Frank Shkreli: Shpresoj te një udhëheqje e re e Shqipërisë

549
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Intervistë dhënë më Tetor 2010/ Rrëfen ekskluzivisht për “Telegraf”, Frank Shkreli, ish-shef i “Zërit të Amerikës”

(vijon nga numri i kaluar)

Profil i Frank Shkrelit

Frank Shkreli ka qenë gazetar dhe redaktor në  “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, zoti Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar  i lartë programacioni në divizionin europian të “Zërit të Amerikës”. Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë zevendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, divizion ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, zoti Shkreli ka qenë drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, divizion nga i cili, përveç gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje. Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991, me ç’rast u hap ambasada amerikane pas pothuaj 50-vjetësh dhe morën pjesë si vëzhgues në zgjedhjet  e atij viti. Ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, Z. Frank Shkreli shërben si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Washington DC.

Përgatitur nga Engjëll Musai, Drejtor i gazetës “Telegraf”

Në këtë pjesë të dytë të intervistës me zotin Frank Shkreli analizohen sukseset dhe dështimet e njëzet viteve të fundit, si dhe situata aktuale politike në vend. Zoti Shkreli garanton mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për përparimin e Shqipërisë në rrugën e bashkimit me familjen europiane të popujve. Gjithashtu ai i jep përgjigje interesimit tonë për sfidat që e presin shtetin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë si dhe për rolin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

– Ju i keni ndjekur zhvillimet shqiptare të njëzet viteve të fundit. Çfarë do të veçonit ndër arritjet më të spikatura por edhe disa nga dështimet e kësaj periudhe?

– Megjithëse tranzicioni politik, ekonomik dhe transformues mund të ketë qenë i ngadalshëm dhe të gjithë ne do të dëshironim një progres më të shpejtë, mos të harrojmë se 20 vjete  nuk janë një periudhë tepër e gjatë, sidomos kur të merret parasysh se në çfarë gjendjeje ishte Shqipëria më 1990, e dalë nga njëri prej sistemeve më të egra komuniste. Ne harrojmë se pothuaj të gjitha vendet e Europës Lindore kishin periudha liberalizimi gjatë komunizmit dhe ishin më të përgatitura për t’u përballur me tranzicionin. Për mua, natyrisht rënia e komunizmit në vetvete ishte një arritje monumentale në historinë shqiptare. Unë konsideroj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si afirmim të anëtarësimit të kombit tonë në familjen e shteteve të zhvilluar e moderne të botës, në pritje të anëtarësimit të plotë të saj në Bashkimin Europian. Liberalizimi i vizave është gjithashtu një gjë pozitive, që më në fund, shqiptarët të mos e ndiejnë veten si qytetarë të dorës së dytë në Europë. Mbi të gjitha, jam i besimit se “Rruga e Kombit”  është një monument kombëtar me një domethënje të rëndësishme psikologjike për shqiptarët, por ka edhe rëndësi të jashtëzakoshme për integrimin ekonomik e kulturor të kombit. Këto janë, e besoj, arritje me të cilat çdo shqiptar, pa marrë parasysh anëtarësimin politik, duhet të jetë krenar, sepse këto janë arritje në interesin afatgjatë të kombit. Ndër dështimet, natyrisht, unë si edhe shumë të tjerë konsideroj dhunën dhe anarkine e vitit ’97 si një pikë të zezë në historinë e 20 vjetëve të fundit. Gjithashtu më dëshpëron fakti se sot pas 20 vjetëve demokraci, forcat kryesore politike të vendit nuk kanë gjetur ende një modus-vivendi mazhorancë-opozitë për të punuar për të mirën e vendit dhe të kombit. Shqipëria ka shënuar arritje të mëdha gjatë kësaj periudhe, por ka shumë për t’u bërë. Dhe gjeja kryesore që duhet bërë është që forcat politike, të shtyra edhe nga elektorati, t’i japin fund luftës politike dhe të punojnë drejt zhvillimit të ekonomisë dhe mirëqënies së përgjithshme të popullit. Dështime të tjera drejt rrugës së  një Shqipërie demokratike që do të vononin ose të shlyenin mundësitë e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian, do të ishin të papranueshme.

