Ilir Meta Kryetari i Kuvendit

474
Sigal

Kuvendi i ri do të çojë përpara axhendën tonë europiane

Në 23 Qershor shqiptarët votuan masivisht, me një shpresë të madhe, të cilën ne jemi zgjedhur dhe thirrur ta përmbushim, këtu në Kuvend. Kjo shpresë dhe porosi e shqiptarëve, për t’i përfaqësuar e për të zhvilluar vendin, është shprehje e besimit që ata kanë tek ne, për të kuvenduar me urtësi, qetësi dhe përgjegjshmëri, për të ardhmen e popullit dhe vendit tonë. Ky Kuvend, duhet të përfaqësojë atë që është pritshmëria e qytetarëve, por dhe praktika më e mirë e punës së parlamenteve europiane, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, seriozitetin politik dhe etikën, tolerancën dhe bashkëpunimin, kurajën dhe vizionin, respektin për ligjin dhe parimet demokratike.  Kuvendi i ri, jam i bindur, do të çojë përpara axhendën tonë europiane.

Sepse shqiptarët kërkojnë nga të gjithë ne, reforma të thella dhe të qëndrueshme, të cilat na afrojnë dhe na integrojnë më shumë dhe më shpejt me Europën, reforma që u sjellin atyre më shumë vende të reja puna, reforma që përmirësojnë jetën e tyre dhe ua bëjnë më të sigurt dhe të begatë të ardhmen e fëmijëve në atdheun tonë e përbashkët. Prandaj, edhe ftesa ime e parë, që buron nga të dëgjuarit e zërit të qytetarëve, që na kanë nderuar dhe sjellë këtu, është pikërisht lënia pas e frymës konfliktuale. Jemi këtu për të bërë më të mirën për vendin dhe popullin tonë me alternativa konkrete, të matshme dhe të prekshme. Na duhet të japim llogari çdo ditë se çfarë ligjesh të reja do miratojmë dhe si i zbatojmë ato për të bërë jetën e të gjithëve më të mirë dhe më të sigurt. Jam i bindur se ky Kuvend i ri do të ketë me shumë konstruktivitet e pozitivitet, më shume alternativa dhe më shumë zgjidhje. Këtë përqasje politike e bën imperative edhe shëndeti jo i mirë i ekonomisë, treguesit e varfërisë dhe papunësisë që janë shqetësuese dhe në rritje. Papunësia dhe varfëria janë kundërshtarët tanë të vërtetë, janë sfidat e përbashkëta që duhen fituar në emër të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim. Matësi më i mirë e më i sigurt i çdo politike dhe i kontributit të gjithsecilit prej nesh është pikërisht përgjigja e pyetjeve “Sa vende të reja pune kemi hapur sot? Dhe se sa shqiptarë e kaluan pragun e varfërisë sot?”. Vetëm kështu do të rivendosim besimin e duhur të qytetarëve te klasa politike në vend.

