Gavrosh Levonja: keqardhje për gazetarinë e sotme

796
Sigal

Rrëfehet për “Telegraf”, nga Nju Jorku gazetari GAVROSH LEVONJA

 Rrëfim ekskluziv i ish-sportistit dhe gazetarit Levonja: Ju tregoj ku dhe si e rrahën Edi Ramën. Njohja me udhëheqësit dhe spiunët që na ndiqnin jashtë shtetit

Gavrosh Levonja, një figurë e njohur publike, si sportist e gazetar, ka 14 vite që ka lënë Shqipërinë dhe jeton në Nju Jork. Shfaqet pak në publik, rrallë në gazeta. Nga dita ku shkeli në Nju Jork, nuk është kthyer më në Shqipëri. Çfarë e mbanë lidhur!? Gavrosh Levonja i përket asaj kategorie njerëzish për të cilët realiteti është më i rëndësishëm se dëshirat e ëndrrat. Ai tregon në këtë rrëfim se si shkoi tek gazetaria mësuesi i Matematikës, shpreh keqardhjen për gazetarët e sotëm, që nuk investigojnë dhe nuk komentojnë flakë për flakë lajmin, por përcjellin lajmet e kronikat e gatshme të partive. Levonja tregon se si punonte njëkohësisht në disa gazeta, i punësuar zyrtarisht tek  “Republika”, gjysmë zyrtarisht tek “Albania”… më shumë për “Koha Jonë”, aq sa  Ylli Rakipi shprehej se, “ky njeri kritikon qeverinë nga e majta dhe e boton tek “Koha Jonë”, për të njëjtin problem e kritikon nga e djathta dhe e boton tek “Republika”, në darkë vjen tek “Albania” dhe mbron qeverinë”. Miqësia me liderët Berisha, Nano, njohja me Edi Ramën, që në kohën e kolerës, parashikimi për qeverisjen Rama, opozicionin e Lulzim Bashës etj….

Duke u kthyer pas në karrierën sportive, ai flet edhe për incidentin me kinezët, kur u dënua së bashku me Agim Fagun për prishjen e miqësisë shqiptaro-kineze… Pas kthimit në Tiranë, në aeroport qethën Agim Fagun. Pas takimit të ansamblit, që ishte njëkohësisht në Kinë me sportistët, në Ministrinë e Arsimit, ku ansambli u përgëzua për “forcimin e miqësisë”, një “spiun vullnetar” i ansamblit kishte ngritur problemin e “sjelljes borgjeze”  të sportistëve…Pas kësaj nisën masat dragoniane….Ja intervista e tij:

Një dekadë në mërgim, larg Tiranës, ku u lindët, u rritët, ku shkëlqyet në elitën sportive, larg redaksive të gazetave- ku bëtë emër-  si ndjeheni në Nju Jork?

