Genc Deromemaj kallëzon në SPAK, Drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit

460
Sigal

Ditën e sotme, nëpërmjet një deklarate Kryetari i PD Vlorë, Genc Deromemaj, ka treguar për kallëzimin penal që ka bërë kundër Drejtori të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.

“Kallzimi, i është drejtuar Strukturës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, kundër Dritan Agollit, Drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Kallzimi në fjalë është kryer në lidhje me procedurat e prokurimit për “Rikualifikimin urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit dhe Sheshi i Flamurit”, me vlerë të fondit limit rreth 920 milion lekë pa TVSH.”,- ka treguar Deromemaj në deklaratën e tij.

 

Deklarata e tij e plotë: 

Të nderuar qytetarë!
Jam sot këtu, në emër të PD Vlorë, për të bërë publik, Kallzimin e Veprës Penale të parashikuar në Nenet 248 “Shpërdorimi i detyrës” dhe 258 “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” të Kodit Penal.

Kallzimi, i është drejtuar Strukturës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, kundër Dritan Agollit, Drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Kallzimi në fjalë është kryer në lidhje me procedurat e prokurimit për “Rikualifikimin urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit dhe Sheshi i Flamurit”, me vlerë të fondit limit rreth 920 milion lekë pa TVSH.

Nga faktet e shumta, të cilat i kemi referuar dhe në kallëzimin penal, rezulton se jemi përpara veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme, që passjellin përgjegjësi penale, në të paktën dy drejtime. Konkretisht:
(i) në skualifikimin në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore për “Prokurimin publik” të disa ofertuesve që kanë marrë pjesë në këtë prokurim;
(ii) Pranimin dhe kualifikimin si të suksesshme të ofertës së bërë nga opertatori, në kundërshtim me kriterin e percaktuar në dokumentat standarte të tenderit.

Oferta në vlerën e 700 milion leke pa TVSH e shoqërisë “Gener 2” Sh.p.k. e identifikuar si oferta fituese, krahasuar me ofertën në vlerën prej 540 milion lekë të shoqërisë “Curri” Sh.p.k. & “Alba Konstruksion” Sh.p.k. ka një diferencë prej 160 milion lekë pa TVSH, ose e thënë ndryshe rreth 2 miliard lekë të vjetra më tepër.

Kjo diferencë është një shumë tepër e konsiderueshme duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik fondeve publike të buxhetit të shtetit.

Partia Demokratike Vlorë shpreh gadishmërinë e plotë, për të mbështetur SPAK gjatë këtij hetimi, të bindur, ashtu si i gjithë opinioni publik që ka besim në SPAK, se ky institucion do të angazhohet seriozisht, për të ndalur shpërdorimin e hapur të fondeve publike për interesa klienteliste, në dëm të interesit publik.

Ne nuk jemi kundër investimeve në qytet, dhe i mirëpresim ato, por jemi kundër praktikave të përdorura në prokurimet publike, të cilat i rëndojnë buxhetit të shtetit dhe xhepave të taksapaguesve shqiptarë.

Gjithashtu, Partia Demokratike Vlorë, është duke përgatitur një kallëzim penal drejtuar SPAK edhe për projektin që po zbatohet në zonën e Skelës, i cili rezulton se ka të njëjtat praktika ashtu si edhe për projektin e Sheshit të Flamurit.

Nuk jemi këtu për të bërë politikë, por për të bërë atë detyrë qytetare dhe institucionale, të cilën duhet ta bënte çdo shtetas, shoqëri civile apo institucion i pavarur, në mbrojtje të pasurisë të të gjithëve, e cila nuk mund të trajtohet e të jepet si një mall pa zot, në shërbim vetëm e vetëm të pasurimit të një grupi të vogël njerëzish.

Ne i bëjmë thirrje opinionit publik dhe ndjeshmërisë qytetare vlonjate, që të jenë të vëmendshëm ndaj praktikave të tilla, për të parë përtej propagandës me imazhin që krijojnë investime të tilla, të cilat në të vërtet kryhen me një kosto shumë herë më të lartë nga sa nevojiteten me të vërtet!
Ju faleminderit!

