FOTO/ Presidenti Meta dekoron profesorin e njohur me titullin e lartë “Nënë Tereza”

241
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta, me anë të një postimi në “Facebook” shprehet se ka dekoruar me titullin e lartë “Nënë Tereza”, profesorin e nderuar Anton Nikë Berisha.

Meta thekson se Berisha, në një nga veprat e tij, jep mesazhin se duhet të jemi me njerëzit që më së tepërmi kanë nevojë për ndihmën tonë.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Me një angazhim 50-vjeçar në fushën e studimeve, Prof.Dr. Anton Nikë Berisha, si rrallëkush tjetër, ka dhënë një kontribut tepër të çmuar, me mbi 15 tituj librash, për njohjen e thellë dhe pasqyrimin realist të jetës dhe veprës frymëzuese të Shenjtores së shtrenjtë shqiptare, Nënë Tereza.

Me mirënjohje për përkushtimin e tij profesional dhe atdhetar, si krijues e studiues i një prej personaliteteve më të mëdha të kombit tonë dhe mbarë njerëzimit, pata kënaqësinë ta vlerësoja sot Profesorin e nderuar, me titullin e lartë “Nënë Tereza”.

Me të drejtë ai evidenton në një prej veprave tij “Doracak për Nënën Terezë” se “shenjtorët kanë si detyrë kryesore t’u ofrojnë njerëzve dritën hyjnore dhe t’u hapin shtigjet e mirësisë e të përvuajtjes në jetën reale, e jo të jetojnë për kënaqësinë e tyre vetjake”, duke na dhënë mesazhin për të mos qenë egoistë, por vetëm të angazhuar për të hapur shtigjet e mirësisë ndaj njerëzve të vuajtur dhe më në nevojë.