Gavrosh Levonja:- Duke qenë e lidhur me pjesën më të madhe të jetës sime me ngjarje të rëndësishme, qoftë në aspektin personal e familjar, episodet deri në rang aventurash të panumërta me shokët e miqtë në kohën e rinisë, sidomos ato të lidhura me sportin, pa harruar kurrsesi punën në gazeta pas vendosjes së pluralizmit, malli për Tiranën është aq i madh sa vështirë të mposhtësh dëshirën për të takuar miqtë e shokët e vjetër, duke shkuar qoftë dhe për ca ditë atje. Mirëpo, nga ana tjetër, në Tiranë, si pasojë e ndryshimeve, tashmë mungojnë shumë nga mjediset e dikurshme që të lidhin me momentet e përjetuar dikur. Gjithashtu, shumë njerëz kanë lëvizur në vende të tjerë. Kështu edhe një pjesë e miqve, me të cilët komunikoj, jetojnë në vende të tjerë; Europë, Kanada apo SHBA; po të sjell një shembull: deri pak vite më parë në Pelham Parkvvay shikoja vazhdimisht fytyra të reja nga Shqipëria, ku nuk mungonin dhe nga të njohurit e mi. Gjithashtu, edhe me shumicën e atyre që vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri, falë zhvillimit, përsosjes së mjeteve të komunikimit mund të them se jam në kontakt pothuajse të përditshëm. E vetmja gjë, e cila them se më mungon është puna në gazetë. Ndonjëherë, dërgoj ndonjë shkrim në ndonjë gazetë në Shqipëri, por largësia fizike bën punën e saj. Sidomos për mua që isha mësuar të bëja editoriale a komente për ngjarje ose zhvillime të rëndësishme 10 apo 20 minuta pasi kishte ardhur lajmi në redaksi. Prandaj, shpesh, ndërsa lexoj lajmet nga Shqipëria ne uebsajtet e gazetave të atjeshme, ndjej keqardhje në pamundësi për të komentuar “flakë për flakë” si dikur. Mirëpo duke qenë se i përkas asaj kategorie njerëzish për të cilët realiteti është më i rëndësishëm se dëshirat e ëndrrat, i kam dhënë përparësi jetës në Nju Jork, punës, e cila më jep kënaqësi të veçantë. Por, veç punës dua të theksoj se ka dhe faktorë të tjerë që më kanë “gozhduar” këtu. Nju Jorku qenka si një makineri që po u fute në ingranazhet e saj është shumë e vështirë  të shkëputesh, ndërsa po nuk arrite të ingranohesh me jetën e këtushme, më saktë me normat dhe rregullat e saj nuk të mbetet tjetër veçse ta lëshosh Nju Jorkun. Si rregull shumica e fillojnë me përpjekjet për të mbijetuar, pastaj, oreksi vjen duke ngrënë, një punë më e mirë, të ardhura më të larta, që natyrshëm çojnë në rritjen e pretendimeve, në kohën që dhe detyrimet bëhen më të mëdha. Kështu, si pa kuptuar e ndjen veten të futur në një garë pambarim për të fituar më shumë, të jetosh më mirë dhe vjen një ditë që e shikon veten të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme dhe çdo largim qoftë dhe i shkurtër të duket humbje kohe, e cila këtu është jashtëzakonisht e çmueshme; me të vërtetë “flori” siç thuhet në Shqipëri, por që atje, për hir të së vërtetës trajtohet si një gjë pa vlerë.

E kishit menduar se ndonjë ditë mund të jetonit në Amerikë?

-Në vitet e gjata të izolimit Amerika për mua ishte ëndrra ideale, ashtu si për shumë nga ata të rinj që shikonin televizionet e huaj, kryesisht ato italiane; vendi më i zhvilluar në botë, vendi i lirisë, i Hollyvvood-it, i këngëtarëve të famshëm, kampionëve të botës në shumë lloje sporti. Ky ishte imazhi që rrezatonte së largu. Por, pasi u vendosa në Nju Jork, më shumë se të gjitha këto më bëri përshtypje, zbatimi me fanatizëm i ligjeve e rregullave dhe nga qytetarët, por edhe nga punonjësit e institucioneve duke e ndjerë kudo e kurdo praninë e një shteti real. Një shtet sa rigoroz, madje, i pamëshirshëm në zbatimin e ligjit aq dhe korrekt me qytetarët e tij duke u garantuar çdo të drejtë që u takon dhe gjithçka tjetër të nevojshme për të jetuar normalisht.

Keni trokitur në ndonjë zyrë të shtetit, nëse po, për çfarë arsyeje?

– Jo, në këto 14 vite që jetoj në Nju Jork ende nuk di, ku ndodhen zyrat e shtetit pasi nuk kam pasur asnjë rast për t’u ankuar, për të kërkuar një të drejtë që më është mohuar, madje ka qenë vetë shteti që më ka njoftuar për ndonjë benefit që më takonte në bazë të ligjeve por që unë s’e kisha haberin që ekzistonte.

Kur dhe si shkuat tek gazetaria?

– Shkrimin e parë e kam botuar në vitin 1987 në gazetën “Sporti Popullor”. Shoku dhe komshiu im, Bert Karanxha, në atë kohë gazetar tek kjo gazetë më kërkoi të bëja një shkrim si ish-sportist. Kryeredaktori, Besnik Dizdari, i cili bëri një revolucion të vërtetë në gazetën e vetme sportive deri në vitin ‘90-të, kishte krijuar hapësirë të konsiderueshme për ish-sportistët dhe specialistët e mirëfilltë të sportit.  “Shkruaj, vetëm në rast se pranoni një shkrim kritik”,- i thashë Bertit, i bindur që një shkrim i tillë vështirë se, mund të ishte i pranueshëm. Por u zhgënjeva kur mora përgjigje se vetë kryeredaktori ishte i interesuar për një shkrim kritik dhe jo për lëvdata boshe për suksese të “sportit socialist”.

