Gara për drejtorin e Policisë dhe Radio Televizionit Shqiptar

504
Sigal

Ndreca në krye të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Bashkim Hoxha me Sokol Ballën, në garë për Televizionin Shqiptar

 Ndreca do të jetë alternativa kryesore për postin e Drejtorit të Policisë Shtetërore, ndërsa emri i Drejtorit të Radiotelevizionit Shqiptar, do të diskutohet midis tre – katër emrave, ku Bashkim Hoxha dhe Sokol Balla, janë kryesorët. Natyrisht, sipas burimeve mësohet se, ekzistojnë edhe dy emra të tjerë, të cilët aktualisht qëndrojnë në blloqet e drejtuesve të koalicionit, por të papublikuar për opinionin e ngushtë të të Majtëve. Kështu që gara kryesore është midis Hoxhës dhe Ballës.

Drejtori i Policisë

Me këtë rast, mësohet se, Drejtori i Policisë është piketuar nga radhët e specialistëve që kanë punuar më parë me blutë e vendit, ndërkohë që, ai ka kryer për disa kohë edhe detyrën e kreut të policisë bashkiake. Mendimi i liderëve kryesorë për Ndrecën, anon më tepër nga miratimi i këtij emri, por nga ana tjetër, nën mëngë, ata ruajnë edhe dy emra të tjerë, rezervë. Ndreca ka kandiduar për listën e kandidatëve rozë, në qarkun e Veriut, dhe pavarësisht nga humbja, në këtë zonë, PS arriti një fitore të bujshme. Fitorja është evidente, nëse krahasimi për të Majtët, do të bëhet me zgjedhjet e vitit 2009 në këtë zonë. Në këtë mënyrë, duket se Saimir Tahiri, sapo të dekretohet nga presidenti si Ministër i Brendshëm i vendit, do të publikojë ndër të parët, emrin e Ndrecës, në krye të Drejtorisë së Policisë Shqiptare. Nga ana tjetër mësohet se, vetë Ndreca ka kohë që ka marrë sinjale të qarta nga korridoret rozë, për mundësinë e caktimit të një detyre të tillë. Dhe për këtë arsye, ai ka përgatitur një staf të ngushtë për t’i caktuar në postet kryesore të drejtimit, duke përfshirë këtu të gjitha rajonet policore të Shqipërisë. Përveç kësaj, koalicioni i Majtë ka përgatitur planin afatgjatë ët shkatërrimit të bandave, si edhe planin emergjent të 100 ditëve të para, sipas të cilit, rendi publik do rivendoset e do të stabilizohet. Natyrisht, shumica e drejtuesve socialistë janë për caktimin e Ndrecës, në krye të Drejtorisë së Policisë, por njëkohësisht me të, qarkullojnë edhe dy emra të tjerë, që mund të ndryshojnë të gjithë planet në momentin e fundit. Ndërsa përsa i përket cilësive individuale të Ndrecës, duhet thënë se ai ka një begraund të konsiderueshëm, që përshtatet mjaft mirë me moshën e tij të re. Sidoqoftë, mësohet se kjo do të zbardhet brenda këtyre ditëve, kur  Saimir Tahiri, do të zyrtarizojë përfundimisht emrin, e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, që do të zëvendësojë Hysni Burgajn, i cili për hir të së vërtetës ka bërë një figurë negative, duke dëmtuar rëndë, punën e bluve në stabilitetin e rendit publik.

Televizioni Shqiptar

Problemi i vendit të punës, për Drejtorin e Përgjithshëm të Televizionit shqiptar, duket se, gjatë ditëve të fundit është kthyer në tërheqje litari, jo vetëm për forcat politike, por edhe për klane të veçanta, që kërkojnë të mbrojnë interesat e tyre brenda këtij televizioni. Sidoqoftë, midis kësaj lufte politike, brenda koalicionit, madje edhe brenda vetë Partisë Socialiste, spikasin qartazi dy emra profesionistësh që i kanë eklipsuar të tjerët. Ata paraqiten në këtë garë në radhë të parë, si specialistë dhe jo si partiakë. Sepse begraundi i tyre tregon qartë se ata e kanë lidhur prej kohësh jetën e tyre me gazetarinë. Këta janë Bashkim Hoxha dhe Sokol Balla që konsiderohen si dy ndër rivalët më seriozë të kësaj gare të heshtur. Ndërsa dy emrat e tjerë që ende nuk janë publikuar kanë të bëjnë më shumë me fizionominë e kujdestarit të politikës, i cili nevojitet të mbajë drejtimin partiak, në këtë institucion të pavarur. Ndërsa Hoxha dhe Balla, e kanë treguar me kohë që pasioni dhe talenti i tyre ka rendur gjithmonë pas gazetarisë dhe çështjeve që kanë lidhje me median. Kështu Bashkim Hoxha, një shkrimtar dhe dramaturg i talentuar është njëkohësisht edhe themeluesi i njërit prej televizioneve të para private në Shqipëri, siç ka qenë TV TEUTA. Në këtë mënyrë bashkëbisedimi i Hoxhës me qytetarët shqiptarë është bërë aq i natyrshëm dhe i përditshëm, saqë vetëm mungesa e tij e një dite, në ekran, vë në merak me mijëra teleshikues. Sepse tek Bashkim Hoxha ata kanë gjetur konsulentin e tyre shpirtëror dhe njeriun që u ka qëndruar gjithmonë, pranë halleve të shqiptarëve. Përveç, shkëlqimit gazetaresk, Bashkim Hoxha është edhe shkrimtar i shumë librave artistikë, si “Hotel Ballkani”, apo i shumë komedive e dramave që janë shfaqur në të gjitha skenat shqiptare, duke filluar nga Durrësi e deri në Tiranë, Korçë e gjetkë. Këtu nuk duhet harruar fakti se shumë vite më parë skenarët e filmave të Bashkim Hoxhës, janë xhiruar nga profesionistët e mëdhenj, si Viktor Gjika, të cilët kanë qenë gjithmonë krenarë për bashkëpunimin me të. Nga ana tjetër duhet thënë se edhe Sokol Balla ka mbajtur një peshë të konsiderueshme në tranzicionin e këtyre viteve, duke realizuar jo vetëm emisionin e tij standard, por duke xhiruar edhe dokumentarë të ndryshëm, siç ishte ai i kohëve të fundit për Faik Konicën, etj. Por sidoqoftë, Bashkim Hoxha, në aspektin e realizimeve televizive, letrare, apo filmiko-dramatike, nuk krahasohet me asnjë nga emrat që do të paraqiten për rivalitetin e postit të drejtorit të Radiotelevizionit Shqiptar. Por tani gara është e hapur dhe deri në momentet e fundit, mund të ndodhë gjithçka. Ndërkohë, që spektatori shqiptar pret, zgjedhjen e më të mirit prej të gjithë konkurrentëve të paraqitur.