Gentian Çala: Opozitarizmi i fjetur, strategji apo jo?!

575
Sigal

Gentian Çala

Periudha nga korriku 2019, kur u mbajt protesta e fundit e opozitës së bashkuar, deri tani, është karakterizuar nga një opozitë e tërhequr, e përqëndruar vetëm te reforma zgjedhore ose te ndonjë denoncim i aferave qeveritare. Plani 9 pikësh i Bundestagut ishte një konfirmim i planit opozitar për dalje nga kriza dhe kjo mund të quhej padyshim fitore e opozitës. Natyrisht që opozitës i duhej një moment frymëmarrje dhe riorganizimi, duke presupozuar për zgjedhjet e afërta parlamentare.Qeveria dhe Rama ndërkohë kishin përgatitur për një kohë relativisht të gjatë kapjen e Gjykatës Kushtetuese, gjë e cila hapi një front të ri konflikti midis institucionit të Presidencës nga njëra anë dhe drejtuesit të KED-së dhe mazhorancës, në anën tjetër. Opozita ishte thuajse vëzhguese në këtë debat, gjë e cila e çoi Presidentin deri në kërkimin e mbështetjes popullore përmes bashkëbisedimit me ta (një aktivitet i anulluar për shkak të tërmetit) dhe të ushtrimit të referendumit, si formë e drejtpërdrejtë e vendimmarrjes sovrane. Periudha e pastërmetit fashiti gjithë betejën politike, madje dukej si paqe e heshtur, si qetësia para stuhisë. Mediat proqeveritare kanë tentuar vazhdimisht diversionin midis faktorëve opozitarë, ata kanë shigjetuar si mëkatar Z.Basha, madje duke e stigmatizuar si flirtues me Ramën. Kjo u intereson dhe kësaj i kanë mëshuar. Opozitarizmi i fjetur i ka shërbyer kësaj “teze” dhe e ka ushqyer atë. Shumë opozitarë gjenden në “konfliktin” e dy shpejtësive: të asaj me të cilën ecën lidershipi dhe të asaj ne të cilën kërkojnë të ecin ata vetë.

Po përse ky ndryshim në gjysmën e dytë të vitit 2019? Pse opozitarizmi i fortë u këmbye me opozitarizmin e fjetur?

Çfarë ndikoi?

Ishte rrjedhë logjike apo strategji, apo mbase asnjëra nga këto?

E vështirë të gjesh një përgjigje. Por, në vend të diskutimit për zgjedhjet e opozitës, ndoshta duhet ndërtuar pyetja ndryshe: çfarë është më e mirë për vendin? Natyrisht një opozitë e mëkëmbur dhe aktive. Kjo padyshim është më mira për situatën ku gjendemi.Një forcë madhore ka interferuar në jetën politike në Shqipëri, tërmeti, e cila mund të krijojë edhe një situatë të re sociale, politike dhe ekonomike. Ajo mund të kthehet apo të përdoret për kapital politik nga secila palë. Kjo nuk duhet lejuar, pasi gabimet e kësaj mazhorance janë kaq shumë saqë nuk mund të kompemsohen me asgjë, as me rindërtimin (për të cilin uroj që të ndodhë sa më shpej). Betejat antiautokraci duhet të koordinohen dhe të jenë kumulative. Duhet të ketë një bllok opozitar, jo domosdoshmërisht e përbërë nga opozita poltike, por duke përfshirë këdo që nuk pajtohet me këtë model qeverisës.Opozitarizmi i fjetur, me fillimin e vitit të ri, duhet këmbyer me opozitarizmin aktiv, pa asnjë ujdi, pa tërheqje, drejt zgjedhjeve të reja. Krijimi i organeve të reja të drejtësisë mund ta pengojë këtë gjë, por duhet bërë presion pozitiv edhe në këtë aspekt. Miratimi i kodit zgjedhor dhe funksionimi i gjykatës kushtetuese, i hapin rrugën zgjedhjeve të reja. Opozita duhet të formulojë alternativën dhe të organizojë strukturat, ku hapja e kujdesshme krijon premisëm e rikthimit në pushtet. Opozitarizmi duhet të jetë motivim, kontribut dhe ndryshim, jo thjesh rrokadë pushteti e pavlerë për qytetarët.

Strategjia duhet të ketë tre elementë:

– kohezionin opozitar;

– vazhdimin e demaskimit të autokracisë dhe të korrupsionit qeveritar;

– alternativën qeverisëse;

– pjesëmarrjen në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme;

– përgatitjen e strukturave për garën elektorale.

Kjo është beteja për Shqipërinë e dekadave të ardhshme dhe jo thjesht një betejë pushteti. Vetëm kështu triumfon demokracia dhe pushteti i kthehet qytetarëve.