Zonja ministre tha se ne nuk po ecim pa drejtim! Është e vërtetë po ecni me drejtim dhe në drejtim të humnerës ekonomike, që po çoni çdo familje shqiptare. Zonja ministre meqë na kërkuat këshilla konstruktive atëherë po ju jap këshilla konstuktive, por unë besoj që Ju i dini, por thjesht nuk keni vullnetin për t`i zbatuar. Le ta fillojmë me indeksimin 3.3% që ju i bëtë pensionistëve.
Zonja ministre, këto janë të dhënat nga INSTAT mbi inflacionin dhe kur bëhet fjalë për inflacionin e përgjithshëm, në shkurt 2022 ka qenë 3.9% ,ndërkohë që pensionistët janë një kategori që nuk preken nga inflacioni për arsimin, nga inflacioni për argëtimin, nga inflacioni për hotelet, nga inflacioni për mobiljet dhe do të ishte racionale nga ana juaj dhe e përgjegjshme që të merrnit parasysh kur flisni për pensionistët inflacionin e kategorisë ushqime dhe pije jo alkolike, që është e vetmja, që prek drejtëpërdrejt pensionistët, sepse me pensionin e tyre ata marrin ushqimet dhe ilaçet. Dhe nuk e përdorin për asgjë tjetër nga kategoritë e tjera të inflacionit që ju i keni të prodhuara me dokument zyrtar nga INSTAT. Dhe inflacioni zonja ministre e këtij grupi i ushqimeve dhe pijeve jo alkolike është 6.9% . Brenda këtij grupi pjesa kryesore sigurisht ushqimet bazë kanë ardhur gjithmonë në rritje dhe janë në nivelin 7.3%, në muajn shkurt 2022 po sipas INSTAT, ndërsa ushqimet që kanë pësuar më tepër rritje është buka me 6%, vaji dhe gjalpi me 9%, frutat me 8.5%, zarzavatet përfshirë dhe pataten me 7%.
Gjithashtu në grupet e tjera të transportit është rritur me 9%.
Pra, zonja ministre të sqarojmë shqiptaret ata e dinë shumë mirë po ta marrin vesh; indeksimi 3.3% që i bëni pensioneve do të thotë thjesht ulje e pensioneve dhe pensionistët kanë mundësi që të blejnë më pak ushqime me paratë që i ofroni Ju. Ky është realiteti, që ofron INSTAT dhe që ju ftoj që ta lexoni dhe ta studjoni.
Gjithashtu qeveria juaj ka tvsh për ushqimet bazë më të lartën në rajon! ,Konkretisht: Maqedonia e Veriut e ka 5%, Mali i Zi e ka 7%, Kosova e ka 8%, Serbia e ka 10% dhe Shqipëria e ka 20%.
Normale që ju vijnë më shumë të ardhura, sepse 20% kur vaji kushton 200 lekë është më pak se sa 20% kur vaji kushton 400 lekë dhe nuk është suksesi Juaj, por janë çmimet e rritura që ju bënë që të merrni më shumë tvsh nga qytetarët shqiptarë.
Dhe kjo tvsh që është: Ja shiko! Shqipëria ku është më lart se gjithë vendet e rajonit ndërkohë propozimet e Partisë Demokratike kanë qenë që para luftës në Ukrainë që të zbritej në masën 6% duke u bërë e krahasueshme edhe me rajonin pra 5, 7 , 8 dhe 10% dhe Ju nuk e keni marrë parasysh.
Sigurisht para lufte dhe tani është një arsye më shumë që ju ta merrni parasysh, sepse duhet të jeni të përgjegjshëm për gjendjen ekonomike, që janë qytetarët shqiptarë.
Por përkundrejt kësaj tabele të TVSH që jemi të parët në rritje , ndërkohë tek pagat minimale kemi vendin e fundit pra tek TVSH jemi të parët kurse tek pagat që marrin shqiptarët jemi të fundit tek paga siç e keni cituar edhe Ju në një emission. Paga minimale në Shqipëri është 244 euro sipas instat ndërkohë në Malin e Zi 331 Euro, në Bullgari 332, Maqedonia e Veriut 342, në Serbi 366 Euro, në Rumani 466 dhe nuk po vazhdoj më tej se arrijmë në shifra që shqiptari i ndershëm nuk i arrin dot as në ëndërr.
Por zonja Ministre ky është realiteti i shifrave dhe unë nuk jam duke shtuar, as duke hequr asgjë përveç atyre që janë të dhëna zyrtare të botuara nga vetë institucionet e shtetit tuaj që ju besoj keni dijeni të plotë. Sigurisht në këto raste Ju thoni; ku do gjenden paratë? Ne s’kemi para!
