Damian Gjiknuri : Mbështesim me politika sociale shtresat në nevojë për të zbutur efektet e lëvizjes së çmimeve të ushqimeve

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri reagoi nga foltorja e Kuvendit ndaj opozitës për kërkesat e kësaj të fundit për heqjen e taksave për karburantin.

Gjiknuri deklaroi se, qeveria po mbështet shtresat në nevojë për të zbutur efektet e lëvizjes së çmimeve.“Opozita pas një krize të thellë të tyre politike gjetën një ‘casus belli’ për të filluar me radhë sulmin ndaj qeverisë. Pse është kjo dëshirë e madhe për të sulmuar qeverinë? Çmimet nuk kontrollohen nga qeveria shqiptare, zinxhiri ndërkombëtar i furnizimit është ndërprerë. Të gjitha këto janë të vërteta, të gjithë lexojmë dhe shikojmë situatën. Këtu fillojnë dalin dy togfjalësha nga fjalori i opozitës: hiqni taksat dhe grup i strukturuar kriminal. Të thuash duhen hequr taksat, këtë e preka si temë edhe javën e kaluar, do të thotë ta lësh qeverinë zbuluar për skenarë që ne nuk e dimë sesi do të zhvillohen. Parimi i heqjes së taksave nuk është që të përfitojnë të gjithë, puna është që të përfitojë i varfri. Të gjitha këshillat, ‘prudence’ e ekonomisë apo atyre që janë ‘responsible’ për aspektin e fiskut është e tillë: targeto njerëzit në nevojë, targeto të varfrit. Qeveria këtë po bën me politikën sociale po mbron shtresat më në nevojë”, tha Gjiknuri.

NOA

“Kishte protestues që ishin të ndjeshëm për efektet e çmimeve përpara se të dilnin masat e qeverisë. Qeveria reagoi dhe protestat u zvogëluan. Ju vajtët t’i hidhni ‘karburant’ por ju përzunë, sepse jo të gjithë janë për protesta politike. Gjiknuri theksoi se, pasi opozita ka dështuar të marrë mbështetjen me votë nga qytetarët, shpresa e saj e vetme është të bjerë qeveria.