Ky besim do t’i japë guximin dhe energjinë e duhur ekonomisë shqiptare që të rimëkëmbet. Që sipërmarrja të gjejë forcën, mjetet dhe partneritetin e duhur te qeveria dhe te shteti i të drejtës. Kështu vendi do të ketë më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të bëhet një vend më tërheqës për investitorët e huaj, ekonomia jonë do të rritet dhe vendet e punës do të shtohen. Jam i bindur që përmirësimi i situatës ekonomike, fillon me themelimin e një partneriteti të fortë dhe transparent, me sipërmarrjen shqiptare dhe të huaj, e cila hap vende të reja pune dhe krijon mirëqenie për qytetarët tanë. Ne duhet të reformojmë modelin tonë ekonomik, duke u bazuar tek shfrytëzimi më efikas dhe transparent i resurseve tona natyrore, tek rritja e prodhimit vendas, por mbi të gjitha tek menaxhimi më i mirë i burimeve tona njerëzore. Reforma të rëndësishme na presin për funksionimin më efikas të institucioneve, për të rritur pavarësinë e tyre, por edhe koordinimin mes njëri-tjetrit, sepse zhvillimi dhe përparimi drejt Europës nuk është vepër vetëm e një maxhorance, por një sipërmarrje kolektive kombëtare, e bazuar në gjithëpërfshirjen e çdo qytetari, çdo politikani dhe institucioni, ku roli i opozitës është i pazëvendësueshëm. Do të përkujdesemi më shumë për çdo qytetar të këtij vendi, kudo ku jeton, nga Vermoshi në Konispol, sepse është e drejta e tyre të jetojnë në mirëqenie, është detyra jonë ta garantojmë atë. Përkujdesja jonë do të rritet edhe për ata qytetarë që jetojnë jashtë kufijve, në trojet shqiptare apo në emigracion. Ata janë pjesë e botës sonë shqiptare, dhe përkujdesja ndaj tyre është detyrim madhor dhe kushtetues për të gjithë në. Për të realizuar këto reforma, së pari duhet të reformojmë veten tonë. Duhet t’i përgjigjemi zhvillimeve të shpejta e t’i udhëheqim ato. Do të rrisim efikasitetin tone në drejtim të përafrimit të legjislacionit me atë BE-së, të thjeshtëzimit e përmirësimit të legjislacionit të vendit dhe në veçanti do forcojmë zbatueshmërinë e ligjeve. Transparenca dhe gjithëpërfshirja do të jenë vendimtare për suksesin e këtij Kuvendi. Gjithkush, pavarësisht bindjeve apo pozicioneve partiake, që dëshiron të kontribuoje për të bërë ligje të mira dhe të dobishme për vendin, për të konceptuar politika realiste dhe të frytshme, do të jetë i mirëpritur dhe i respektuar. Për këtë qëllim ne do të bashkëpunojmë ngushtë edhe me shoqërinë civile, botën akademike dhe universitare, si dhe me grupet e interesit.

Unë jam i bindur se ekziston dëshira dhe vullneti i përbashkët i maxhorancës dhe opozitës së këtij Kuvendi, që ne të vendosim një standard të ri të sjelljes politike në komunikimin politik ku debatohet për idetë, politikat dhe ligjet, dhe jo për personin. Të bashkojmë përpjekjet tona maksimalisht për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përmes integrimit të punës sonë të përbashkët Pozitë dhe Opozitë, sepse besoj se në thelb kemi një qellim të përbashkët, mirëqenien, zhvillimin, sigurinë, dhe rritjen e dinjitetit të qytetarëve tanë dhe të Shqipërisë. Ne jemi besimplotë se si deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, do të vazhdojnë të jenë përkrah nesh duke na mbështetur fuqimisht në arritjen e objektivin tone madhore, atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky Kuvend do të kontribuojë për një Shqipëri të fortë e të qëndrueshme, e cila fuqizon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, në një kohë kur faktori shqiptar, kudo që ai ndodhet dhe jeton, kontribuon për paqen dhe perspektivën europiane. Shembulli më i qartë është roli i shtetit më të ri, atij të Kosovës që forcon çdo ditë njohjen ndërkombëtare dhe me guxim ecën drejt dialogut dhe bashkëpunimit rajonal si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit. Ky është një shekull që punon e do të punojë për të mirën e shqiptarëve. Si Kryetar i Kuvendit unë jam këtu që të siguroj zbatimin rigoroz të Rregullores së Kuvendit, të siguroj të drejtat e çdo deputeti në përgjithësi, dhe respektimin e angazhimit konstruktiv të opozitës, frymën e tolerancës dhe konsensusit. Sfidat që kemi përpara janë të mëdha, por jam i sigurt se progresi dhe zhvillimi i vendit do të jetë më i shpejtë dhe më i begatë nëse përpjekjet e bashkëpunimit dhe interesit kombëtar prevalojnë mbi interesat partiake. Jam i bindur se do të jemi të suksesshëm vetëm duke mos harruar për asnjë moment se ky nuk është Kuvendi ynë i 140 deputetëve, por është Kuvendi i popullit shqiptar, i mbarë qytetarëve tanë, të cilët votuan plot dinjitet dhe si qytetare europian 23 Qershor.  Le të reflektojmë edhe ne në këtë Kuvend, me të njëjtin dinjitet dhe përgjegjshmëri që ta meritojmë plotësisht besimin e tyre. Punë të mbarë të gjithëve !

