Frank Shkreli*: Moment historik në Shtëpinë e Bardhë

469
Sigal

Kjo ndodh vetëm në Amerikë! Në më pak
se 70-orë pas përfundimit të zgjedhjeve tepër të ashpra presidenciale në Amerikë,
Presidenti demokrat në detyrë Barak Obama u takua, për here të parë, me presidentin e zgjedhur republikan Donald Trump për të biseduar
mbi tranzicionin paqësor qeveritar, nga administrata e Obamës në administratën
e ardhëshme Trump. Thuaj çka të duash për Amerikën dhe për problemet e saj, ky gjest
është një imazh që e bën Amerikën, ajo që është, vendi më i mire në botë, vendi
i tolerancës politike, pa marrë parasysh se sa të ashpra dhe divergjente janë qëndrimet
politike midis partive dhe sa të pa tolerueshme që mund të duken pikëpamjet e
politikanëve ndaj njëri tjetrit. Kur merr fund fushata dhe argumentet pro dhe kundër,
të parët e këtij vendi i shtrijnë dorën njëri tjetrit dhe konsultohen me njëri tjetrin
se cila është mënyra më e mire për bashkëpunuar me njëri për të mirën e vendit.
Takimi i sotëm në Shtëpinë e Bardhë nuk do të thotë se Amerika është kthyer në një
parajsë politike ku nuk ka më antagonizma dhe mosmarrëveshje politike – jo, por
tregon se ekziston vullneti i mirë midis palëve për një tranzicion paqësor të qeverisjes
dhe të dëshirës për të punuar në interes të kombit, në fushën e brendshme politike
dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti Obama dhe presidenti i zgjedhur
Trump, me takimin e sotëm në Shtëpinë e Bardhë, përcaktuan tonin për respektin ndaj
njëri tjetrit dhe të përkrahësve të tyre politikë dhe ritheksuan meritat e
traditës amerikane për një tolerancë dhe bashkëpunim sa më të madh politik, pa
marrë parasysh ndryshimet midis partive politike që ata përfaqësojnë. Z. Obama
iu drejtua Z. Trump duke i shprehur gatishmërinë e tij për ta ndihmuar sepse,
sipas presidentit Obama, në qoftë se ti del me sukses, atëherë edhe vendi ynë del
me sukses.” Dy personat më të fuqishëm në vend duan t’i tregojnë amerikanëve dhe
botës, se megjithë polemikat e fushatës, kur vjen puna,ata më së pari janë patriotë
amerikanë dhe jo republikanë ose demokratë dhe si të tillë duan të konsultohen dhe
të punojnë së bashku për të mirën e vendit dhe në mbështetje të interesave të shenjta
të kombit në marrëdhëniet me vendet e tjera, Të cilat ndoshta nuk ia duan të mirën
Amerikës. Takimi ishte planifikuar fillimisht të zgjaste 15-20 minuta ose më së
shumti gjysmë ore, por zgjati gjithsejt një orë e gjysmë. Kur të merret parasysh
fushata presidenciale që sapo mori fund me zgjedhjen e republikanit Trump për
president dhe fjalët dhe komentet e ashpra që këta dy burra kanë përdorur ndaj njëri
tjetrit gjatë asaj fushate, takimi i sotëm ishte me të vërtetë një moment historik.
Presidenti Obama tha pas takimit se është “shumë i inkurajuar” nga takimi të cilin
e karakterizoi si të “shkëlqyeshëm”. Ndërkaq, presidenti i zgjedhur Trump u
shpreh se ishte “Nder për t’u takuar me presidentin Obama”, duke shtuar, se
takimi me presidentin Obama zgjati më shumë se ç’ishte paraparë dhe mund të shkonte
më gjatë. Ai tha gjithashtu se“biseduam për një numër situatash, disa të mira e
disa të vështira”. Presidenti i posa zgjedhur tha gjithashtu, se pret të ketë edhe
takime të tjera me Presidentin Obama.
Ndërkohë që gazetarët po largoheshin
nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i ardhshëm Trump u dëgjua të kishte
thënë se Presidenti Obama “Është një burrë shumë i mirë.”
Nga ana e tij, Presidenti Obama u shpreh para gazetarëve se
ai do të bëjë çdo gjë që të jetë e mundur për të ndihmuar presidentin e
zgjedhur Trump gjatë këtij tranzicioni,që të dalë me sukses prej ditës së parë kur
të fillojë nga detyra më 20 janar dhe njëkohësisht i bëri thirrje popullit amerikan
që të bashkohen për zgjidhjen e sfidave, përballë të cilave gjendet vendi. Ndërkaq,
edhe Zëvendës Presidenti në detyrë Joe Biden u takua sot gjithashtu me Zëvendës
Presidentin e ardhshëm Mike Pence. Presidenti Barak Obama ishte shprehur të mërkurën,
se megjithë ndryshimet politike që ka me Donald Trump, ai do të ndiqte shembullin
e para-ardhësit të tij,ish-presidentit George W Bush për të bërë çdo gjë të mundur
për të siguruar që tranzicioni të jetë sa më me pak probleme që të jetë e
mundur. Presidenti Obama tha se “Tetë vjet më parë, unë dhe Presidenti Bush
kishim shumë ndryshime politike me rëndësi me njëri tjetrin, por stafi i presidentit
Bush u tregua aq profesional dhe aq dashamirës ndaj nesh, në bashkëpunimin me
stafin tonë për një tranzicion të qetë dhe pa asnjë problem. Kështu që edhe unë
kësaj radhe kam urdhëruar stafin tim që të ndjekë shembullin e stafit të presidentit
Bush”, që të ndihmojnë si është më mirë stafin e presidentit të ardhshëm Trump
në këtë faqe të tranzicionit, shtoi Z. Obama. Pasi të bëjë betimin me 20-janar,
presidenti i ardhëshëm Trump do të ketë mundësinë të bashkë qeverisë me
shumicën republikane në të dy dhomat e Kongresit, në Senat dhe në Dhomën e
Përfaqësuesve duke bërë më të lehtë realizimin dhe zbatimin e shumë programeve të
premtuara prej tij, megjithëse edhe në radhët e republikanëve ka kundërshtarë dhe
nuk ka një qëndrim të vetëm mbi Donald Trump-in as mbi programet dhe politikat e
tija, kështu që ai mund të hasë në kundërshtime edhe në radhët e përfaqësuesve të
Partisë Republikane në Kongres. Pas takimit me Presidentin Obama në Shtëpinë e
Bardhë, Presidenti i zgjedhur Trump u nis për në Kongresin amerikan për t’u takuar
dhe për të bashkërenduar politikat me udhëheqësit republikanë, me të cilët ka
pasur gjithashtu mosmarrëveshje gjatë fushatës, por ndihma dhe mbështetja e të cilëve
do t’i duhet për të zbatuar politikat, planet dhe programet që ai u ka premtuar
zgjedhësve amerikanë në fushatën që sapo mori fund, se do t’i realizojë gjatë mandatit
të tij si President i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.