Gentian Çala: LSI-ja, realiteti politik që duhet të ringrihet

390
Sigal

Më kujtohet se kur drejtoja spitalin e qytetit tim para disa vitesh erdhi një kontroll periodik i FSDKSH-së dhe drejtuesja e grupit te kontrollit (simpatizante e PS-së) me pyeste: si ka mundësi që je me LSI-në dhe kaq i drejtë?! Ishte vetëm viti i parë i koalicionit PS-LSI. Kuptova se zonja ishte pre e një paragjykimi apo përgjithësimi që ekzistonte për forcën politike ku aderoja. Më pas dëgjoja komente nga kundërshtarët politikë se jam në partinë e gabuar, e unë vazhdova të pyesja veten se çfarë është kaq e gabuar me partinë ku aderoja, por gjeja si përgjigje vetëm diversionin verbal që kishte për qëllim kompleksimin tim.

Si çdo parti tjetër në vend fillimisht u krijua nga një shumicë idealistësh, por duke ardhur ne pushtet dhe duke u zmadhuar mblodhi edhe të tjerë: interesaxhinj, mjelës, pazarxhinj, servilë, shëtitës që i merrnin me radhë partitë. Fillimisht u mbështet te biznesi, gjë e cila ndryshoi pas 2013 sipas këshillave të miqve duke afruar njerëz edhe nga bota akademike apo intelektualë. Biznesi dhe te fortët mbetën në linjën e dytë. Kishte një tentim, në periudhën 2013-2016, që partinë t’a shndërronte nga një parti elektorale në një parti me strukturë, organizim, forume dhe zgjedhje, por kjo pa prekur lidershipin. Zgjedhjet e brendshme në parti të vitit 2016 ishin më të mirat për nga organizimi dhe produkti.

Vlerat si solidariteti dhe fjala e mbajtur që karakterizonin LSI-në filluan të zbehen ca nga ndryshimi i burimeve njerëzore brenda partisë dhe ca nga bjerrja e pushtetit. Udhëtimi i Ilir Metës drejt Presidencës krijoi një vakum lidershipi, pasi e gjithë partia ishte shtresa-shtresa e krijuar rreth tij. Të çarat u krijuan në vijim dhe shumë pakënaqësi filluan të shpërfaqen, madje disa stimuloheshin edhe nga kundërshtarët politikë. Kalimi i Ilir Metës ne Presidencë dukej si hapi parë i aksionit drejt rrudhjes apo “shkatërrimit” të LSI-së, gjë e cila u ndihmua edhe nga gabimet politike që u bënë nga opozita e pas zgjedhjeve të 2017-s.

LSI-ja ka bilancin e saj, i cili i zhveshur nga balta, mund të konsiderohet pozitiv në mjaft aspekte ndër vite posaçërisht, në stabilitetin politik, proceset integruese dhe në check-and-balance që krijoi brenda strukturës shtetërore. LSI-ja dëshmoi se një forcë politike e ndërtuar mbi parime mund të jetë konkurruese dhe nëse ajo heq dorë nga parimet mund të rrezikojë ekzistencën. Ndaj jemi në momentin e rigjetjes apo rikrijimit të parimeve. Ata që mendojnë se asetet të vetme politike në vend janë dy partitë tradicionale e kanë gabim, posaçërisht në kohët e turbullta që po jetojmë. Vendi sot me shumë se kurrë ka nevojë për parti politike dhe jo për satelitë politikë pushteti.

LSI-ja nuk duhet të shkrihet, por duhet të rikrijohet në lidership, program dhe strukturë. Ajo nuk ka qenë mëkatarja që shpallin disa, as virgjëresha siç mund të pretendojnë disa të tjerë, disi e llastuar ka qenë, por ende ka potencialin t’i kontribuojë vendit.