Gerdi Bogdani: Pastrimi i parave dhe korrupsioni janë aleatët e Ramës në zgjedhjet e 25 prillit

387
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gerdi Bogdani ish deputet i PD-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se kryeministri Rama jeton në virtualitetin e tij në ERT, prandaj, qëllimisht dështimet i propagandon si suksese. Zoti Bogdani pohon se apeli i SHBA dhe PE, që në 25 prill të mos kandidohen persona të lidhur me krimin, i drejtohet kryeministrit Rama, i cili deri tani personat me rekorde kriminale i bëri deputetë dhe kryebashkiak. Ishdeputeti Bogdani pohon se Rama nuk ka aleatë politikë në zgjedhjet parlamentare, ngaqë tashmë askush nuk e beson, por ka aleat pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionin.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

-Zoti Bogdani, ju si e shpjegoni që DASH  në raportin 2020 thekson se në Shqipëri është problem pastrimi i parave të krimit dhe korrupsionit?

– Një nga problematikat kryesore në lidhje me pastrimin e parave në Shqipëri, është se me gjithë raportet e shumta të ndërkombëtarëve, institucionet shqiptare nuk kanë marrë masat e duhura për ta prandaluar e as luftuar këtë fenomen. Fatkeqësisht, janë bërë edhe palë me këtë fenomen, siç del edhe në hetimet e fundit të Ndraghetës. Pastrimi i parave nëpërmjet lejeve të ndërtimit, kryesisht në Bashkinë Tiranë, tashmë është bërë një problem për partnerët ndërkombëtarë. Kjo problematikë është trajtuar edhe në rezolutat e Partive Popullore Europiane, në deklaratën e fundit të Komisionit të Jashtëm Europian dhe para jo më shumë se një muaji u risoll në vemendje në përgjimet e antimafias italine gjatë hetimit të tyre mbi Ndraghetën. Ndërkohë DASH thekson problemin e pastrimit të parave në Shqipëri, pasi e cilëson Shqipërinë, jo vetëm një vend prodhues dhe eksportues të kanabisit, por edhe një udhekryq dhe pikë të rëndësishme në trafikimin e drogave të rënda, kryesisht kokainës nga Amerika e Jugut. As për këtë institucionet nuk kanë marrë masat e duhura dhe të kërkuara nga ndërkombëtarët.

“Keqqeverisja, korrupsioni, bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe dështimet në 8 vite, kanë bërë që edhe ish aleatët e Ramës në 2013-n të mos duan të garojnë në aleancë me Rilindjen në 25 prill”

DASH thekson problemin e pastrimit të parave në Shqipëri, e cilëson vendin tonë  vend prodhues dhe eksportues të kanabisit dhe udhëkryq pikë të rëndësishme në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut”

– Ju si mendoni: Kush hoqi nga Raporti i Parlamentit Europian për Shqipëri i publikuar ditë më parë shprehjen: “Pasi të përmbushë kushtet e vendosura nga  Këshilli i Europës”, ku theksohej se “PE rekomandon hapjen e negociatave”?

– Kjo është çështje lobingu, nga grupet që kërkojnë të influencojnë raportet mbi Shqipërinë, duke tentuar të mbyllin sytë dhe të heshtin për keq-qeverisjen e Ramës. Por, që në fund dështuan, pasi eurodeputeti Lega nuk ra pre e kësaj manovre dhe arriti të vendosë tekstin original, ku theksohet se parësore është përmbushja e kushteve nga qeveria shqiptare, të cilat nuk janë përmbushur ende, me një mungesë të qartë vizioni, por edhe dëshirë për të hedhur hapat e duhur përpara për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Për zotin Rama ne deri tani i kemi hapur negociatat dy herë, njësoj si dy aeroportin e Vlorës, nga një për mandat. Ky është problemi kryesor i Shqipërisë, Rama jeton në virtualitetin e tij në ERTV dhe jo në realitetin e vendit”

–  Kur kryeministri Rama pohon se Shqipëria i ka bërë detyrat e veta të integrimit, ndërkohë, PE thekson në raportin e tij se pa plotësim kushtesh nuk ka negociata, çdo të thotë kjo përplasje qëndrimesh Rama – PE?

– Për zotin Rama në deri tani i kemi hapur negociatat dy herë, njësoj si dy aeroportin e Vlorës, nga një për mandat. Ky është problemi kryesor i Shqipërisë, kryeministri i vendit jeton në virtualitetin e tij të transmetuar në ERTV dhe jo në realitetin e vendit. E vërteta fatkeqe për shqiptarët është se sot Shqipëria është më larg familjes Europiane, për shkak të keq-qeverisjes këto 8 vite, por edhe të mungesës së përkushtimit për të përmbushur kushtet e vendosura nga PE.

-SPAK- u për Dosjen 184 dhe 339 dënoi vetëm 20 persona për krim elektoral, por shfajësoi kryeministrin Rama, ministra dhe deputetët e Rilindjes që zbardhen në autopërgjimet si drejtuesit e urdhëruesit e krimit elektoral. Por PE, KE këmbëngulin të dënohen ata që vodhën votat. Ju çfarë besoni? U kyç në arkiv përfundimisht krimi elektoral?

