shtetit Shqiptar, për thuajse 30 vjet. Presidenti i parë i vendit ka qënë Ahmet Zogu.

Ja lista e Kryetarëve të Shtetit nga 1928 deri më 2022

Ahmet Zogu, 25 janar 1928 – 30 gusht 1939

Omer Nishani, 10 janar 1946 – 1 gusht 1953

Haxhi Lleshi, 1 gusht 1953 – 22 nëntor 1982

Ramiz Alia, 22 nëntor 1982 – 9 prill 1992, njëkohësisht edhe presidenti i parë pas rënies së komunizmit

Sali Berisha, 9 prill 1992 – 24 korrik 1997 (Dy mandate)

Rexhep Mejdani, 24 korrik 1997 – 24 korrik 2002

Alfred Moisiu, 24 korrik 2002 – 24 korrik 2007

Bamir Topi, 20 korrik 2007 – 24 korrik 2012

Bujar Nishani, 24 korrik 2012 – 24 korrik 2017

10-Ilir Meta, 24 korrik 2017 – 24 korrik 2022

11-Bajram Begaj, 24 korrik 2022 – 24 korrik 2027