Pra, ishte ’87-ta kur ia nisët gazetarisë?

– Për të qenë më i saktë, pavarësisht se fillova të shkruaj rregullisht në gazeta pas vitit 1990, tashmë për politikë,  në një farë mënyre, mund të them se gazetarinë, jo publikisht, e kam filluar në kapërcyellin e  viteve 60-70-të. E kam fjalën për “gazetari ilegale” lënda e së cilës ishin diskutimet e komentet në grupe të vogla kundër absurditeteve të shtetit duke filluar nga kufizimet banale lidhur me ndjekjen e modës, kufizimet dhe heqjen e stimujve materialë në ekonomi, izolimin hermetik të vendit deri në skizofreni si dhe shkeljes flagrante, në mënyrë të paimagjinueshme të të drejtave të njeriut etj.. Pas kësaj diskutimet vazhdonin me atë se çfarë do të ndodhë gjë që të shtynte drejt kërkimit të informacionit që mund të ishte ndonjë burim “nga brenda” d.m.th. nga ndonjë zyrtar ose të afërm të nomenklaturës së atëhershme, nga lajme të buletinit sekret të ATSH-së që “rridhnin” nëpërmjet ndonjë të njohuri që punonte aty, por fat konsiderohej të binte në dorë ndonjë nga ato broshurat sekrete “për përdorim të brendshëm”.

I lexoje veprat dhe fjalimet e Enver Hoxhës?

– Fjalimet e Enver Hoxhës i lexoja me kujdesin maksimal për të kapur mes rreshtave ndonjë sinjal nëse do të “shtrëngohej rripi” edhe më shumë apo të pikasje ndonjë shenjë  liberalizimi e hapjeje. Për shumë vite pjesën më të madhe të ditës e kaloja pranë radios e televizorit. Dita ime fillonte duke dëgjuar lajmet frëngjisht në “France International” në 6 të mëngjesit, pastaj deri nga ora 7 e 30 lajmet e radiove italiane, për të vazhduar me telegiornalet e drekës ne Rai 1 dhe Rai 2, pas kthimit nga stërvitja “Dnevnik” te jugosllavi, përsëri Rai-n, në orën 9 në darkë “Zërin e Amerikës”, atëherë ishte vetëm 15 ose 20 minuta dhe zakonisht sinjali ikte e vinte i shoqëruar me zhurmë ndërsa folësi përdorte gegnishten, Radio Jugosllavinë shqip në 10 e 30 të mbrëmjes. Në vitet 1977-‘78 u bëra një dëgjues i rregullt i Radio- Pekinit, ku pa e përmendur direkt kritikohej politika dogmatike e Tiranës deri sa autoritetet urdhëruan mbylljen e përforcuesit në datën 8 korrik 1978. Me këtë desha të ve në dukje se gjithë ato vite kisha akumuluar një kapital të konsiderueshëm në fushën e politikës gjë që ma bënte shumë të lehtë analizimin e situatave politike, të komentoja lëvizjet e forcave politike apo liderëve të tyre si dhe të prognostikoja zhvillimet e ardhshme …

Ju ka nxjerrë probleme gazetaria? Në cilën redaksi jeni ndjerë me mirë?