 

Kallëzimi penal i plotë i Kryterarit të PD-Vlorë: 

K A L L Z I M     P E N A L

KALLZUES:  Partia Demokratike Dega Vlore,  Perfaqesuar nga Z. Genc Deromemaj.

ME OBJEKT: Kallzim i veprës penale të parashikuar në nenet 248 “Shpërdorimi i detyrës” dhe 258 “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publiketë Kodit Penal.

KUNDER: ­­­Dritan Agollit, Drejtor i Fondit Shqiptar te Zhvillimit.

BAZA LIGJORE:   Nenet 280 dhe 283 te K.Pr.Penale, si dhe nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.

DREJTUAR: Struktures se Posacme kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar SPAK

Bazuar në nenet 280 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale parashtrojmë këtë kallzim penal për veprën penale të sipërcituar, duke parashtruar rrethanat e fakteve konkrete ku bazohet kallzimi, provat me të cilat vërtetohen këto fakte, si dhe dispozitat ligjore penale të cenuara.

  1. RRETHANAT E FAKTEVE
  • Autoriteti Kontraktor, Fondi Shqiptar i Zhvillimit rezulton se ka hapur procedurën e prokurimit për “ Rikualifikimin urban prane qendres se qytetit Vlore, Zona A drejtimi i kulles se Sahatit dhe Sheshi I Flamurit me nr ref – 74310-10-07-2020. Fondi Limit per kete prokurim referuar dokumenteve standarte te prokurimit eshte 919.315102.50 leke pa TVSh.

Lloji i procedures se prokurimit te shpallur nga autoriteti kontraktor Fondi Shqiptar i

Zhvillimit eshte “ Procedure e hapur “.

Referuar dokumentacionit te prokurimit rezulton se per kete prokurim kane shfaqur interes

dhe kane marre pjese ne kete procedure keta ofertues me vlerat perkatese te ofruara

  1. “GENER 2” Sh.p.k. me vlere te ofruar 698.150.210.94 leke pa TVSH.;
  2. “FUSHA” Sh.p.k. me vlere te ofruar 76030142.65 leke pa TVSH.;
  3. “Curri” Sh.p.k. dhe “Alba Konstruksion” Sh.p.k. me vlere te ofruar 542 052437.49 leke pa TVSH;
  4. “ALB-Star” Sh.p.k me vlere te ofruar 688 967 812.31 leke pa TVSH;
  5. “ALB-Building” Sh.p.k. me vlere te ofruar 725 201 821 leke pa TVSH;
  6. “Be-IS” Sh.p.k. me vlere te ofruar 638 648.099 leke pa TVSH;
  7. “Florida” Sh.p.k., nuk ka paraqitur oferte ekonomike .

Duke ju referuar permbajtes se “Formularit te njoftimit te fituesit” date 10.12.2020 rezulton se jane skualifikuar ofertuesit e meposhtem:

  1. “ALB-Star” Sh.p.k. per arsye se nuk ploteson kriterin 2.3.1 te DST. Pervoje te susksesshme ne realizimin e puneve te ngjashme. Nuk ploteson kriteret e vecanta per kualifikimin qe lidhen me kapacitetet organizative, makinerite, personelin e nevojshem ne menyre kumulative sa shuma e objekteve ku ka ofertuar per procedura prokurimi te shpallura nga FSHZH;
  2. “Florida” Sh.p.k. , per arsye se nuk ka paraqitur dokumentacion per te vertetuar kapacitetin teknik financiar dhe profesional;
  3. “Be-Is” Sh.p.k., per arsye se nuk ploteson kriterin 2.3.1 te DST pervoje e suksesshme ne realizimin e puneve te ngjashme. Nuk ploteson kriteret e vecanta per kualifikim qe lidhen me kapacitetet organizative, makinerite, personelin e nevojshem, ne menyre kumulative sa shuma e objekteve ku ka ofertuar per procedura prokurimi te shpallura nga FSHZH;
  4. “Curri” Sh.p.k., per arsye dhe “Alba Konstruksion” Sh.p.k. per arsye se nuk ploteson kriterin 2.3.1. te DST. Pervoje te suksesshme ne realizimin e puneve te ngjashme. Nuk ploteson kriteret e vecanta per kualifikim qe lidhen me kapacitetet organizative, ne menyre kumulative sa shuma e objekteve ku ka ofertuar per procedura prokurimi te shpallura nga FSHZH;
  5. “ALB-Building” Sh.p.k. per arsye se nuk ploteson kriterin 2.3.1 te DST pervoje te suksesshme ne realizimin e puneve te ngjashme.