– Kemi vënë re se ju jeni një vëzhgues, por edhe analist i vëmendshëm i zhvillimeve aktuale politike në Shqipëri. Ç’mendim keni për situatën politike në Shqipëri dhe si mund të ndryshojë pozitivisht ajo?

– Siç thashë edhe më lart, situata e sotme politike në Shqipëri, ose më mirë të themi marrëdhëniet midis maxhorancës dhe opozitës janë një burim shqetësimi jo vetëm për mua si shqiptaro-amerikan por edhe për miqtë amerikanë të Shqipërisë e të shqiptarëve. Edhe këtu në Amerikë, sidomos në këtë kohë zgjedhjesh është ashpërsuar toni dhe klima politike, gjë që është krejtësisht e natyrshme për një periudhë zgjedhjesh. Pas 2 Nëntorit, deri diku do të na pushojnë veshët dhe si humbësit si fituesit do të shkojnë në punë të vet, me ndonjë përjashtim aty këtu. Rasti i Shqipëriseë siç e përjetoni është ndryshe; duket sikur situata politike është në një krizë dhe në një situatë konfliktuale të përhershme. Të pakën, kjo është përshtypja që unë kam nga të lexuarit dhe të shikuarit e lajmeve në internet. Sistemi demokratik është quajtur sistem i vështirë për të qeverisur, por i preferuar. Liria kërkon përgjegjësi. Natyrisht, pikë së pari nga udhëheqesit, por edhe nga shtresat e tjera të shoqërisë. Sidomos nga media. Në vend që të përpiqet të informojë publikun, një pjesë dërrmuese e medias shqiptare hedh vaj në zjarr duke e ndezur edhe më keq situatën. Gjëja që mund të fillojë të ndryshojë këtë situatë do të ishte inkurajimi i dialogut dhe i mirëkuptimit serioz midis dy palëve të kundërta në një ambient ku mund të gjejnë dhe të diskutojnë për gjëra të përbashkëta. Fatkeqësisht, unë nuk e shoh këtë si një mundësi të radhës, midis palëve në Shqipëri. Kam droje se duhet pritur për një brez të ri që mund të jenë të zotuar për një udhëheqje etike, që për të mirën e vendit lufton programin ose qeverisjen e kundërshtarit, por nuk e konsideron kundërshtarin armik të përjeteshëm.

– Në skenën shqiptare sot ekziston i njëjti antagonizëm politik si njëzet vjet më parë. PD dhe PS, dy forcat më të mëdha politike në vend vazhdojnë të jenë në një “luftë” për jetë a vdekje. Cilat janë arsyet e këtij antagonizmi dhe a e shihni normal këtë antagonizëm?