– Sa i përket problemeve për shkak të gazetarisë, nuk kam pasur ndonjëherë. Them se arsyeja kishte të bënte me faktin që nuk i shërbeja një krahu apo një force politike të caktuar. Në shkrimet e shumta të botuara gjatë viteve ‘90-të mund të gjenden më bollëk shkrime kundër apo pro ndaj çdo krahu politik. Një herë, nga fillimi i vitit 1997, kur kishte hyrë në modë rrahja e gazetarëve dhe emrave të tjerë që flisnin e shkruanin kundër qeverisë së atëhershme, mund të përmend këtu masakrimin e Kryeministrit të sotëm Edi Rama, u ndodha përballë një grupi që merrej me këtë punë, por nuk pësova gjë se njëri prej tyre tha: “lene lene, ky asht demokrat…”.  Ka qenë një periudhë kur isha i punësuar zyrtarisht në gazetën “Republika”, gjysmë zyrtarisht tek “Albania”, por më shumë shkruaja për “Koha Jonë”. Lidhur me këtë Ylli Rakipi shprehej se, “ky njeri kritikon qeverinë nga e majta dhe e boton tek “Koha Jonë”, për të njëjtin problem e kritikon nga e djathta dhe e boton tek “Republika”, në darkë vjen tek unë (“Albania”) dhe mbron qeverinë”. Gjithsesi, ai që ishte opinioni im personal në atë periudhë shprehej tek “Koha Jonë”, e cila ndonëse ishte e orientuar kundër qeverisë, në fund të fundit ishte një gazetë pa “censurë”. Konkretisht ndonëse në publik ishte krijuar bindja se “Koha Jonë” ishte një “gazetë e majtë”, aty kam botuar shkrime kundër PS-së, në një periudhë, kur pothuaj gjithë shtypi ishte orientuar kundër pushtetit të Berishës, madje, në ndonjë rast vetë Nikollë Lesi më kërkonte të shkruaja kundër Nanos dhe socialistëve, ku nuk mungonte të bëhej dhe bashkautor për të treguar se ajo që shkruhej ishte dhe qëndrim i gazetës. Nuk mund të rri pa përmendur se krahas stafit të gazetës, duke filluar nga reporterët e deri tek redaktorët, që ishin ndër më të talentuarit e më punëtorët, që “Koha Jonë” u bë gazeta më e lexueshme ishte dhe aftësia e Nikollë Lesit për ta bërë gazetën të ndryshueshme për sa i përket qëndrimeve dhe orientimit politik falë nuhatjes për të kuptuar se çfarë i pëlqente publikut. Një herë p.sh. Berisha u nxeh me stafin e RD-së për arsye se, “Koha Jonë” kishte vënë më shumë pjesëmarrës në një miting të PD-së sesa vetë gazeta e partisë. Por, nuk mund të mos përmend “Republikën”, që megjithëse ishte gazetë e Partisë Republikane, kishte një autonomi që nuk e kishte jo vetëm ndonjë gazetë partiake, por edhe gazeta private që në fakt ishin të pozicionuara. Merita për këtë them se i takon një burri të zgjuar, politikanit ndoshta më racional në skenën politike shqiptare, Sabri Godo, i cili nuk e kishte zakon të diktonte tek gazeta. Në një rast i intervistuar nga BBC, lidhur me një artikull, i cili nuk ishte në një linjë me politikën e partisë u përgjigj: “Pyetni kryeredaktorin ose atë që e ka shkruar.”

Me cilin Kryeredaktor je ndjerë mirë?

-Më mirë jam ndjerë me Ben Blushin, i cili veç kulturës dhe mprehtësisë, kishte një fantazi të admirueshme, për sa i përket vlerësimit dhe vendosjes së materialeve në faqet e gazetës. Shtoji kësaj dhe aftësinë për të intriguar. Kështu, kishte raste që i tërhiqte vëmendjen një lajm në dukje i parëndësishëm, por me ndonjë rregullim e vinte në faqen e parë si lajmin më të rëndësishëm me të cilin hapte gazetën. Tituj të tillë si “Me presh në shesh”, “Doktor shko tek doktori”, “Lushnja digjet Berisha krihet”, “Xhaferrit i ka humbur simitja” e shumë të tjerë produkte të fantazisë së Blushit ishin një tjetër faktor që “Koha Jonë” theu gjithë rekordet e shitjes në periudhën 1996-1997. Kishte dhe raste të tilla si,  ndërsa një ditë gazeta ishte bërë tribunë avokatie për liderin socialist të burgosur, në orët e vona, kur mbyllej numri i ardhshëm Blushi më afrohej dhe me thoshte në vesh: “Një shkrim kundër Tos Nanos”….

(Vijon nesër)

 Nga Dalip Greca