Festa e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti Meta: Kosova e pavarur tregoi që është faktor paqeje dhe shembull i demokracisë

450
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë sot në dy festa të veçanta që janë zhvilluar në Tiranë. Fillimisht ai ishte në festën e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa më pas mori pjesë në Festën Kombëtare të Serbisë.

Në një postim në Facebook, Presidenti Meta flet për ceremoninë e organizuar në Tiranë me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku shprehet “Kosova e pavarur tregoi që është faktor paqeje, stabiliteti dhe shembull i demokracisë në rritje për të gjithë rajoni tonë, që ecën e sigurt në rrugën e duhur europiane dhe euroatlantike”.

Postimi i plotë i Metës

Shumë i lumtur të merrja pjesë sot në ceremoninë e organizuar në Tiranë me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kosova e pavarur tregoi që është faktor paqeje, stabiliteti dhe shembull i demokracisë në rritje për të gjithë rajoni tonë, që ecën e sigurt në rrugën e duhur europiane dhe euroatlantike.
Duke uruar Ambasadorin Nait Hasani dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ngjarje të shënuar për mbarë kombin tonë, theksova mbështetjen time më të fortë për mesazhin e fundit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Michael Pompeo, që në zemër të një marrëveshjeje dhe normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjelltë midis dy vendeve. Kjo do të shënonte një çlirim të jashtëzakonshëm të energjive në të gjithë rajonin tonë, në bashkëjetesë dhe ku respektohen në mënyrë rigoroze standardet europiane për pakicat.
GËZUAR PAVARËSINË KOSOVË E DASHUR!