Sipas permbajtjes se njoftimit te fituesit rezulton se oferta e paraqitur nga “Gener 2” Sh.p.k. me vlere te pergjithshme 698.150.210.94 eshte identifikuar si oferta e suksesshme nga autorititeti kontraktor FSHZH.

Njoftimi i klasifikimit eshte bere ne date 18.11.2020.

Ka patur ankesa nga disa ofertues te cileve u eshte kthyer pergjigje ne 26.11.2020.

  1. LIGJI I APLIKUESHEM

2.1. Kodi i Procedurës Penale, në nenet e tij 280 dhe 283 parashikon se:

Neni 280

Marrja dijeni për veprën penale

Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët…

Neni 283

Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm… 

2.2. Nga ana tjetër, Kodi Penal parashikon se:

Neni 248

Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Neni 258

Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike

Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

  • ANALIZA LIGJORE E FAKTEVE

3.1. Nga faktet e përshkruara me sipër në këtë Kallzim Penal, rezulton se jemi përpara veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme, që passjellin përgjegjësi penale, në të paktën dy drejtime. Konkretisht: (i) në skualifikimin ne menyre te padrejte dhe ne kundershtim me dispozitat ligjore per “Prokurimin publik” te disa ofertuesve qe kane marre pjese ne kete prokurim.

(ii) Pranimin dhe kualifikimin si te suksesshme te ofertes se bere nga opertatori: “GENER 2” Sh.p.k. ne kundershtim me kriterin e percaktuar ne seksionin 4.2 te DST: Kriteret e perzgjedhjes se fituesit “4.2 A cmimi me i ulet X”.  

Persa i perket skualifikimit te operatoreve “ALB Star”, “Curri”, “BE-IS” per shkak se nuk plotesojne kriterin 2.3.1 te DST, Pervoje te sukseshme ne realizimin e puneve te ngjashme, cmojme se ku konkluzioni pervecse eshte i gabuar, bie ndesh dhe me permbajtjen e Kritereve te Vecanta te Kualifikimit pika 2.3 Kapaciteti teknik ne te cilen eshte perkufizuar termi “pervoje te suksesshme” ne te cilin eshte percaktuar se:

2.3. Kapaciteti teknik

Persa i perket aftesise profesionale, Operatori ekonomik duhet te permbushe kerkesat e meposhtme minimale te cilat vendosen nga autoriteti Kontraktor si me poshte:

2.3.1. Pervoje te suksesshme ne realizimin e te pakten:

  1. Pune te ngjashme per nje object ne nje vlere jo me te vogel se 50 % e vleres se perllogaritur te kontrates qe prokurohet, te realizuar nga operatori ekonomik gjate tri viteve te fundit nga data e zhvillimit te procedures se prokurimit ose,
  2. Pune te ngjashme deri ne kufij ku vlera monetare totale e punimeve te kryera e marre se bashku gjate tre viteve te fundit nga data e zhvillimit te procedures se prokurimit eshte ne nje vlere jo me te vogel se dyfishi i vleres limit te kontrates qe prokurohet.

Plotesimi i njerit prej dy kushteve te siperpermendura e ben oferten te kualifikueshme.

Pra ne intrerpretim te permbajtjes se nocionit “pervoje te suksesshme” jane perfshire dy kushte te cilat nuk duhet detyrimisht te permbushen ne menyre kumulative nga operatoret ekonomike, per te konsideruar dhe vleresuar ofertat e tyre te kualifikueshme:

Autoriteti kontraktor ne formularin e njoftimit te fituesit nuk shpreh qarte nese operatoret te cilat jane skualifkuar, nuk i plotesojne te dy kriteret e vecanta te shprehura ne seksionin 2.3.1 pika a dhe te b te DST.