– Megjithëse kam frikë se shumë miq të mi do të më kritikojnë për këto që po them në lidhje me këtë përgjigje ndaj pyetjes tuaj, kam menduar gjithnjë se problemet e demokracisë në Shqipëri, ose “antagonizmat politike’ siç i quani ju, janë rezultat i së kaluarës së tmerrshme komuniste. Elita e sotme politike në Shqipëri, qoftë ajo qeveritare, e shtetit, udhëheqës partish, deputetë, drejtorë e udheheqës të ndryshëm institutesh e institucionesh, deri edhe drejtues të mediave – të gjithë janë ose vijnë nga një klasë që dikur ka mbajtur gjallë regjimin e Enver Hoxhës. Në këtë kuptim mund ta quash “normal”. Por kjo “normale” është jonormale për Shqipërinë e sotme. Prandaj, “antagonizmi politik” rrjedh natyrisht nga kjo elitë që kryesisht është rritur dhe edukuar nën komunizëm. Dihet se komunizmi shqiptar ushqente një frymë mos-tolerance ndaj kundërshtarëve deri në zhdukjen e tyre dhe nuk ishte një sistem që inkurajonte dialogun e bashkëpunimin midis njerëzve me mendime të ndryshme. Nuk është për t’u çuditur për këtë situtatë, po të shikosh rreth e rrotull sheh se ish-zyrtarë të lartë dhe ish-ministra të regjimit hoxhist sot janë kryetarë partish ose përfaqësues në parlament dhe në detyra të tjera të larta. Fatkeqësisht, fryma e moskompromisit të regjimit komunist, vihet re kudo dhe të ulurit në tryezë për të diskutuar për të mirën e përbashkët dhe për zgjidhjen e problemeve që afektojnë të gjithë – duket se është jashtë modës. Ky polarizim politik, po të vazhdojë, mund të keqësojë edhe më tej situatën politike dhe mund të prekë edhe gjendjen ekonomike të vendit. Kam droje se i takon një gjenerate të re për ta nxjerrë vendin nga ky “antagonizëm politik” dhe u takon votuesve shqiptarë të bëjnë përgjegjës elitën e sotme për këtë antagonizëm. U takon gjithashtu universiteteve të vendit që të ofrojnë kurse dhe lëndë studimi në lidhje me sjelljet e mira politike, dhe në lidhje me etikën dhe bashkpunimin politik si edhe mbi frymën e kompromisit midis forcave të ndryshme për brezin e ri të politikanëve shqiptare.

– Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol vendimtar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Aktualisht Kosova është e pavarur, por përballet me një sërë sfidash të mëdha. Si e shihni perspektivën e saj ?

– Me plot të drejtë thoni se Kosova, megjithse e pavarur, përballet me një sërë sfidash të mëdha. Duket sikur euforia e pavarësimit po venitet dhe problemet e jetës së përditshme të qytetarëve sa vinë e shtohen. Problemet janë serioze për Kosovën, ato janë të brendshme dhe të jashtme – duke filluar nga krimi i organizuar e korrupsioni dhe një ekonomi që nuk po funksionon si duhet. Raporti i fundit i Transparency International e rendit Kosovën në vendin e 110, dmth në pozitën më të keqe në Europën Juglindore, përsa i përket korrupsionit. Problem është gjithashtu edhe ngecja e njohjeve të shtetit të Kosovës – sidomos nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Pastaj ndryshimet politike të kohëve të fundit në Kosovë ndërlikojnë mbarëvajtjen e zhvillimeve në atë vend. Për arsye të këtyre problemeve, Janusz Bugajksi, një ekspert i çështjeve të Ballkanit thotë se Kosova është në rrezik të mbetet një “shtet i ngrirë” që nuk mund të bëjë hapa drejt anëtarësimit në organizmat ndërkombëtare si NATO, Kombet e  Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Një shtet i ri si Kosova ka nevojë për stabilitet politik, sidomos në këtë kohe kur shumë vende të botës janë duke marrë në konsiderim njohjen e shtetit të Kosovës. Gjatë dekadës së kaluar, elita politike dhe populli i Kosovës kanë fituar përkrahjen dhe simpatinë e jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të botës. Shpresoj që, gjatë javëve e muajve të ardhshëm, ndërsa bëhen përgatitjet për zgjedhje të reja, populli dhe udhëheqësit e Kosovës të vazhdojnë të tregojnë mençurinë dhe pjekurinë politike që kanë treguar në të kaluarën. Keëhtu që, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, perspektivën e Kosovës e shoh si optimiste, por në të njëjtën kohë, perspektiva e vendit më shumë se kurrë, është në dorë të elitës politike dhe popullit të Kosovës.

– Diaspora shqiptare në Amerikë ka ardhur duke u forcuar vitet e fundit. Mund të na jepni një tablo të veprimtarisë së kësaj diaspore?

