Gjata: Hapja e listave hipokrizi e Ramës për të ndaluar koalicionet, është i humbur

277
Sigal

Debate të shumta kanë përfshirë politikën në vend, teksa nisma e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet në kushtetutë, kundërshtohet nga opozita dhe presidenca.

Në një intervistë, Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata, tha se opozita nuk e mbështet këtë nismë, sepse u ra dakord më 5 qershor, kur dhe u firmos marrëveshja.

Gjata u shpreh se në muajin janar, u nënshkrua që çfarë do të vendosë Këshilli politik, do të miratohet në parlament.

Çlirim Gjata: ”Nuk jemi dakord me të sepse kemi bërë marrëveshje. Kjo është e para. Ne ulemi, bëjmë një marrëveshje, biem dakord, mirë apo keq, ramë dakord u firmos u mbyll, u bë drafti duhet të miratohet në parlament. Ti kërcet edhe thua do bëj ndryshime të tjera, që e zhbëjnë praktikisht dhe ligjërisht këtë marrëveshje, sepse akoma nuk ka kaluar për votim. Çfarë kuptimi ka, pse u bë 6 muaj kjo marrëveshje, për çfarë u bë gjithë kjo punë? Me ndërhyrjen e faktorit serioz ndërkombëtar, si Bundestagu apo krerët e BE-së, u ulëm dhe bëmë reformë zgjedhoren. I thanë Ramës ulu dhe bëjë me opozitën reale jo atë parlamentare. Në janar u nënshkrua, çfarë do vendosë Këshilli Politik do të miratojë parlamenti. Vendosi Këshilli Politik, duhet ta miratojë parlamenti.”

Sipas Gjatës, hapja e listave është një hipokrizi dhe mashtrim i kryeministrit Rama për të ndaluar koalicionet parazgjedhore, pasi është i humbur dhe është vetëm kundër të gjithëve.

Ai mendon se Rama po  do të ndryshojë Kushtetutën për ruajtjen e pushtetit personal.

Çlirim Gjata: ”Pse duhen këto tani? Pse po i ndalon Rama koalicionet? Po ja kërkojnë deputetët parlamentare? 99% e tyre janë kryetarë partish të vogla, pa koalicione parazgjedhore nuk hyjnë dot në parlament. Hapja e listave ishte një hipokrizi dhe mashtrim për të mbuluar ndalimin e koalicioneve sepse ai është i humbur. Është vetëm kundër të gjithëve dhe kundër një arsye normale njerëzore.

Rama është i humbur. Imagjinoni derisa bën një veprim të tillë që ka frikë nga koalicionet dhe po i thotë të gjithë jam i humbur, jam i detyruar të ndryshoj kushtetutën për të ruajtur pushtetin personal. Kur themi pushtetin personal nuk është thjesht një karrige kryeministri, por privilegjet dhe abuzimet financiare që ka bërë këto 7 vite apo edhe më herët, të cilët humbën dhe nuk ka siguri se çfarë do bëjë. Prandaj dhe ai është i tmerruar. Kjo është një marrëzi ekstreme.”