Gjithashtu konkluzioni i shprehur nga Autoriteti Kontraktor Fondi Shqiptar i Zhvilllimit se ofertuesit shoqeria “ALB Star” Sh.p.k. nuk ploteson kriteret e vecanta per kualifikim qe lidhen me kapacitetet organizative, makinerite, personelin e nevojshem eshte i pavertete.

Te tre keta operatore te cilet kane bere oferta me te ulta se shoqeria fituese “Gener 2” Sh.p.k. i kane kapacitetet e nevojshme, makinerite dhe personelin e plote per te realizuar punimet qe jane objekti ketij tenderimi.

Persa i perket shkakut sipas te cilit operatoret e skualifikuar nuk plotesonin kriteret e pervojes se suksesshme, Autoriteti Kontraktor FSHZH duhet te konsideronte dhe ti referohej parashikimeve te V.K.M nr 914 date 29.12.2014 e cila i jep te drejten Autoritetit Kontraktor per te kerkuar sqarime nga ofertuesit perpara kualifikimit apo skualifikimit te operatoreve.

Konkretisht ne nenin 66 pika 3 te V.K.M. nr 914, parashikohet nder te tjera se “Nese eshte e nevojshme, komisioni i vleresimit te ofertave kerkon sqarime nga ofertuesit, te cilat duhet te jene me shkrim ose te reflektuara ne proceverbal”.

Persa i perket kerkesave te vecanta per kualifikim cmojme se Autoriteti Kontraktor FSHZH nuk ka zbatuar ne menyre korrekte parashikimet e shprehura ne nennin 61, pika 2 te V.K.M. nr 914 date 29.12.2014 ku thuhet se:

“Hartimi i kerkesave te vecanta per kualifikim qe lidhen me kapacitetin teknik, specifikimet teknike, kriteret e vleresimit dhe cdo informacion tjeter specific i nevojshem behet nga specialisti i fushes, antar i njesise se prokurimit. Ne cdo rast hartimi i tyre duhet te argumentohet teknikisht dhe ligjerisht si dhe te dokumnetohet nje nje proceverbal te mbajtur nga personate ngarkuar per pergatitjen e tyre. Ky procesverbal i vihet ne dispozicion personit pergjegjes per prokurimin i cili e ben pjese te dosjes se tenderit”.

Oferta  ne vleren e ofruar 698.150.210.94 leke pa TVSh e shoqerise “Gener 2” Sh.p.k. e identifikuar si oferta e sukseshme krahasuar me oferten ne vleren prej 542 052 437.49 leke te shoqerise “Curri” Sh.p.k. & “Alba Konstruksion” Sh.p.k. ka nje diference prej 156 097 773.45 (njeqind e pesedhjete e gjashte milion e nentedhjete e shtate mije e shtateqind e shtatedhjete e tre presje dyzet e pese) leke pa TVSH.

Kjo diference eshte nje shume teper e konsiderueshme duke shkaktuar nje dem te madh ekonomik fondeve publike te buxhetit te shtetit.

Duke ju referuar procedurave te vlersimit te ofertave nga Autorititeti Kontraktor Fondi Shqiptar i Zhvillimit si dhe shpalljen e fituesit, cmojme se ato bien ndesh dhe jane marre ne kundershtim me dispozitat e ligjit nr 9643 date 20.11.2006 “per Prokurimin Publik”, i ndryshuar.

  1. Përgjegjësia penale për shkak të shkeljeve të mësipërme

3.1. Të gjitha sa më sipër, çojnë në përfundimin se në këtë procedurë prokurimi ka pasur shkelje nga ana e autoritetit kontraktor. Për pasojë është cenuar barazia në tendera, duke qenë se nuk jane respektuar dispozitat ligjore “Per prokurimin publik”.

Shkelja e detyrimeve qe rrjedhin nga legjislacioni në fuqi, konsiderohet mosrespektim i ligjit, i cili konfiguron edhe përgjegjësi penale, si dhe cënim të interesit publik.