– Diaspora në Amerikë me të vërtetë është shtuar vitet e fundit; dhe është shtuar me njerëz të edukuar, me biznesmenë dhe pronarë të lloje-lloje tregtish, e bile edhe shkrimtarë që tashmë kanë shoqatën e tyre. Përveç komuniteteve të mëdha shqiptaro-amerikane në qendrat e njohura si Nju Jork, Boston, Çikago, Detroit e Filadelfia, sot mund të gjesh komunitete të diasporës shqiptare në pothuaj të gjithë 50 shtetet e Amerikës, duke përfshirë edhe Alaskën e ftohtë. Janë të organizuar në organizata dhe shoqata të ndryshme duke filluar nga “Vatra” e Fan Nolit e deri tek lloj organizatash kulturore e fetare, duke përfshirë edhe grupe lobiste siç është Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Shumë aktivitete të komunitetit bëhen në qendrat fetare ose në bashkpunim me to. Botimet kryesore të diasporës janë gazeta “Illyria” dhe “Dielli” por edhe Revista Kuvendi në Detroit dhe uebsajte të ndryshme që pasqyrojnë veprimtarinë e këtij komuniteti. Megjithëse komuniteti shqiptaro-amerikan, kryesisht pasqyron përçarjet e politikës shqiptare në Ballkan, prapësëprapë ka raste të shumta  që  komuniteti angazhohet së bashku, siç ishte sivjet festimi i përvjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe ditët e fundit  vura se Vatra do festojë me një darkë Ditën e Flamurit me një pjesëmarrje të madhe të organizatave e shoqatave të tjera të diasporës në Nju Jork. U organizuan gjithashtu darka e koktejle për të pritur udhëheqësit e Shqipërisë dhe të Kosovës gjatë qëndrimit të tyre në Kombet e Bashkuara. Komuniteti çdo vit mban festivale dhe merr pjesë në parada, duke vënë kështu në dukje kulturën dhe veshjen tonë para botës amerikane. Por ajo që kjo diasporë, individët dhe organizata bën më së miri, dhe gjithmonë në interes të kombit shqiptar, janë lidhjet që mban me politikanë si edhe me shoqërinë amerikane, për t’i sensibilizuar ata për fatin e bashkombasve tanë në Ballkan.

– Si një nga personalitetet e kësaj diaspore, çfarë mendoni se duhet bërë më tepër për të forcuar lidhjet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara?

– Unë besoj se marrëdhenjet midis dy vendeve janë jashtzakonisht të mira, megjithë kritikat dhe vërejtjet që vijnë nga hera në herë, prej Uashingtonit, drejtuar politikës shqiptare. Kombi shqiptar nuk ka mik më të madh se Amerikën. Kjo është treguar herë pas here, dëshmia më e fundit, përkrahja vendimtare e Uashingtonit për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Marsi i vitit që vjen shënon 20-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. E ndjej veten krenar që 20 vjetmë parë më parë isha në Tiranë me delegacionin e parë diplomatik amerikan, që shënoi kthimin e prezencës amerikane në Shqipëri pas një mungese prej pothuaj 50 vjetësh. Gjatë viteve mund të ketë pasur periudha ftohjeje, por kryesisht kanë qenë marrëdhënie të shkëlqyeshme dy-palëshe. Si mund të forcohen lidhjet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara është pyetja. Jam i sigurt se asnjë shtet në botë nuk ia do të mirën kombit shqiptar sa ia duan Shtetet e Bashkuara. Nga pikëpamja amerikane, kjo miqësi shtohet me forcimin e demokracisë dhe të institucioneve të shtetit dhe zbatimin e ligjeve, me luftën kundër korrupsionit dhe me zhvillimin e ekonomisë së tregut, por mbi të gjitha lidhjet midis dy vendeve forcohen me bashkëpunimin e të gjithë forcave politike shqiptare që të venë interesin e kombit mbi interesat personale e partiake. Një Shqipëri me një stabilitet politik dhe ekonomik është në interes të marrëdhenieve Tiranë-Uashington.

– Ju faleminderit!