Frank Shkreli: Suzanna Shkreli për anëtare e Kongresit Amerikan

473
Sigal

 

Ja, kanë mbetur edhe katër javë deri në
zgjedhjet e përgjithshme këtu në Shtetet e Bashkuara, ku pritet që më 8 nëntor
votuesit amerikanë të hedhin votën, në nivel kombëtar, për president, për të
gjithë anëtarët e Dhomës së Deputetëve dhe për një numër anëtarësh të ri të
Senatit amerikan.   Një kandidate që synon anëtarësimin e saj në
Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të ri amerikan, është edhe Prokurorja
shqiptaro-amerikane, Suzana Shkreli.   

 

Ajo e filloi fushatën në
fillim të korrikut, 
http://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-suzanna-shkreli-nis-fushaten-per-ne-kongresin-amerikan, dhe tani
gjendet në kulmin e një fushate që duket gjithnjë e më shumë një fushatë
serioze dhe bindëse, se mundësitë për një fitore të Suzana Shkreli ditën e
zgjedhjeve, janë reale. Fushata e saj dhe mbështetja që ajo ka gjetur tek
votuesit e distriktit ose të zonës elektorale të saj, në të vërtetë, ka habitur
analistët politikë të zgjedhjeve dhe njëkohësisht, suksesi i deritanishëm i
fushatës së saj ka shqetësuar aq shumë kundërshtarin e saj republikan, sa që
ditët e fundit, ai është detyruar të sillte në atë distrikt Kryetarin e Dhomës
së Përfaqsuesve, Z. Paul Ryan, personin numër një të republikanëve, për të bërë
fushatë në favor të kandidatit republikan,  kongresistin e tanishëm
Mike Bishop.  Vizita e republikanit numër një të këtij vendi në zonën
elektorale të Suzana Shkrelit, në përpjekje për të shpëtuar kandidatin e
Partisë Republikane nga një humbje e mundshme, nënvizon seriozitetin me të
cilin republikanët e konsiderojnë kërcënimin që vjen nga kandidatura e Suzana
Shkrelit, ndaj  kandidatit të tyre.
 Kur Suzana filloi fushatën e saj për në Kongresin e Shteteve të
Bashkuara në fillim të korrikut që kaloi – megjithëse filloi vonë, sepse
kandidatja e mëparshme e demokratëve u tërhoq për arsye shëndetësore – Shkreli
deklaroi se ishte gati për një ndërmarrje të tillë, megjithë punën e rëndë që
nevojitej dhe me gjithë ashpërsitë me të cilat karakterizohen normalisht
fushatat politike këtu në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos fushata për zgjedhjet
e këtij viti. Ajo është duke zhvilluar një fushatë të fortë dhe
gjithëpërfshirëse, me një program të qartë në mbështetje të interesave të
qytetarëve të zonës elektorale ku jeton, e të cilët ajo shpreson që tani e deri
më 8 nëntor, t’i bindë që të votojnë për të. Fatbardhësisht, Shkreli ka
siguruar mbështetjen e fortë të Partisë Demokrate dhe ka marrë tanimë mbështetjen
e organizatës më të madhe në Amerikë, e cila veprimtarinë e saj ia kushton
zgjedhjes së më shumë femrave në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit
amerikan. Njëkohësisht, Suzana Shkreli është duke llogaritur edhe në ndihmën
dhe mbështetjen e pa kursyer të komunitetit shqiptaro-amerikan anë e mbanë
Shteteve të Bashkuara. 