Keni, keni 430 milion euro që po i shpërdoroni dhe që po i vidhni me aferën e inceneratorëve që edhe sot në njoftimet që i dhatë Kuvendit çojë përpara drejtësisë një nga deputetët e rradhës së Partisë Socialiste deputetin Alqi Bllako. Ja pra që paratë janë aty, por paratë ju keni zgjedhur që t`i çoni edhe ndërkohë që arrestohej Lefter Koka, Ju vazhdonit pagesat për inceneratorët. Jam e sigurtë që edhe kur të arrestohet Alqi Bllako Ju prapë do të vazhdoni pagesat për inceneratorët dhe nuk do t`i ndaheni, sepse jeni vetë pjesë e cash-it që ju vjen nga këto pagesa, sepse nuk ka llogjikë tjetër (jo ju si individ), por Ju si qeverisje se nuk ka llogjikë tjetër se si nuk u ndalkan pagesat ku të gjithë ata që firmosin, të gjithë komisioni i ofertave dhe zyrtarë të lartë, po shkojnë një nga një në burg.
Dhe sot kemi për inceneratorin e Elbasanit dhe për inceneratorin e Fierit administratorët e vetë këtyre kompanive në burg dhe kërkim : ndërkohë Ju vazhdoni të thoni që do ju japim para këtyre inceneratorëve që kanë pronarët në kërkim ndërkombëtar, që kanë administraorët në burg që keni Ju një ish-ministër në burg, që keni një deputet në burg dhe doni të vazhdoni të jepni para.
Inceneratori i rradhës do të jetë inceneratori i Tiranës, ku zullumi është bërë edhe më i madh ku paratë publike janë edhe më të mëdhaja dhe inceneratori i Tiranës është nga më interesanti, sepse është thjesht një fushë me bar, ndërkohë në 2 inceneratorët e tjerë, që sot kanë të arrestuar kemi të paktën një godinë që i hidhni hi syve shqiptarëve kurse me inceneratorin e Tiranës kemi një fushë me bar që e paguajmë 70 mijë euro në ditë, kemi një fushë me bar që e paguajmë 29/euro për ton mbetje për incenerim imagjinarë. A mund të ishin këto para për qytetarët shqiptarë në këtë krizë? A mund të ishin këto para, para që investohen në shërbimet publike? Po sigurisht por ama nëqoftëse do të ishte një qeveri e përgjegjshme, që nuk bënte akte normative sa për të bërë akte normative, sa për të hedh hi syve, por që korrigjonte një nga vjedhjet më të mëdhaja që ka bërë vetë tashmë, që nuk mund të fshiheni dot më dhe të thoni që inceneratorët janë vepër e madhe e interesit public, ndërkohë s`kanë bërë një ditë incenerim dhe i kanë marrë 3 kompani të cilat janë të lidhura me njëra tjetrën, të cilat e kanë nisur me një kapital 800 euro dhe sot nga SPAK-u dalin se si në kompani të tjera fantazma çohen paratë e shqiptarëve në kompani nënkontraktore, që nuk përfaqësojnë asgjë përveçse lidhjet klienteliste me ata njerëz që po shkojnë një nga një në burg.
Pra, zonja minister e financave të ftoj që ju të jeni ajo që t`i kërkoni qeverisë të anullohet pagesa për 3 inceneratorët dhe paratë e destinuara për këtë vjedhje të shkojnë si para për pensionistët për shqiptarët, për arsimtarët shqiptarë, për familjet në nevojë, për shëndetësinë të shkojnë në këtë sector, që bëhen të prekshme nga njerëzit dhe ta ndalni njëherë e mirë dhënjen e parave për një vepër që tashmë nuk ka shqiptarë të majtë, të djathtë, pa parti, të madh e të vogël, që mos ta di që kjo është një vepër kriminale, një vjedhje e bërë me firmën e Edi Ramës dhe Edi Rama ka qenë personi dhe është personi që ka vënë firmën në të tre inceneratorët ,sepse nëse nuk do të kalonte me VKM të jeni të sigurtë se çdo procedurë që do të bënte Lefter Koka, Alqi Bllako, Ahmetaj dhe kushdo qoftë nuk do të kishte asnjë vlerë nëse do të kalonte si VKM me firmën e zotit Edi Rama, që është kryeministër i Shqipërisë dhe koka e këtij grupi të strukturuar criminal, që vjedhin paratë e qytetarëve shqiptarë dhe pastaj nuk kanë që të indeksojnë pensionet aq sa për ushqimet bazë të paktën të pensionistëve dhe fshihen mbas skemave për mos t`i dhënë asgjë, por përkundrazi për t`i lënë në mëshirë të fatit siç e keni bërë gjatë të gjithë kohës me qytetarët shqiptarë.