Genc Pollo: PD të kërkojë falje për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale

264
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një thirrje miqve e kolegëve të Kryesisë!

Shoh se edhe mes deputetëve demokratë të (ri)zgjedhur në 25 prill, ka ende debat ose të paktën opinione të kundërta, mbi dy vendime të rëndësishme të Partisë Demokratike në pranverë 2019: djegia e mandateve dhe bojkoti i lokaleve (më tej, djegia&bojkoti). Këto dy vendime, sipas një analize aritmetike i hoqën opozitës afro 8 mandate deputetësh, me të cilat ajo do të mund të kishte realizuar rotacionin politik me një mazhorancë të ngushtë në Kuvend. Siç ndodhi edhe në Mal të Zi në gusht 2020. Disa studiues të tjerë, konkludojnë se pa djegien&bojkotin, opozita do të kishte marrë më shumë se 8 mandate shtesë. Ata që ende e justifikojnë djegien&bojkotin, përmendin demoralizimin e popullit opozitar në fillim të v. 2019. Pa debatuar për matjen, shkaqet e menaxhimin e demoralizimit të elektoratit tënd, por duke e marrë të mirëqenë argumentin se djegia&bojkoti e entuziazmoi popullin opozitar deri në verë 2019, lipset, që ata të përgjigjen edhe për shkallën e demoralizimit të këtij populli në vjeshtë e dimër të po atij viti, mbasi u pa se nuk u arrit as ndryshimi i pushtetit, e as ndonjë koncesion domethënës prej tij. Pa llogaritur këtu segmentin jo partiak të opinionit/elektoratit, që shpesh është vendimtar në zgjedhje e, që nga sondazhet, rezultonte skeptik e kritik, ndaj djegies&bojkotit. Ata që thonë se bojkoti evitoi “masakrën elektorale” të lokaleve në 2019, a mos janë inkonsistentë, kur ankohen për të njëjtën gjë mbas 25 prillit 2021? Si dhe kur pranojnë mandatet parlamentare mbasi refuzuan ato bashkiake?

“Mbas pak ditësh mblidhen forumet drejtuese të PD-së. Ata do të analizojnë fushatën e zgjedhjet e 25 prillit, si vonesa në emërimin e drejtuesve politikë të fushatës apo të kandidatëve në listë dhe kryeproblemin “djegie&bojkot” “

Ata që thonë se duke marrë një masë drastike, u ndërgjegjësua komuniteti ndërkombëtar për problemet e rënda të demokracisë shqiptare mund të kenë drejtë, por po thonë një pjesë të së vërtetës. Pjesa tjetër, më e madhe, e së vërtetës, eshtë se komuniteti ndërkombëtar, druajti se mos akti i paprecedent i djegies së mandateve, bëhej ortek destabilizues në demokracitë e brishta të Ballkanit, e më gjerë. Dhe kjo për ta ishte ku e ku më e rëndësishme se hallet e opozitës shqiptare, apo edhe të vetë Shqipërisë. Prandaj dhe disa prej ndërkombëtarëve në Tiranë, u bënë edhe më të paturpshëm në avokatinë e regjimit. Kush thotë se nuk mund të rrinim më në Kuvend, sepse aty opozita nuk gëzonte të tërë të drejtat parlamentare, thotë një të vërtetë të pjesshme, si dhe një konkluzion të pasinqertë. Gjithsesi, justifikuesit duhet të dinë se, motivet e synimi kanë rëndësi, por se rezultati e pasoja janë përcaktuese në politikë, ashtu si dhe në çdo aspekt të jetës. Dhe në rastin e djegies&bojkotit, këto të fundit, rezultuan një katastrofë për Partinë Demokratike. Për mendimin tim, opozita në v.2021, duhet të qartësojë qendrimin a saj  lidhur me dy vendimet e veta të v.2019. Në rradhë të pare, për motive parimore etiko-politike, mbasi qartësia në çështje madhore të forcon besimin e atyre që të votuan dje, e që të përkrahin sot; si dhe të fiton besimin e atyre që mund të të votojnë nesër. Në rradhë të dytë, për arsye taktike: shtatori do të nisë me sfida e përballje dhe opozita parlamentare është në situatë më të vështirë se në tetë vitet e shkuara. Gjithashtu, ajo ka përballë një makinë propagandistike të specializuar për të shpjeguar dështimet e qeverisë si probleme të opozitës. Është e paduhur t’i ofrosh asaj një problem, që opozita ende e ka nëpër këmbë. Unë, për veten time, zgjodha që pas 25 prillit, të analizoja e konkludoja publikisht se djegia&bojkoti, ishin gabime fatale për Partinë Demokratike; gjithashtu për votën time pro këtyre vendimeve në Grupin Parlamentar e në Këshillin Kombëtar zgjodha, që me përunjësi, të kërkoja ndjesën a atyre, që më kishin votuar në këto dy forume. Nuk m’u duk me vend, që të kritikoja ata që votuan si unë apo edhe atë, që bëri beftas propozimet në fjalë. Mbas pak ditësh mblidhen forumet drejtuese të PD-së. Ata do të analizojnë fushatën e zgjedhjet e 25 prillit, do të shpjegojnë rezultatin a tyre dhe do të dalin me konkluzione e plane veprimi për më tej. Jam besimplotë se ndërsa do të analizojnë probleme si përshembull, vonesa në emërimin e drejtuesve politikë të fushatës apo të kandidatëve në listë, nuk mund të lenë jashtë vëmendjes kryeproblemin “djegie&bojkot”. Por do t’u propozoja që, krahas një kërkesëfalje për gabimin, të konkludojnë se partia kurrë më, nuk do të futet në ujra të tilla.