– Deri tani, sa i përket krimit zgjedhor të blerjes së votave i bie që janë dënuar vetëm të ashtuquajturat “cironka”, ndërkohë që “peshkaqenët” janë edhe kandidat për deputet në Rilindje. Por besoj se kjo nuk ka për të zgjatur shumë, pasi PE vazhdon të vendosë si kusht dënimin e personave përgjegjës për shit-blerjen e votës, si i tillë ky kusht duhet plotësuar, nëse duam të hyjmë në familjen europiane. Nëse Rama nuk ka vullnet ta bëjë një gjë të tillë, si përfitues direkt, këtë gjë do ta bëjë qeverisja e ardhshme. Është për të ardhur keq, që institucionet e Drejtësisë shqiptare vijojnë të mos gjykojnë me seriozitet këtë krim zgjedhor, që është një nga shkeljet më të mëdha të drejtës së votës dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme, të cilat janë hapi më i rëndësishëm për të prodhuar një demokraci të shëndetshme në Shqipëri.

“Mesazhi i SHBA dhe PE-KE për të mos kandiduar persona nga bota e krimit i drejtohet z. Rama, pasi ai i hapi dyert njerëzve të krimit të organizuar dhe i veshi me mandatin e deputetit dhe kryetarit të bashkisë”

– Jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Rilindja ka të gjitha pushtetet: Qendror dhe vendor, thuajse dominon administratën zgjedhore, Gjyqësorin, (derisa nuk u dënua vjedhja e votave të dosjes 184 dhe 339), ambasadorët thuajse funksionojnë si sponsor politik të Rilindjes (në heshtje u pajtuan me shkeljen e Marrëveshjes së 5 Qershorit nga Rama). Cila do jetë garancia që më 25 prill nuk do vidhet  sërish vota?

– Ndryshimin e bën vota e qytetarëve shqiptarë, e cila nëse është masive, rrëzon çdo kryeministër apo kriminël, që tenton të blejë vota. Mund të blihen e të vidhen 500, 5000 vota, por një rezultat zgjedhor, që është fryt i qindra mijëra votave, as nuk shitet, as nuk vidhet e as nuk tjetërsohet sot. Sidoqoftë, opozita do të marrë çdo masë në fuqinë e saj, që ky fenomen të minimizohet dhe të mos ndikojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe rezultatin e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, çdo organizëm monitorues i zgjedhjeve e çdo votues duhet të denoncojë me forcë çdo shkelje të lirisë së votës.

“Është për të ardhur keq, që institucionet e Drejtësisë vijojnë të mos gjykojnë krimi zgjedhor të dosjeve 339 dhe 184, që është një nga shkeljet më të mëdha të drejtës së votës dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme”

– Zoti Bogdani, është rastësi që thuajse të gjithë ambasadorët në Tiranë, PE, KE Bundestag bëjnë thirrje që në 25 prill të mos kandidojnë persona me rekorde kriminale. Pse ky alarm? Ka indicie? Kujt i drejtohen?

– Ky alarm është i natyrshëm, duke parë historikun e zgjedhjeve dhe listave zgjedhore, përbërjen e parlamentit në legjislaturat e fundit dhe drejtuesit e pushtetit lokal. Është e natyrshme që ky mesazh i drejtohet z. Rama, pasi është ai që i hapi dyert njerëzve të krimit të organizuar dhe i veshi me mantelin e deputetit apo kryetarit të bashkisë. Sidoqoftë, besoj se mesazhet si ato publike, si ato jo publike kësaj here janë shumë të forta dhe besoj e shpresoj që do të jenë po aq detyruese. Nëse këto mesazhe nuk merren parasysh e këta kandidatë janë sërish në lista, atëhere janë qytetarët, që duhet patjetër ta bojktojnë e të mos e votojnë këtë model kriminal politike.

-Megaskandalet e korrupsioni të Rilindjes thuajse po denoncohen përditë, shqiptarët varfërohen sa 550 mijë shqiptarë janë emigruar në 5 vitet e fundit, keqmenaxhini i pandemisë nga qeveria është kaq i dukshëm. Ju si e shpjegoni, që në sondazhet e fundit Rilindja ka përqindje të lartë të besimit te elektorati?

– Sondazhet kohët e fundit janë bërë si letrat me vlerë. Ndërkohë sondazhi që vitet e fundit ka qenë më i sakti në parashikimet e zgjedhjeve, ai i bërë nga Ora Neës, nxjerr opozitën fituese në zgjedhjet e 25 Prillit. Sidoqofte jam i bindur se, nëse në 25 Prill do të ketë pjesemarrje masive të qytetarëve në votime rezultati është i qartë, votë për ndryshim dhe për një Shqipëri më të mirë, për rrjedhojë për një qeverisje të re.

“Rezultati i 25 prillit është i qartë, votë për ndryshim dhe për një Shqipëri më të mirë, për rrjedhojë për një qeverisje të re”

– Zoti Bogdani, pse në 25 prill Rilindja garon pa aleatë, ndërkohë që në 2013 ishte Aleanca e Majtë që mblodhi 1 milionë vota?

– 1 milionë shuplakat e famshme të Edi Ramës do të kthehen në 1 milione shkelma nga qytetarët shqiptarë! Keqqeverisja dhe dështimet në 8 vite, kanë bërë që shumë pak të kenë dëshirën të garojnë në krah të kësaj maxhorance. Edhe kjo mungese aleatesh mund të konsiderohet si dështim në 25 prill.

-Ku bazohet optimizmi i Opozitës së Bashkuar se në 25 prill do të fitojë Koalicioni i saj “Aleanca për Ndryshim”?

– Tek programi që i ofron qytetarëve shqiptarë, konkret, i prekshëm dhe i realizueshëm. Në besimin që sikurse edhe ne, shqiptarët duan një Shqipëri më të mirë dhe një qeveri që punon për ta dhe jo për një grusht oligarkësh. Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë!

– Faleminderit!