 

Andaj, ky shkrim është
edhe një apel, drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe
shqiptarëve kudo që të ndihmojnë fushatën e saj. Sot është dita dhe ky është momenti për
komunitetin shqiptaro-amerikan që ta tregojë veten si gjithmonë më parë i
gatshëm për të marrë pjesë masive, jo vetëm në përpjekjet  e tyre për
të ndihmuar kur e lyp nevoja, shqiptarët dhe të drejtat e tyre në trojet anë e
mbanë Ballkanit Perëndimor, por të tregojnë gjithashtu, se janë të gatëhëm të
mbështesin komunitetin e vet në këtë vend, duke mbështetur kandidatët, si
Suzana Shkreli, për poste të ndryshme shtetërore dhe federale.
 Në këtë frymë mbështetjeje për të cilën është dalluar deri tani
komuniteti, kandidatja shqiptaro-amerikane për në Kongresin e Shteteve të
Bashkuara është takuar para dy javësh me një grup aktivistësh të komunitetit në
New York dhe të djelën më 9 tetor – siç mund të shihet në njoftimin më poshtë –
ajo ka në plan të marrë pjesë në një takim fond-mbledhës për fushatën e saj, në
Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Detroit, të sponsorizuar nga Shoqata
“Malësi e Madhe”, Shoqata “Kosova”, Shoqata “Dukagjini”, Shoqata “Vatra” dhe
nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan i shtetit Miçigan. Ndërkaq, gjithashtu, Dr.
Gjon Buçaj sapo njoftoi se në Kryeqendrën e Vatrës në Bronx të New Yorkut,
organizata më e vjetër shqiptare në Amerikë organizon të djelën me 9 tetor nga
ora 3-6 një takim me qëllim për të mbledhë fonde për fushatën e Suzana
Shkrelit.  

           

Sot, komuniteti
shqiptaro-amerikan është një komunitet shumë vital dhe tepër aktiv në një numër
fushash të aktivitetit shoqëror, ekonomik, kulturor e madje edhe shkencor, si
dhe në fushën e informacionit teknologjik, ndër të tjera.  Nuk besoj
të ketë ndonjë fushë me rëndësi zhvillimi në këtë vend që të mos ketë
shqiptaro-amerikanë të përfshirë në të.  Fusha ku ne mungojmë është
pjesmarrja në arenën politike, në proceset zgjedhore, sidomos në nivel federal,
por edhe shtetëror dhe vendor.  Brezi i ri që përfaqëson Suzanna
Shkreli është gati për të marrë pjesë në këtë proces.  A është gati
komuniteti që të angazhohet seriozisht për të marrë pjesë dhe për t’i
mbështetur këta të rinjë e të reja në proceset zgjedhore, ashtu siç kanë bërë e
bëjnë shumë grupe etnike në këtë vend?  Shpresojmë që edhe komuniteti
ynë këtu në Shtetet e Bashkuara të inkurajojë dhe të mbështesë në mënyrë aktive
pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Amerikë, siç është kandidatura e Suzanna
Shkrelit.  Megjithëse të suksesshëm në shumë fushë të veprimtarisë
dhe të jetës amerikane, komuniteti shqiptar nuk do të arrijë kurrë nivelet e
suksesit dhe të integrimit të plotë që meriton   në jetën
politike të këtij vendi në veçanti dhe në jetën shoqërore të Amerikës në
përgjithësi. 8 Nëntori pra paraqet rastin dhe mundësinë që komuniteti
shqiptaro-amerikan, me mbështetjen e pa kursyer morale dhe financiare për
kandidaten Suzanna Shkreli – të bëj histori duke treguar seriozitetin më të
madh në angazhimin e tij për të mbështetur Suzana Shkrelin dhe kandidaturën e
saj për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Shpresojmë, lutemi dhe
urojmë që Suzanna Shkreli, me ndihmën pa rezerva të komunitetit shqiptar në Amerikë
dhe me fushatën e saj serioze për të bindur votuesit e zonës së saj elektorale
se ajo është personi më i mirë për t’i përfaqësuar në Kongres – të dalë ftuese,
duke shënuar kështu një moment historik e triumfues në jetën e komunitetit
shqiptaro-amerikan, ndoshta të vogël në krahasim me grupet e tjera etnike – por
gjithmonë krenar!

Ish-Drejtor i VOA-spër
Euro-Azinë

 

Ish-Drejtor i VOA-spër Euro-Azinë

http://www.suzannaforcongress.com/

http://www.suzannaforcongress.com/issues