Pandemia nxit shpenzime rekord për ilaçe në tremujorin e fundit, rriten 22-26%

383
Sigal

Konsumi u rimëkëmb në tremujorin e fundit të vitit, për herë të parë pas pandemisë. INSTAT raportoi se shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë rritur 2,6%,krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Por, të dhënat më të detajuara sipas aktiviteteve ekonomike tregojnë se rritja e shpenzimeve për konsum ka ardhur kryesisht për dy nevoja kryesore, njëra bazike për ushqime e pije, ndërsa tjetra e detyruar nga situata pandemike, duke rritur në nivele rekord blerjet e produkteve farmaceutike e mjekësore.

Në dhjetor blerjet e produkteve ushqimore e të tjera u rritën si në dyqanet e pa specializuara (ato të ashtuquajtura të lagjes), ashtu dhe në ato të specializuara (supermarkete), përkatësisht me 9 dhe 7.8%, sipas indeksit të vlerës.

Konsumi i karburanteve ka vijuar të jetë i dobët; blerjet e produkteve kompjuterike kanë rënë, pasi u rritën ndjeshëm në periudhën e karantinës; blerjet e veshjeve u rritën në tetor, për t’u ngadalësuar më muajt e mëpasshëm.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja e shpenzimeve në tremujorin e fundit, është përqendruar kryesisht në produktet mjekësore e farmaceutike, që kanë njohur një rritje dy shifrore, shumë më të lartë në krahasim me aktivitetet e tjera ekonomike (shiko grafikun: Ndryshimet vjetore, Indekset e vlerës, tregtia me pakicë, T IV 2020).

Sipas INSTAT, indeksi i vlerës për “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike”, u rrit me rreth 22% si në tetor ashtu dhe në nëntor, në krahasim me muajt përkatës të një viti më parë. Ndërsa në dhjetor, kur kulmoi pandemia e Covid-19, treguesi në vlerë u rrit me 26%. (Në të njëjtat nivele është rritur dhe treguesi në volum).

Të dhëna nga tregu pohojnë se pandemia ka nxitur konsumin e një baze të gjerë produktesh farmaceutike që përfshin antibiotikë, kortizonikë, antikaulgulantëve (hollues të gjakut), antiulcerozët, antiinflamatorët, grupin e suplementeve, vitaminave, antidepresantë, antiulcerozë etj., dhe një sërë preparatesh të tjera mjekësore që nevojiten për trajtimin e pandemisë.

Shumë individë po zgjedhin të trajtohen në shtëpi, çka ka rritur shpenzimet për blerjen e produkteve të nevojshme. Nga ana tjetër ka një tendencë për t’u ngarkuar me barna që në ditët e para të pandemisë, shpesh edhe pa këshillën e mjekëve, ndërsa mungon një protokoll i qartë trajtimi.

Produktet e përdorura për kurimin e pandemisë, -disa prej të cilave hynë dhe kontratabandë, pasi nuk janë të licencuara nga Agjencia e Barnave, – janë relativisht të shtrenjta. Psh, disa prej medikamenteve më të shtrenjta, që po përdoren për të luftuar Covid-19 dhe çmimet e tyre, sipas burimeve nga tregu janë

-Cefepima 1100 lekë/ gram

-Ceftriaxon 500 lekë/ gram

-Tazocina 4.5 gr 700-2000 lekë

-Levofloxacina ampule 1200 deri 1800 lekë/ampulë

-Hollues gjaku, Enaxaparina, 850 lekë/kokrra

-Kortizonikë, Dexametazoni, 100 lekë/kokërr

Një trajtim, për një të sëmurë mesatar në vend, sipas mjekëve kushton mesatarisht 170 mijë lekë.