3.2. Për shkeljen e vërejtur si më sipër, përgjegjësia është e Drejtorit te Fondit Shqiptar te Zhvillimit  që ka vepruar si përfaqësues i autoritetit kontraktor dhe anetareve te Komisionit te Vlersimit te Ofertave te ketij autoriteti Kontraktor. Shtetasi Dritan Agolli, bashke me antaret e njesise se prokurimit dhe vlersimit te ofertave te Fondit Shqiptar te Zhvillimit, nëpërmjet caktimit të kritereve selektive dhe abuzive, kanë kryer veprime aktive në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, duke krijuar në këtë mënyrë avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorin ekonomik që është shpallur fitues. Në këto kushte, shtetasi Dritan Agolli, rezulton e provuar që ka konsumuar veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, të sanksionuar në nenin 258 të Kodit Penal.

3.3. Nga ana tjetër, duke kryer veprime me dashje në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë jo vetëm favorizim të operatorit ekonomik që është shpallur fitues, por edhe mospërmbushje të rregullt të detyrës, shtetasi Dritan Agolli, Drejtori i Fondit Shqiptar te Zhvillimit, i ka sjelle këtij operatori ekonomik përfitime materiale të padrejta, duke dëmtuar njëkohësisht interesat e shtetit dhe të ofertuesve të tjerë pjesëmarrës në këtë konkurim.

Gjithashtu, shpallja fitues e një oferte që duhet të ishte skualifikuar për mospërmbushje të kritereve ka dëmtuar interesat e ligjshme të ofertuesve të tjerë që janë kualifikuar si të suksesshëm, por që nuk janë shpallur fitues. Këto veprime aktive të kundërligjshme kanë cenuar marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj për të siguruar veprimtarinë e rregullt dhe normale të institucioneve shtetërore, si dhe të drejtat dhe interesat e ligjshme të shtetasve apo shtetit. Në këto kushte, rezulton e provuar se shtetasi Dritan Agolli, me detyrë Drejtor i Fondit Shqiptar te Zhvillimit, ka konsumuar vepren penale të shpërdorimit të detyrës, të sanksionuar në nenin 248 të Kodit Penal.

3.4. Për të gjitha arsyet e përshkruara më sipër, kërkojmë fillimin e procedimit penal ndaj shtetasit Dritan Agolli, Drejtor i Fondit Shqiptar te Zhvillimit, për kryerjen e veprës penale të “shkeljes së barazisë në tendera” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Dëshirojmë të theksojmë se analiza e bërë në këtë kallzim, ku evidentohen qartësisht elementët e veprave penale të kallzuara, dhe që janë kryer me vullnet të plotë nga i kallzuari, është kryer vetëm bazuar në dokumentacionin e disponuar nga ana jonë, duke qenë se Fondi Shqiptar i Zhvillimit në mënyrë të vijueshme ka refuzuar që të vendos në dispozicion , informacionet dhe dokumentet e kërkuara.

Ne besojme se institucioni Juaj, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurim, dhe e presim me vëmendje maksimale dhënien rrugë të këtij kallzimi sipas procedurës përkatëse, mbledhjes së dokumentacionit të plotë që provon akuzat, si dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave përgjegjës. Cdo veprim i juaj në respekt të ligjit është përgjigje ndaj abuzuesve me pushtetin në vetvete, por mbi të gjitha ndaj mbrojtjes së vlerave dhe parimeve të demokracisë funksionale dhe shtetit ligjor.

Partia Demokratike Dega Vlore shpreh gadishmërinë e plotë, për t’Ju mbështetur në gjithë veprimtarinë Tuaj gjatë këtij hetimi, të bindur se ju do të angazhoni seriozisht institucionin tuaj, për të ndalur shpërdorimin e hapur të fondeve publike për interesa klienteliste, në dëm të interesit publik.

Në pritje të një reagimi të shpejtë dhe efikas nga ana Juaj,

Partia Demokratike Vlore

Kryetari
Genc DEROMEMAJ