  

Për herë të parë në 22 vjetët e zgjedhjeve pluraliste, Kryetari i Kuvendit zgjidhet me  91 vota me konsensusin e votave  të opozitës

 Ilir Meta zgjidhet Kryetari i ri i Parlamentit, pasi betohen deputetët

 Ilir Meta, për herë të parë  zgjidhet me konsensus të gjerë politik, si Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, në këto 22 vjet të demokracisë. Ilir Meta, mori votat jo vetëm të deputetëve të maxhorancës, por edhe vota të opozitës. Ilir Meta është i vetmi Kryetar i Kuvendit që ka marrë më shumë vota se, cilido Kryetar i Kuvendit, që është zgjedhur në pluralizmin demokratik në Shqipëri, që prej 22 vjetësh, që bëhen zgjedhje të lira e pluraliste.  Vasil Bicaj, për herë të parë jep dorëheqjen nga mandati i deputetit ende pa u betuar.

Ora 11:30 – Komisioni i verifikimit të mandateve nuk konstatoi asnjë pavlefshmëri gjatë verifikimit të mandateve të140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit. Armando Subashi lexoi konkluzionet e komisionit. Gjithashtu, Subashi theksoi se, gjatë verifikimit është konstatuar se, Vasil Bicaj, i cili fitoi mandatin e deputetit të PD-së në Qarkun e Lezhës, refuzon mandatin. Sipas ligjit, pas refuzimit të mandatit të njërit prej deputetëve, mandati i kalon pasardhësit të listës shumemërore të paraqitura nga ana e subjektit politik fitues, apo e koalicionit fitues, që në këtë rast është Mhill Fufi.

“KQZ ka marrë vendimin përfundimtar për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve i cili përfshin nurin e votave dhe mandateve. Sipas këtij vendimi mandatet janë ndarë:ASHE83 mandate, PS 65, LSI 16, PBDNJ 1, PKD 1 mandat. APMI 57 mandate, PD 50, PR 3, PDIU 4 mandate. Mandatet e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë janë të vlefshme.”- thuhet në konkluzionet e komisionit.

Ora 11:45 – Pas betimit të deputetëve, Kuvendi nisi pikën tjetër të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së kryetarit të legjislativit. Si anëtarë të komisionit të votimit, kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi propozoi deputetët Spartak Braho dhe Ermonela Felaj. Në emër tëLSI-së, Petrit Vasili propozoi Luan Ramën, ndërkohë që Edi Paloka në emër të grupit të PD-së propozoi deputetët Igli Cara dhe Keltis Kruja. Kryesuesi i seancës Namik Dokle lexoi propozimin për emërimin e Metës në krye të Kuvendit. Lista e deputetëve që kishin firmosur kandidaturën e Metës kryesohej nga Edi Rama.

Votohet për kryetarin e ri të Parlamentit

Ora 12:00 – Deputetët po votojnë në mënyrë të fshehtë, pro ose kundër zgjedhjes së Ilir Metës si Kryetar i ri i Parlamentit të Shqipërisë. Meta garon i vetëm për postin e kryetarit të Kuvendit.

Përfundon votimi nis numërimi i votave

Ora 12:35 – Ka zgjatur rreth gjysmë ore votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit. 137 deputetë votuan në mënyrë të fshehtë, pro ose kundër kandidaturës së Ilir Metës. Komisioni i votimit, i përbërë nga 5 anëtarë, ka nisur menjëherë procesin e numërimit të votave.

 Ilir Meta zgjidhet kryetari i Parlamentit më 91 vota

Ora: 12:45 – Kreu iLSI, Ilir Meta zgjidhet kryetar i parlamentit me 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim. 137 deputetë morën pjesë në votim. Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Dokle i ka liruar Metës vendin dhe më pas kreu i ri i Parlamentit ka mbajtur edhe fjalën e rastit ndërsa ka njoftuar se seanca e radhës do të jetë sot në orën 11:00.